Sociale Myslimanët falen në rrugë, kërkojnë ndërtimin e xhamisë së re

Myslimanët falen në rrugë, kërkojnë ndërtimin e xhamisë së re

132
SHPËRNDAJE

Fiter Bajrami 

Myftiu i Tiranës:Kryeministri të na respektojë, të kemi vend për t’u falur

Ilda Hoxha

Thirrje për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë ishte kërkesa e mijëra besimtarëve myslimanë, drejtuar qeverisë, me rastin e festës së madhe të Fiter Bajramit. Sipas tyre, përmbushja e premtimit për ndërtimin e xhamisë më të madhe në kryeqytet do t’i rikthente dinjitetin çdo myslimani, për këtë arsye i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, Edi Rama, t’i japë zgjidhje çështjes së mbetur pezull prej muajsh.

“Duam dhe presim me durim dhe mirëkuptim, të respektohemi dhe të na vihet në vend dinjiteti, të vendoset në vend vullneti i mirë. Ne jemi përkushtuar të vendosim kokën tonë aty ku sot janë sexhdet. Nuk jemi më pak dinjitozë se kushdo tjetër në këtë vend duke kërkuar një të drejtë të ligjshme, për të pasur thjesht dhe vetëm një xhami. Kryeministri të na respektojë, të kemi vend për t’u falur. Kam besim te qeveria e Kryeministri”, tha myftiu i Tiranës, Ylli Gurra. Për vite të tëra me radhë, besimtarët myslimanë janë detyruar të falen në rrugë, për shkak se mungon selia e tyre fetare, që të kryejnë lutjen në raste festash. Ashtu si çdo vit, falja e Namazit u bë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili u mbush me besimtarë myslimanë, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit. Falja u bë në orën 06.23 të mëngjesit të djeshëm, në dy sheshe të ndryshme, për burrat në bulevardin qendror “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa për gratë në fund të rrugës “Myslym Shyri”, vende të njohura tradicionalisht në vite për mbajtjen e ceremonive të tilla. Përpara faljes, besimtarët ndoqën një program të shkurtër fetar, drejtuar nga Oltion Kola, pjesë e të cilit ishin tekbire, salavate dhe ilahi.

Mesazhe urimi u përcollën nga kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, por edhe nga nënkryetari i tij, Bujar Spahiu. Në fjalën e tij, kreu i komunitetit Bruçaj tha: “Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar. Festa e Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme, që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, mëshiruesit fuqiplotë”. Më tej, ai uroi për të gjithë besimtarët myslimanë në të gjithë botën paqe, harmoni dhe begati. Ndërkohë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili drejtoi edhe faljen e namazit, uroi që Fiter Bajrami të festohet dhe përjetohet nga të gjithë.

Me besimin në Zot se dëshira për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës do t’u plotësohet, besimtarët myslimanë përshëndetën njëri-tjetrin, duke uruar paqe dhe mirësi në familjet e tyre. Por, nuk përfundoi këtu, festa vijoi në shtëpitë e gjithsecilit me drekën familjare, ku ftohen të afërm dhe miq për të ndarë bashkë gatimet tradicionale të shumëllojshme karakteristike të kësaj feste që për myslimanët konsiderohet si më e madhja e vitit. Dita e madhe e Fiter Bajramit u mirëprit me dëshirë, përulësi e urime për paqe e dashuri edhe në qytete të tjera të vendit, si Elbasan, Pukë, Shkodër, Gjirokastër, Durrës e Korçë.

Në qytetin e Elbasanit, besimtarët myslimanë drejtuan lutje për një vit me sa më shumë paqe dhe mbarësi. Xhamitë dhe sheshet kryesore u mbushën plot e përplot edhe në qytetin e Durrësit, Shkodrës, Pukës, Korçës e qytete të tjera. Në qytetin e Durrësit, falja e Fiter Bajramit mblodhi shumë besimtarë, të cilët uruan për më shumë mirësi dhe begati në familjet e gjithsecilit. Ndërkohë në Shkodër, falja u zhvillua në xhaminë “Ebu Beker”, ku myftiu i Shkodrës kërkoi t’u jepen fund padrejtësive dhe të veprohet në emër të vlerave dhe parimeve njerëzore. Edhe xhamitë e Korçës e Pukës mblodhën besimtarë të shumtë, ku të gjithë uronin për një vit të mbarë dhe që kjo festë të shërbejë si ditë faljeje, pajtimi dhe dashurie për të gjithë.

Urimeve të panumërta dhe lutjeve drejtuar qeverisë, por edhe Zotit, iu bashkuan edhe ndihmat ushqimore, që u shpërndanë në rrethe të ndryshme të vendit, për familjet e varfra, me dëshirën që kjo ditë e madhe të festohej njësoj, në çdo tryezë shqiptare.