Opinion Atdheu i doktorëve

Atdheu i doktorëve

129
1
SHPËRNDAJE

Elidor Mëhilli

Shqipëria zakonisht nuk ka nevojë të importojë skandale nga jashtë, meqë prodhon vetë më shumë se ç’mund të konsumojë. Mbase kështu shpjegohet që edhe skandali me gradat akademike në Serbi nuk ka tërhequr vëmendje. Ngjarjet në Beograd janë megjithatë jo pa interes për publikun shqipfolës—qoftë edhe për të dëshmuar, nëse ende ka nevojë, se disa praktika paskomuniste e bashkojnë Ballkanin e përçarë më mirë se çdo skemë e sforcuar e Bashkimit Europian.

Në fillim të muajit qershor, një grup studiuesish me prejardhje serbe, por me aktivitet në Britani, botuan një shkrim në një blog, ku hidhnin dyshime mbi tezën e doktoraturës të ministrit 37-vjeçar të Punëve të Brendshme, Nebojša Stefanović. Teza, sipas tyre, përmbante raste plagjiature. Ministri i mohoi akuzat, siç edhe pritej, madje shefi i tij, Kryeministri Vučić, tha se ishin më qesharaket që kishte dëgjuar. Siç ka ndodhur rëndom edhe mes zërash publikë shqiptarë, akademikët në Perëndim u sulmuan si “kurbetçinj” të ndërsyer nga zilia apo politika.

Ky ishte vetëm fillimi. Hetimi i tezës së z.Stefanović, e mbrojtur në universitetin “Megatrend”, zgjoi dyshime edhe për diplomën e rektorit të po këtij universiteti, Mića Jovanović, i cili kishte drejtuar punën akademike të z.Stefanović. Në CV-në e tij, z.Jovanović shënonte se kishte mbrojtur një doktoraturë në London School of Economics. Mirëpo në Londër nuk gjendej asnjë diplomë në emër të tij.

Më kot rektori insistonte se temën e kishte mbrojtur nën drejtimin e këtij apo atij profesori; nga Londra vinin vetëm përgënjeshtrime. Nën presion të vazhdueshëm nga ministri i Arsimit, rektori u detyrua të japë dorëheqjen, megjithëse u zotua se do ta gjejë diplomën “e humbur” në Angli.

Në faqen e vet online, “Megatrend” quhet “lider, prej dy dekadash, për sa i përket arsimit të lartë në Europën Juglindore”. Vështirë ta konfirmosh; arsimi i lartë në Ballkan është kryesisht treg informal. Reklamat e shtrenjta dhe hiperbolat nuk mungojnë; mungojnë standardet, ose, të paktën, mungon një sistem i besueshëm kontrolli standardesh. Në rastin më të keq, trendi është ky: institucione të dyshimta, programe me apo pa akreditim (ose me akreditim të dyshimtë), madje edhe fabrika diplomash që prodhojnë tituj e grada për konsumatorë të rëndësishëm (politikanë, aparatçikë ambiciozë, gjithfarë VIP-ash në stade të ndryshme analfabetizmi).

Të kuptohemi: As serbët, e as shqiptarët, nuk i kanë shpikur as doktoraturat e kopjuara, as fabrikat e diplomave, as modelin gradë-me-pagesë. Perëndimi ka një traditë të gjatë (që nga shekulli i 19-të) e shpesh gazmore “doktorësh” mashtrues, fabrikash diplomash (diploma mills) dhe shkollash amatore. Në ditët e sotme, industria është më komplekse: spekulantët kanë faqe moderne interneti, me gjithfarë artificash dhe dëshmish, madje edhe agjenci fiktive akreditimi apo vlerësimi. Edhe atje ku ka kontroll më të imët, dukuria e zyrtarëve me diploma false apo të kopjuara nuk është se zhduket. Vetëm gjatë viteve të fundit raste të tilla ka pasur në Gjermani, SHBA, Hungari, Tajvan, e gjetkë. Madje, në Gjermani është vënë në funksion një faqe wiki ku gjithkush mund të denoncojë diploma të dyshimta. Asnjë nga këto dukuri, pra, nuk është esencialisht shqiptare, apo serbe.

Mirëpo një gjë është një sistem me kontroll të fuqishëm dhe abuzim nëpër skaje, dhe një gjë tjetër një sistem që abuzimin e ka bërthamë. Shqipëria e vogël ka një numër të ekzagjeruar institucionesh të arsimit të lartë në raport me popullsinë. Në këtë kontekst, debati shpesh është formëzuar rreth problemit të mbipopullimit të vendit me të papunë të diplomuar. Sa të diplomuar në jurisprudencë, biznes-menaxhim, apo marrëdhënie ndërkombëtare i duhen një vendi me popullsi më të vogël se kryeqyteti spanjoll? Privatët demonizohen ende në Shqipëri, mirëpo universitetet publike nuk janë imune. Mediokriteti në Shqipëri është demokratik: kap si njërin kah politik, edhe tjetrin, privatin dhe shtetërorin.

Ndërsa në Perëndim flitet gjithmonë e më shumë për mbiprodhimin e doktoraturave, në Shqipëri etja për mastera duket se është shndërruar rrezikshëm në etje të pakuptimtë për PhD-ra. “Numri i doktorantëve të regjistruar në një vit akademik është rritur me shpejtësi shumë të madhe në këto vitet e fundit”, thuhej në raportin e parë të KALKSH-it. “Kryerja e studimeve të doktoratës u pa si një mundësi karrierë në sektorin publik dhe jo si një karrierë në punën kërkimore-shkencore”. I njëjti raport ankohej se kurrikulat nuk reflektojnë kërkesat e tregut; a thua se administrata publike në Shqipëri—lopë e madhe dhe e pashterueshme e paskomunizmit—nuk është një lloj tregu, madje, me gjasë, treg kryesor.

Parë në këtë aspekt, debati publik për reformën arsimore në Shqipëri ka qenë një zhvillim pozitiv. Mirëpo, qasja teknokratike ndaj një problemi kompleks – shoqëror, ekonomik, politik – të lë disi ftohtë. Nuk është se teknicienët nuk duhen, apo se problemet nuk janë zbardhur. Edhe licencat, edhe akreditimi, edhe autonomia janë çështje me rëndësi. Por as akreditimi (cilësia akademike), as licencat (njohja ligjore) nuk i japin vlerë një diplome.

Kriteret e normat mund dhe duhet të ndryshojnë, por besimi, që është esencial, nuk përftohet as me draft e as me komision. Të gjithë talleshin me “profesor-doktorët” e viteve ’90. Po ku janë ata sot? Kush e kontrollon kontrollorin? Kush kontrollon kredencialet e atyre që kanë pasur e vazhdojnë të kenë fuqi vendimmarrjeje? Çfarë do të bëhet me gjithë ato diploma të dyshimta? Me privilegjet e përftuara në sajë të tyre? Në SHBA, vendin e sipërmarrjes së lirë, së fundmi është shpallur luftë gati e hapur kundrejt atyre universiteteve for profit që abuzojnë me fondet federale. Në Shqipërinë e vogël me zemër të madhe liberale (kur nuk është iliberale), “modeli perëndimor” ende shihet shtrembër.

Dhe kthehemi te “Megatrend”-i serb dhe karnavalja shqiptare e arsimit të lartë. Edhe pse të përbuzur nga Perëndimi, për shkaqe të ndryshme, të dyja vendet kanë arritur në njëfarë mënyre të integrohen njëfarësoj në disa linja të tregjeve perëndimore: kredencializëm gjithmonë e më në rritje për vende pune gjithmonë e më tepër në zhdukje; politikisht të ndarë, por në unison në politikat arsimore; kufijtë mes politikës dhe biznesit jo më thjesht në shpërbërje, por gati të padallueshëm; arsimi gjithmonë e më shumë pop, ndërsa pop-i arsim. Mbase Bashkimi Europian duhet të mbajë shënim. Integrimi po ndodh për inat të Brukselit.

  • tomi

    Une nuk banoj ne Shqiperi prej shume vjetesh: Para nja dy-tre vjeteve isha ne Shqiperi per pushime,Ne nje nga ato dite i mora biçikleten nipit tim dhe vendosa te bej nje shtitje neper Tirane, ngaqe kisha kohe qe isha larguar. Rruga me çoi ne ish bllok.. Per çudine time atje pashe qe pas çdo qosheje nje universitet,privat me gjthfare emrash (me shume se sa bare mu duk mua) impresionante !!-Mungon vetem universiteti i kakaçit- mendova!!!