Ulet deficiti buxhetor me 54%, më shumë të ardhura


QeveriaDeficiti buxhetor u ul me 54% në raport me gjashtëmujorin e parë 2013, raporton Ministria e Financave përmes statistikave me treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar janar-qershor 2014. Kjo erdhi nga rritja e të ardhurave me 11.7% dhe ulja e shpenzimeve me 3.7%.


Shpenzimet


Qeveria, ashtu siç kishte paralajmëruar, uli investimet publike. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, shpenzimet kapitale kanë rënë në mënyrë drastike, në 21 miliardë lekë. Sipas Financave, totali i shpenzimeve buxhetore ishte 193.7 miliardë lekë për janar-qershor 2014, ndërkohë që qeveria “Berisha” e kishte shkelur gazin për shkak të fushatës elektorale. Shpenzimet korrente janë 5% më poshtë, 158.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet operative të mirëmbajtjes ishin 33% më të ulëta, duke shënuar 5.8 miliardë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, janë paguar deri në fund të qershorit 18.6 miliardë lekë detyrime, nga të cilat 5.6 miliardë lekë të infrastrukturës, 9.1 miliardë lekë TVSH e prapambetur dhe 3.9 miliardë lekë detyrime të tjera. Thesit të qeverisë i rëndojnë edhe paratë e pensioneve. Sigurimet shoqërore kanë marrë 10% më tepër, 66 miliardë lekë.


Të ardhurat


Taksat që sollën më shumë të ardhura në buxhet janë TVSH-ja dhe tatim-fitimi. Të ardhurat nga TVSH-ja u rritën me 20% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor, në 61.2 miliardë lekë, duke reflektuar si zgjerimin e importeve. Ndërkohë, TVSH-ja e rimbursuar gjatë kësaj periudhe ka qenë rreth 1,7 miliardë lekë. Financat janë angazhuar në strategjinë e tyre të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, që të mos krijojnë detyrime të reja ndaj bizneseve. Të hyrat nga tatim-fitimi, megjithëse kanë përshpejtuar ritmet e rritjes, duke u zgjeruar me 32% në rreth 11.2 miliardë lekë për gjashtëmujorin, sërish janë shtuar me ritme më të ulëta sesa niveli i ri i kësaj takse, që u rrit me 50% nga 10 në 15%, që nga 1 janari 2014.


Të ardhurat nga akciza kanë ngadalësuar ritmet e rënies, pasi tregtarët kanë importuar sasi të mëdha në dhjetor 2013, në pritje të hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës për cigaret, alkoolin dhe karburantin. Të ardhurat nga akcizat ranë me 2% për 6-mujorin, në 16.2 miliardë lekë.


Tatimet personale erdhën në rënie, si rrjedhojë e vendosjes së taksës së përshkallëzuar, që ka sjellë rënie të të ardhurave nga tatimi mbi pagat e vogla. Ky zë ra me 6.5% në 13.1 miliardë lekë për 6-mujorin, në raport me janar-qershor të një viti më parë. Të ardhurat nga pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, u rritën me 4.8%, në 30.9 miliard lekë. Më keq në 6-mujorin e parë 2014 është zëri i të ardhurave jotatimore, që ra me 13% në 12 miliardë lekë.