38_big1Kostoja


Ministria e Transportit ka gati projektin për terminalin e ri hekurudhor


Stacioni i ri i trenit do të kushtojë 2.5 milionë dollarë. Kjo është shuma e parave, e përllogaritur për ndërtimin e terminalit të ri, në projektin e hartuar nga Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave. Ndërsa një biletë udhëtimi me tren do të kushtojë 50 ose 70 lekë, shifër që nuk konfirmohet ende zyrtarisht. Në projekt saktësohen të gjitha detajet teknike, duke nisur nga ndriçimi, vendet e qëndrimit të qytetarëve, ambientet për biletari, si dhe instalimi i sistemit të kamerave. Duke qenë se qytetarët do të kenë në dispozicion dy mjete transporti, trenin dhe autobusin, udhëtimi do të jetë i shpejtë, jo më shumë se 1 orë e 5 minuta, ndërsa treni do të ecë me një shpejtësi prej 560 km/orë. Mësohet se stacioni i ri hekurudhor do të ngrihet në zonën e Kasharit, shumë pranë një qendre tregtare. Mësohet se udhëtimi me tren do të funksionojë vetëm për një pjesë të rrugës, pasi me të ndaluar pranë qendrës tregtare në autostradë, do të vihet në dispozicion një autobus fizarmonikë, me kapacitet të konsiderueshëm, për sa i takon numrit të pasagjerëve që do të udhëtojnë me të. Autobusi do të ndjekë itinerarin e trenit, në lidhje me oraret e lëvizshmërisë, që do të thotë se do të jetë në shërbim të pasagjerëve sa herë të niset e të ndalojë treni. Udhëtarët do të paguajnë vetëm biletën e trenit, ndërsa udhëtimin me autobus do ta përfitojnë falas, pasi do të jetë i përfshirë në çmimin e biletës së trenit.


Disa prej të dhënave u bënë publike për gazetën “Shqip”, disa muaj më parë, edhe nga drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave, Genci Alizoti, i cili pohoi: “Duke parë që ky shërbim ndaj qytetarëve nuk po funksionon, menduam të ofrojmë një zgjidhje alternative, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, që stacioni provizor i trenit, të jetë në zonën e Kasharit, shumë pranë QTU-së, për disa arsye specifike. E para, vendi është shumë i përshtatshëm, infrastruktura rrugore është e rregullt, si dhe kemi të rikonstruktuara dy linja hekurudhore”. Sipas tij, heqja e stacionit hekurudhor të Tiranës ishte një nga gabimet më të rënda, pasi nuk gjen asnjë vend në Europë që të mos ketë një stacion hekurudhor, pa përfshirë dëmin financiar që ka shkaktuar zhvendosja e stacionit të trenit, që arrin në 4.5 milionë euro.


Zbatimi i projektit të transporteve pritet të nisë së shpejti, ndërsa do të përfundojë brenda një harku kohor prej 18 muajsh.


Zhvendosja e stacionit të trenit ka nisur në shtator të vitit 2013, si pasojë e vendimit të Bashkisë së Tiranës, për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës. Mirëpo, në atë kohë, Bashkia e Tiranës sqaroi: “Për t’u krijuar të gjithë lehtësirat udhëtarëve, që përdorin linjën e trenit për të udhëtuar, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion autobusë falas për transportin e pasagjerëve të trenit, nga Tirana në Vorë dhe anasjelltas”. Mirëpo, burime në Bashkinë e Tiranës bëjnë me dije se transporti falas, që ky institucion ofroi për dy muaj, për pasagjerët e trenit është ndërprerë nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, e cila nuk e ka rimbursuar për sasinë e karburantit të përdorur. Ndërsa kjo e fundit mohon, duke thënë se ofroi gjithçka ishte e nevojshme për respektimin e kësaj marrëveshjeje, e cila u shkel nga Bashkia e Tiranës.


Shpresa Mezini