komisioni-ekonomiseErion Veliaj


“Shuma e pensionit social do të jetë jo më e madhe se masa e pensionit të pjesshëm”


 


Zbardhet oponenca e PS-së në Komisionin e Ekonomisë për ligjin e sigurimeve shoqërore


65 mijë e 500 lekë do të jetë pensioni social por njëkohësisht edhe baza nga do të fillojë përllogaritja e pensioneve të atyre që mbushin moshën pas datës 1 janar 2015. Është pikërisht formula e re pensioneve që ka dominuar debatet mes deputetëve socialistë dhe ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, disa ditë më parë në Komisionin për Ekonominë. Nga dialogu i zbardhur në procesverbalin e mbledhjes së komisionit, del se deputeti Angjeli dhe deputetë të tjerë i kanë bërë oponencë të fortë formulës së pensionit social. “Shuma mujore e pensionit social është parashikuar të jetë afërsisht e barabartë me shumën e të ardhurave që ofrohet nga skema aktuale për një të siguruar që ka minimumin e periudhës së sigurimit 15 vjet dhe që ka konkluduar me një pagë minimale në shkallë vendi, e cila është 6 mijë e 500 lekë”, konstaton në diskutimin tij, Anastas Angjeli. Sipas tij, po të krahasosh formulën e llogaritjes së masës së pensionit të pleqërisë sipas skemës aktuale me formulën sipas reformës, ka reduktim të drejtash. “I referohemi një page mesatare, por nuk cilësohet pagës neto ose bruto”, theksoi deputeti. Atëherë, vazhdoi Angjeli, kemi disa reduktime të cilat janë: zëvendësimi i pensionit bazë me pensionin social përgjysmon përfitimin e komponentit bazë të llogaritjes së pensionit nga 12 mijë në 6 mijë e 500. Vendosja e termit të ri, baza e vlerësueshme neto, si dhe mosndryshimi i koeficientit të vjetërsisë, heq disa elemente të pagës dhe jep një shtesë pensioni më të vogël se më përpara apo aktualisht. “Pagat në intervalin minimal deri mesatare, të cilat përbëjnë 65-70% të pagave të përgjithshme, do ta vënë këtë formulim në shtesën e tyre më të vogël”, konkludon deputeti i PS-së, Angjeli. Dokumenti i politikave, sipas tij, konstaton se ndërsa për ushtarakët skema është rishikuar duke ulur përfitimet mbi bazën e pagës referuese neto, skema suplementare për punonjësit e lartë të shtetit, si dhe ajo për profesionistët me titull të lartë shkencor dikton nevojën e reformimit të tyre. “Përfundimisht, u shpreh Angjeli, nga përllogaritjet e dokumentit rezulton se, bazuar në pagën referuese neto, në momentin e maturimit të këtyre parametrave, përfitimet e ardhshme do të jenë 28% më të ulëta se përfitimet aktuale”.


 


Reagimi


Veliaj: Pensioni social, i ngjashëm me ndihmën ekonomike


Ministri Veliaj, në përgjigjet e pyetjeve të deputetëve të mazhorancës, theksoi se përfitimet e atyre që janë tashmë në pension nuk do të preken, ndërsa lidhur me llogaritjet e pensioneve të reja, tha se do të bëhen mbi pagën bruto, me përjashtim të pensioneve të përkohshme. “Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit duke e lidhur masën e tij me vitet e kontributit dhe pagën mbi të cilën paguhen kontributet gjatë gjithë jetës së njeriut. Sipas formulës së re të llogaritjes së pensioneve, duke filluar nga data 1 janar 2015 dhe në vazhdim, nuk do të ketë më pension të pjesshëm si koncept”, ka deklaruar Veliaj. “Një koncept tjetër është vendosja e pensionit social për të gjithë individët, që nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për përfitimin e një pensioni.Masa e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se masa e pensionit të pjesshëm, që arrihet nga skema kontributive sot. Ky pension do të jepet duke pasur si kusht verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit në një mënyrë shumë të ngjashme, por edhe në një shumë të ngjashme si ndihma ekonomike”, përcaktoi ministri.