krediaStandardet e kredidhënies u lehtësuan gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, si për bizneset ashtu edhe për individët, raporton Banka e Shqipërisë. Sipas rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues, bankat shprehen se i kanë lehtësuar standardet e kredisë dhënë korporatave të mëdha, bizneseve të vogla dhe të mesme, për financimin e kapitalit qarkullues dhe për investime. Lehtësimi i standardeve të kredisë dhënë bizneseve në total, për herë të parë që prej tremujorit të parë të vitit 2011, përbën një kthesë pozitive drejt lehtësimit të politikës kredidhënëse të bankave. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan t’i lehtësojnë standardet, për të tretin tremujor rresht, si për blerje banese ashtu edhe për financim të konsumit.


Faktorët kryesorë që ndikuan lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë bizneseve dhe individëve janë politika lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, niveli i likuiditetit, si dhe konkurrenca në sistemin bankar. Pas një periudhe të gjatë shtrëngimi, balanca neto e përgjigjeve të bankave u rrit me 11.2 pikë krahasuar me tremujorin e kaluar. Ky përmirësim është kryesisht rezultat i lehtësimit të standardeve të kredisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet për kredinë dhënë korporatave në tremujorin e dytë të vitit u lehtësuan në një shkallë më të ulët krahasuar me ndërmarrjet e vogla. Balancat përkatëse u përmirësuan respektivisht me 24.6 pikë dhe 8.9 pikë. Për sa i përket qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar si për kredinë e dhënë për investime ashtu edhe për kredinë e dhënë për financimin e kapitalit qarkullues.


Edhe për individët në tremujorin e dytë të vitit 2014, ekspertët e kredisë në banka shprehen për vijimësi të lehtësimit të standardeve të kreditimit. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kredinë konsumatore ashtu dhe për atë me qëllim financimin e blerjes së banesës.