Kompanitë mbushin arkat me 34 % më tepër se vitin e kaluar . Ulen pagesat e dëmeve


Ulja


Dëmet e paguara bruto – Pagesat e dëmeve në 6-mujorin e parë u ulën me rreth 2.44% krahasuar me vitin e kaluar. 82 % të pagesave i përkasin sigurimit motorik


OLYMPUS DIGITAL CAMERARriten të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2014, ndërkohë që numri i kontratave shënon ulje. Ky rezultat reflekton rritjen e çmimeve të sigurimit dhe uljen e pagesave të dëmeve. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF),  të ardhurat e kompanive të sigurimit arritën rreth 5,316 milionë lekë, ose 34.61% më shumë se në periudhën janar-qershor 2013. Në këta muaj, numri i kontratave të sigurimit të lidhura shënon 447,244 me një ulje prej 1.34% krahasuar me periudhën janar-qershor të një viti më parë. AMF konstaton se, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.31% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 10.18% dhe veprimtarinë e risigurimit me rreth 0.51%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 45.80% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54.20% të totalit të tregut. Ndërkaq, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në mbi 1,318 milionë lekë ose 2.44% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2013.


Sigurimi i detyrueshëm motorik


Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-qershor 2014, sipas raportit të AMF-së, u pozicionuan në 2,867 milionë lekë, ose rreth 70.18% më shumë se periudha janar-qershor 2013. Ndërkaq, produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-qershor 2014, pati një rritje prej 81.40% të volumit të primeve të shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një ulje prej 1.31% krahasuar me periudhën janar-qershor 2013. Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-qershor 2014 pati një rritje prej 26.13% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe nga një ulje e numrit të kontratave prej 2.01% krahasuar me periudhën janar-qershor 2013. Produkti Karton Jeshil, në periudhën janar-qershor 2014 pati një rritje me 44.94% të volumit të primeve të shkruara bruto, krahasuar me periudhën janar-qershor 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 9.48%.


Zamir Alushi