Paraja
Sasia e hedhur është 16% më e madhe se në vitin 2013
Banka e Shqipërisë (BSH) e mbush tregun me para. Sasia totale e likuiditetit të injektuar në tremujorin e parë është mesatarisht 21.22 miliardë lekë, kundrejt 16.05 miliardë lekëve të injektuara në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ndërkaq, sasia e injektuar është rreth 25% më e lartë se 1 vit më parë, kur kjo vlerë ishte rreth 17 mld lekë. Informacioni mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të parë të vitit 2014, i publikuar dje nga BSH-ja, përfshin operacione të tregut të hapur për injektim të likuiditetit dhe operacione të përhershme, me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së. Për injektimin e likuiditetit, BSH-ja ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 12.84 miliardë lekë në javë, shoqëruar njëkohësisht me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje me maturim njëmujor, mesatarisht 2 miliardë lekë në javë. Për t’u ofruar bankave mundësinë e përkohshme për të rritur shumën e siguruar kundrejt totalit të injektuar nga BSH-ja mbi nivelin 70%, në vijim të operacionit injektues tremujor të zhvilluar në javën e fundit të vitit 2013, gjatë tremujorit të parë të vitit u zhvilluan tri ankande me marrëveshje të anasjelltë riblerjeje tremujore, ku nuk u përdor kufizimi maksimal i pjesëmarrjes. Me qëllim strukturimin e portofolit të BSH-së, ka vijuar të synohet ulja e zotërimit në bono thesari jo më shumë se niveli 70% i totalit të emetuar.