Kredia/ Paratë do të mbulojnë importin e energjisë në kohë thatësire dhe investimet në linja
Banka Botërore (BB) mbështet qeverinë për marrëveshjen e arritur me CEZ-in dhe me këtë rast i jep një hua 150 milionë dollarë për energjetikën. Në një deklaratë për shtyp, BB njoftoi dje se, “përfunduan me sukses negociatat për një program prej 150 milionë dollarësh për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik”. “Zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare në lidhje me kompaninë e shpërndarjes, bën të mundur që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare si dhe kryerjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem”, tha Ellen Goldstein, drejtore e Bankës Botërore për Europën Juglindore.
Projekti
Projekti i propozuar që do të financohet nga Banka Botërore, do të mbështesë përmirësimin në vijimësi të furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të sektorit. Financime të konsiderueshme në kuadër të projektit do të mbështesin investime të rëndësishme në infrastrukturë që lidhen me shpërndarjen e energjisë elektrike dhe përmirësimin e sistemit të transmetimit. “Ndër reformat më të rëndësishme e të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rivendosur ekuilibrin fiskalë në Shqipëri janë besueshmëria dhe qëndrueshmëria financiare më e madhe e sektorit të energjisë”, shprehet Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore
Ulja e humbjeve
Programi i saponegociuar, sipas opinionit të BB-së, do të sjellë përmirësime të rëndësishme në shërbimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, shumë prej të cilëve i paguajnë faturat e tyre, ndërkohë që të tjerë nuk i paguajnë duke e konsumuar energjinë në mënyrë të paligjshme.”Projekti që do të financohet nga Banka është hapi i parë i nevojshëm për të ndihmuar përpjekjet e qeverisë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, uljen e humbjeve në shpërndarjen e energjisë nga niveli aktual prej 42% në rreth 20% në vitin 2018 dhe zbatimin e reformave prioritare në këtë sektor në përputhje me legjislacionin e BE-së”, tha Salvador Rivera, drejtor i programit. Zamir Alushi
Financimi
Projektet
Që kur Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1992, ka përfituar 1.8 miliardë USD grante dhe kredi.