Projeksioni/ Me probabilitet ndodhjeje 90%, Banka e Shqipërisë parashikon ecurinë e stabilitetit financiar
Parashikimi i Bankës së Shqipërisë për inflacionin është që, deri në fund të vitit mund të shkojë deri në 3,6%. Presionet e dobëta inflacioniste prezente në ekonominë shqiptare pritet të dominojnë edhe në të ardhmen e afërt.
Parashikimet
Sipas buletinit zyrtar të Bankës Qendrore, gjatë këtij viti inflacioni pritet të luhatet brenda intervalit 0.9–3.6% (me një probabilitet ndodhjeje 90%). Sipas BSH-së, norma e inflacionit në gjashtëmujorin e parë ka rezultuar e ulët dhe nën objektiv. Inflacioni mesatar rezultoi 1.6% në tremujorin e dytë të vitit 2014, duke shënuar rënie krahasuar me vlerën e regjistruar një tremujor më parë. Ndërsa inflacioni vjetor zbriti në nivelin 1.5% në muajin qershor. Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet prej dinamikës së çmimeve të produkteve ushqimore të papërpunuara, ndërsa grupet e tjera të shportës kanë pasur një kontribut të vogël në inflacion. Në aspektin makroekonomik, vlera e ulët e inflacionit ka reflektuar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve prodhuese, normat e ulëta të inflacionit në vendet partnere dhe pritjet afatshkurtra në rënie për inflacionin. Periudha në vijim do të vijojë të përjetojë një ambient me rritje ekonomike dhe inflacion të ulët. Projeksionet bazë të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ekonomia shqiptare do të rritet me ritme më të larta nga një vit më parë, e mbështetur kryesisht nga zgjerimi i kërkesës së brendshme.
Objektivi
Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Në terma sasiorë, Banka e Shqipërisë do të kuptojë me stabilitet çmimesh mbajtjen e inflacionit në nivelin 3.0%, me një mundësi luhatjeje prej ± 1 pikë përqindjeje rreth kësaj vlere qendrore. Si objektiv i inflacionit do të vazhdojë të jetë ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Konsumit, matur dhe publikuar nga INSTAT.