Huaja


Rritet numri i huave bankare që kanë më tepër se një vit që nuk kthehen


Niveli – Nga 23.22% që ishte në dhjetor 2013, në fund të gjashtëmujorit të parë, kredia me probleme arriti në 24.06%


Klasifikimi – Në maj 2014, kreditë e humbura ishin 11.98%, kreditë e dyshimta 3.49%, kreditë nënstandarde 8.61%.


Kredia – Në muajin maj, sipas BSH-së, teprica e kredisë për sektorin privat rezultoi 1.8% më e ulët.


Zamir Alushi 


krediteNiveli i kredive të këqija nuk ulet. Në raport me fundin e vitit 2013, huat e pakthyera në afat nga bankat janë rritur. Nga 23.22% që ishte në dhjetor 2013, në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2014, kredia me probleme është 24.06% e totalit. Gjatë muajit maj 2014, kreditë e humbura ishin 11.98%, kreditë e dyshimta 3.49%, kreditë nënstandarde 8.61% dhe kreditë në ndjekje 8.46%. Me gjithë fokusimin e Bankës së Shqipërisë në përmirësimin e sistemit të ekzekutimit të kolateralit dhe fshirjen e kredive të këqija, ky tregues mbetet i palëvizshëm. Në tremujorin e parë 2014, kredia me probleme shënoi shifrën 24.08%, ndërsa në tremujorin e dytë, pati një moment kur ky tregues u rrit deri në 24.39% të totalit të kredive. Në gjashtë muajt e parë të vitit janë shtuar huat e humbura, që kanë më shumë se një vit që nuk kthehen, të cilat janë rritur me 0.7 pikë përqindje në tremujorin e dytë në raport me janar-marsin 2014, duke arritur në 4.22%. Ndërsa huat e humbura, pa shpresë rikuperimi, arritën në 12.3% në fund të qershorit 2014, që përllogaritet në 500 milionë euro në vlerë absolute, nga rreth 4 miliardë euro që është stoku i huas në total.


Kredia e re


Në këto kushte, në fund të muajit maj, raportohet nga BSH se, bankat kanë lehtësuar disi standardet e kredisë për biznesin, por edhe për konsumatorin. Gjithsesi rritja e kredisë nuk po ndihet në ekonomi. Tremujori i dytë ka dhënë sinjale për rritje të kërkesës për kredi, ndonëse zgjerimi i kredisë mbetet ende në territor negativ. Në muajin maj, sipas BSH-së, teprica e kredisë për sektorin privat rezultoi 1.8% më e ulët se një vit më parë. Vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron lehtësimin e kushteve të kreditimit si për bizneset ashtu dhe për individët, dhe një rritje të kërkesës së tyre për financim. Kredia e re prej muajsh dominohet nga ajo në lekë, një zhvillim i mirëpritur për rritjen e efektivitetit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë pretendon se, rikuperimi i kreditimit do të mbetet i kushtëzuar nga përmirësimi i qëndrueshëm i aktivitetit ekonomik në vend, nga reduktimi i primeve të rrezikut në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe nga një dinamikë më pozitive në tregun e punës.


Fitimet


Sistemi bankar vijoi të rrisë fitimet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014. Bankat kanë arritur të rrisin të ardhurat nga interesat me rreth 10% në qershor 2014, në raport me muajin qershor 2013. Në fund të tremujorit të dytë, fitimi kumulativ për gjashtëmujorin i sistemit bankar arriti në 5.4 miliardë lekë, me një rritje prej 0.9 miliardë lekësh në tremujorin e dytë, me ritme shumë më të ngadalësuara në raport me tremujorin e parë. Në fitimet e larta ndikoi edhe ulja e shpenzimeve për provigjionime (mbulimi i kredive me probleme). Bankat kursyen 1.3 miliardë lekë pasi fshinë nga regjistri huat e humbura.