Humbjet e përgjithshme të raportuara nga CEZ Shpërndarje për vitin 2013, arrijnë në 45.04%
Importi
OSHEE importon energji elektrike vetëm për mbulimin e humbjeve të energjisë në sistemin e Shpërndarjes
Rekordi
Trendi i rritjes së importeve ka nisur në mars 2014, kur OSHEE importoi 16 milionë euro energji
Linja
Sasia e energjisë për gushtin, në total 200880 MWh, vjen kryesisht nga linja e furnizimit Serbi, Mali i Zi-Shqipëri
Energjetika
Për gushtin importohen 10 milionë euro nga linja e Serbisë. Krahasimi me vitin 2013
Zamir Alushi
CEZ Shpërndarje, që ndryshoi emrin në Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), nuk e ka ndryshuar zakonin e rritjes së importeve të energjisë. Këto importe që sa vijnë dhe shtrenjtohen i duhen kompanisë për mbulimin e humbjeve. Këtë verë, OSHEE ka rritur importet, duke shënuar kulmin në muajin gusht. Mbi 10 milionë euro është sasia e blerë me tenderë nga OSHEE për periudhën 1 gusht deri më 31 gusht 2014.
Krahasimi
Sasia e energjisë për gushtin, në total 200880 MWh, që vjen kryesisht nga linja e furnizimit Serbi, Mali i Zi-Shqipëri dhe një pjesë më e vogël nga Greqia, u ble në tender me çmimin 50.75 euro/MWh. Në qoftë se do t’i referohemi bilancit energjetik të vitit 2013 të publikuar nga ERE, sasia e faturuar nga CEZ Shpërndarje me çmim importi për muajin gusht është 43901 MWh, ndërsa pjesa tjetër është plotësuar nga KESH dhe klientët e kualifikuar që bëjnë furnizime importi. Sipas raportit të ERE-s për vitin 2013, në total, kompania ka importuar në gusht 2013, sasinë 171720 MWh. Pra, shumë pak se sa energjia e importuar këtë vit. Ndërkohë që KESH ka rritur prodhimin dhe ndërpreu importin qysh në fillim të pranverës, rritja e ritmeve të blerjes së energjisë jashtë tregut kombëtar, krijon pikëpyetje për bilancin e kompanisë. Në një periudhë kur konsumi familjar bie, ky import (duke mos marrë parasysh abuzime të mundshme me tenderët) shpjegohet vetëm nga një faktor: rritja e humbjeve krahasuar me një vit më parë. Trendi i rritjes së importeve ka nisur që në pranverë. Në muajin mars 2014, OSHEE ka importuar 286053 MWh, me vlerë rreth 16 milionë euro, një sasi rreth 40% më e lartë se ajo e blerë në mars 2013. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u blenë 148136 MWh nga CEZ Shpërndarje. Në muajin prill 2014, kompania e shpërndarjes importoi 187200 MWh energji me një vlerë mbi 9 milionë euro me çmime të kripura krahasuar me ato të rajonit, rreth 50 euro për MWh. Ndërsa një vit më parë, në muajin prill, CEZ Shpërndarje ka blerë vetëm 47364 MWh energji. Në muajin maj 2014, rezulton se CEZ Shpërndarje ka pasur nevojë më të madhe për plotësimin e kërkesave me energji. Kështu, në tenderin mujor, ku marrin pjesë gjithnjë të njëjtat kompani që kanë statusin e klientit të kualifikuar dhe ndajnë tregun furnizimit, u kontraktuan 163680 MWh me vlerën mbi 8 milionë euro me një çmim 49.5 euro/MWh. Në maj 2013, kompania CEZ Shpërndarje importoi vetëm 60751 MWh. Kuptohet se importet janë rritur në mënyrë të dukshme. Në muajin qershor 2013 u importua më shumë energji se në muajin paraardhës, u ble 67189 MWh, por në qershor 2014 duket se ka një superkërkesë nga konsumatorët shqiptarë. Vlera e importuar nga CEZ Shpërndarje është 180000 MWh, që u pagua me 8.7 milionë euro, që sigurisht paguhen nga buxheti i shtetit, sepse kompania e ka të pamundur financiarisht mbulimin e importeve me arkëtimet që kryen. Pas humbjes së zgjedhjeve në qershor 2013, CEZ Shpërndarje e ka shtuar importin, por jo në shifrat e sivjetshme. Kështu, në korrik 2013, është importuar nga CEZ dhe nga KESH së bashku, sasia 140017 MWh, ndërsa në korrik 2014, sasia e importuar vetëm nga CEZ Shpërndarje është 193440 MWh, e blerë me vlerën 9.96 milionë euro, me çmimin rreth 52 euro/MWh.
Humbjet
Ç’po ndodh me tregun energjetik? “Në zbatim të kërkesave të Modelit Shqiptar të Tregut, importet e energjisë elektrike për nevojat e konsumatorëve në vendin tonë, kryhen nga furnizuesi publik me shumicë në përbërje të KESH sh.a. Ndërsa furnizuesi publik importon energji për të plotësuar nevojat e klientëve tariforë, CEZ Shpërndarje sh.a. importon energji elektrike vetëm për mbulimin e plotë të humbjeve të energjisë elektrike në sistemin e Shpërndarjes”, kështu e shpjegon ERE nevojën për import të energjisë në raportin e vitit 2013. Humbjet e përgjithshme të raportuara nga CEZ Shpërndarje për vitin 2013, arrijnë në 45.04%. Niveli i arkëtimeve i raportuar për vitin 2013, është 83% e energjisë elektrike së faturuar. Kjo shifër përfshin edhe arkëtimet e prapambetura të periudhës 2007-2012, në vleftën 8.996 miliardë lekë. Për vitin 2013, niveli i humbjeve i raportuar nga CEZ Shpërndarje sh.a. ka një përmirësim prej 1.31% nga humbjet e konstatuara nga ERE në vitin 2012 (46.35%). Në sistemin e transmetimit, humbjet e energjisë elektrike janë në vleftën 209.6 GWh ose 2.32% nga 2.21% të raportuara në vitin 2012. Për vitin 2014, sasia në rritje e importit të energjisë elektrike do të sjellë përkeqësim të grafikut të humbjeve të kompanisë OSHEE.
Shërbimi
Reduktimi i autorizimit për operacionet hidrokarbure, nga 12 muaj që ishte, sot kryhet vetëm për 5 ditë.
AKBN
Sistem dixhital për të kontrolluar marrëveshjet koncesionare të kompanive
Arkivi i naftës shqiptare, që daton që nga viti 1928, do të dixhitalizohet dhe do të bëhet publik për të interesuarit. Aktualisht në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore po krijohet baza e të dhënave ku do të ruhen dokumente arkivore të aktivitetit gjeologjik dhe të koncesioneve. Ky fond arkivor është unik dhe përmban të vetmin informacion tekniko–shkencor që shteti shqiptar ka në lidhje me kërkimet dhe zbulimet e naftës dhe të gazit. Dixhitalizimi i këtij fondi do të jetë një hap i rëndësishëm jo vetëm për mirëkonservimin e tij por edhe për shkëmbimin e tij me subjektet e interesuara.
Po hartohet një rregullore e re për të përcaktuar metodologjitë e kontrollit dhe auditit. Gjithashtu, ka filluar puna për të ndërtuar një sistem elektronik për monitorimin dhe auditimin e marrëveshjeve hidrokarbure, sistem ky i cili do të rrisë transparencën e këtij procesi duke e bërë atë të aksesueshëm në çdo moment nga website i AKBN, nga çdo palë e interesuar. Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i naftës bruto për periudhën janar-maj 2014 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013 është rritur me rreth 61.000 tonë, pra rreth 12% me shume.
Përfituesit
Përfitues janë qarqet Berat, Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Janë projekte për rregullim dhe asfaltim rrugësh dhe sheshesh
Fondi
Qeveria financon projektet e shesheve për katër qytete
Qeveria u bën thirrje 4 qarqeve të bëjnë gati dosjet e punimeve për projektet e planifikuara që do të financohen me 606 042 704 lekë. Këto janë para që menaxhohen nga organizmi i quajtur “Komiteti për zhvillimin e rajoneve, financimin e projekteve në fushën e infrastrukturës vendore”, pjesë e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve për vitin 2014. Sipas njoftimit të qeverisë, të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, agjencitë zhvillimore, projektet e të cilave miratohen për t’u financuar, duhet të paraqesin pranë sekretariatit përkatës teknik, në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, brenda 3 javësh nga data e publikimit të këtij vendimi, një kalendar me të gjitha afatet e prokurimit publik dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit e përdorimit të fondeve (realizimit të investimit), për të vlerësuar realizimin e investimeve. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit të bëjnë monitorimin dhe raportimin e ecurisë së zbatimit të projekteve pranë Njësisë së Bashkërendimit të Programeve Zhvillimore dhe Planifikimit Strategjik, pjesë e Departamentit të Programimit të Zhvillimit të Financimeve dhe Ndihmës së Huaj.