PLANI-SHKRELI-19_tn_1Vizita e Papës


Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, më datë 21 shtator, sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë, do t’i nënshtrohet një restaurimi tërësor. Lajmi bëhet i ditur nga arkitekti Artan Shkreli, nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook, ku shkruan se ky shesh do të restaurohet i gjithi, në të gjitha elementet përbërëse të tij, duke përfshirë fasadat, ndriçimet, trotuaret, shkallaret dhe infrastrukturën. Sipas Shkrelit, nga ky shesh do të hiqet shatërvani, për të ndërtuar një pedonale, ndërsa kalimi i automjeteve do të bëhet vetëm në një korsi. Ndërhyrja tërësore pritet që të përfundojë për një kohë të shkurtër, brenda 2 muajve. “Një fllad freskie do e shndërrojë sheshin, i cili sot është në degradim e sipër, në një ansambël harmonik shembullor për arkitekturën dhe hapësirën urbane që ngërthen. Dhe kjo nuk do të jetë veçse faza e parë e ndërhyrjes”, shkruan Shkreli në Facebook. Mësohet se projekti pritet të miratohet brenda kësaj jave në Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Vizita e Papës në Shqipëri do të jetë një nga më të rëndësishmet. Papa Françesku është i dyti Papë që viziton Shqipërinë pas vizitës historike të Papa Gjon Palit II, më datë 25 prill të vitit 1993.