Kulturë Marius Dobresku: Në librat e Kadaresë ndihet zëri i historisë  

Marius Dobresku: Në librat e Kadaresë ndihet zëri i historisë  

926
SHPËRNDAJE

“Ura me tri harqe” e Ismail Kadaresë përkthehet në rumanisht. Marius Dobresku, përkthyesi i shkrimtarit të njohur shqiptar në gjuhën rumune, flet për lidhjen e tij me letërsinë e Kadaresë dhe letërsinë shqipe. Udhëtimi në Shqipëri si student në 1971-shin…refuzimi i babait për të studiuar në vendin komunist dhe raportet që ai ka sot me këtë vend…

Alda Bardhyli

marius3Rrëfimi i murgut Gjon (nën lëkurën e të cilit fshihet një tjetër personazh, Gjon Buzuku, autori i librit të parë në gjuhën shqipe), është një ndër më të ndjerët në historinë e letërsisë shqipe. Një rrëfim që na shpie në vitin 1378, dy shekuj para Buzukut, për të na treguar një kronikë të kohës, e cila është një lexim i Shqipërisë së atyre viteve. “Ura me tri harqe”, romani i njohur i shkrimtarit Ismail Kadare sapo është përkthyer në gjuhën rumune, duke e çuar numrin e veprave të këtij shkrimtari në këtë gjuhë 26, e duke e bërë Rumaninë, vendin e dytë pas Francës ku librat e Kadaresë janë përkthyer më shumë. Lexuesi rumun u njoh për herë të parë me letërsinë e Kadaresë, me romanin “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, nën përkthimin e Foqion Micacon. Pak dihet në shqip për kontributin e çmuar të këtij përkthyesi për njohjen e letërsisë shqipe, i cili bashkë me prof. Grigore Brancush ka sjellë në gjuhën rumune përkthime nga letrat shqipe të viteve ‘50. Marius Dobresku do ta lexonte përkthimin e Micacon në fillim të viteve ‘70, një libër e përkthim që do të ndryshonte përgjithmonë raportet e tij me letrat shqipe. I impresionuar nga romani, ai nis të përkthejë në mënyrë të pavarur i pandikuar nga përkthimi i Micacon, këtë roman, për ta botuar pesë vjet më vonë, nga e njëjta shtëpi botuese “Univers” (1983). Kjo ishte ngjizja e tij e parë me letërsinë e Kadaresë, e cila do ta tërhiqte libër pas libri për ta përkthyer në rumanisht. Tashmë Dobresku sapo ka përfunduar romanin më të ri të Kadaresë në gjuhën rumune “Ura me tri harqe”, një roman që ashtu siç shprehet në një intervistë më poshtë e ka futur thellë në histori. Por, çfarë ndodh me laboratorin e një përkthyesi, i cili kthehet në zërin e një shkrimtari të rëndësishëm në një gjuhë tjetër dhe në urën që lidh bashkë dy kultura siç është Shqipëria dhe Rumania…

Pas “Darka e gabuar” sapo keni përfunduar përkthimin e romanit “Ura me tri harqe” nga Kadare. Si e përjetoni kalimin nga një libër te tjetri.. Çfarë gjendjesh krijon te ju?

Unë besoj se kur fillon punën me një libër tjetër fillon një etapë të re në jetën tënde. Ndoshta kjo tingëllon banale, por është diçka shumë serioze dhe aspak e rëndomtë. Në një situatë të tillë ke nevojë për një periudhë më të gjatë a me të shkurtër për t’u mësuar me tekstin e ri. Është si atëherë kur do të zbutësh një qen të  egër. Duke kaluar nga Darka tek Ura zbrita në kohë nga Shqipëria komuniste te Shqipëria mesjetare. Kalimi nuk është i lehtë. Duhet ta ndërrosh jo vetëm shekullin, por edhe mënyrën e të menduarit, e të shprehurit sepse unë, në fakt, përpiqem ta rishkruaj tekstin e Kadaresë me fjalët e mia. Me fjalët dhe me mjetet shprehëse të një gjuhe tjetër. Kam ndjesinë se e shkruaj rishtas. Është shumë e rëndësishme që cilësitë e përkthyesit të përkojnë me ato të autorit. Prandaj, siç e thashë në një intervistë tjetër, përkthimi mund të shkatërrojë një autor gjenial apo të bëjë gjenial një autor të dobët. Si konkluzion, duke kaluar nga një libër te tjetri, kam nevojë për 15-20 faqe për t’u akomoduar me librin e ri, qoftë ai edhe i Ismail Kadaresë.

Personazhi kryesor i këtij libri është i frymëzuar nga Gjon Buzuku, autori i librit të parë në shqip, “Mesharit”. Si e shihni murgun Gjon… personazhin e Kadaresë dhe çfarë mendoni se do gjejë lexuesi rumun te  ky libër?

marius1Në fakt, “Ura me tri harqe” është kronika e shekullit kur Europa e qytetëruar konfrontohej me një fuqi ushtarake që dukej e papërballueshme: Perandoria Osmane. Që atëherë, për shqiptarët dhe për gjithë Ballkanin do të fillojë një epokë e re, e cila do të zgjasë gati pesëqind vjet. Një periudhë që do të prodhojë transformime rrënjësore, jetësore mund të thuash në psikologjinë dhe kulturën e këtyre popujve. Rumunët kanë njohur vetë shtypjen osmane, prandaj ngjarjet e librit i shkaktojnë lexuesit rumun ndjenja të njohura. Por mënyra se si e trajton autori temën e vet është e shkëlqyer, unikale. Fjalët e murgut Gjon janë, në fakt, zëri i vetë historisë. Dua të besoj se përkthimi rumanisht i përputhet absolutisht tekstit shqip, megjithëse jam përpjekur t’i jap këtij teksti ngjyrën e një poeme në prozë.

Nga “Meshari” si… e shihni zhvillimin e librit shqip?

Letërsia shqipe, sipas meje, ka pasur dy periudha shumë të frytshme: ajo e Rilindjes dhe Pavarësisë dhe ajo e viteve ’30. Ishin periudha kur shkrimtarët kanë pasur mjaft liri krijimi dhe si pasojë dolën vepra dhe autorë që kanë mbetur në historinë e letërsisë suaj. Po ta marrim nga pikëpamja sasiore, periudha komuniste ka prodhuar disa herë më shumë letërsi sesa epokat e tjera, por sa për qind syresh kanë qenë vepra të vlefshme? Në periudhën komuniste u mbështetën të shkruajnë njerëz pa pikë talenti… Me disa përjashtime, që i dimë të gjithë. Si çdo letërsi, edhe ajo shqipe u zhvillua me hope, me luhatje, secila periudhë duke pasur majat dhe dështimet e saj.

Si është një proces pune me një libër të Kadaresë, konsultoheni me të gjatë përkthimit?

Jo, lidhem me të për probleme të tjera, jo për punën time. I komunikoj, p.sh., kur del nga shtypi një roman i ri ose me raste të ndryshme, kur e njoftoj mbi evenimente që zhvillohen për librat e tij, promovime, debate, takime etj., në Rumani. Më pëlqen të besoj se marrëdhëniet tona janë më të thella dhe më serioze sesa ato midis një autori dhe një përkthyesi të zakonshëm. E çmoj, në të njëjtën masë, edhe zonjën Helena Kadare, të cilën e konsideroj një shkrimtare të dorës së parë.

Çfarë është e rëndësishme te një përkthyes?

Gjëja më e rëndësishme për një përkthyes është njohja e përkryer, me nuanca intime dhe stërhollësi të gjuhës në të cilën përkthen. Në Rumani ka mjaft shqiptarë që përpiqen t’i ofrojnë lexuesit tonë vepra të shkrimtareve shqiptarë, por shumë pak prej tyre arrijnë në një rezultat të kënaqshëm. Mund të përmend këtu vetëm një përjashtim: kritiku letrar dhe përkthyesi Luan Topçiu.

A e ndiqni letërsinë shqipe… Si e shihni zhvillimin e saj?

Po, e ndjek letërsinë shqipe, por mundësitë e mia për të njohur në tërësinë e tij fenomenin letrar tek ju janë të kufizuara. Besoj se e merrni me mend pse ndodh kjo. Jam i sigurt se vetë lexuesi shqiptar s’është në gjendje të identifikojë tërësisht botimet e një viti, p.sh. Merret me mend se unë, që banoj 1000 km larg Tiranës jam akoma më keq. Falë Zotit se kam miq në Tiranë.

A janë vendet e vogla peng i historive të tyre?

Patjetër, dhe kjo është e qartë sidomos në rastin e vendeve të Ballkanit. Shembulli më i mirë është ai i ish-Jugosllavisë, e cila ka trashëguar nga historia halle të rënda, që lënë gjurmë të thella në memorien e popujve që e përbëjnë. Le të shohim me sa vështirësi përparohet në problemin e Kosovës, sa vullnet dhe sa mundime duhen për të zgjidhur mosmarrëveshjen më të vogël! Dhe duhet të kemi parasysh se në këtë lojë kanë ndërhyrë shtetet më të fuqishme të botës, dhe ja se finalja e lojës, dritëza në fund të tunelit, akoma nuk duket.

Lidhja juaj me letrat shqipe është e gjatë dhe duket që Shqipëria zë një vend të veçantë në jetën tuaj. Kur ktheni kokën pas, si e shihni këtë rrugëtim, duke qenë se ju e njihni Shqipërinë në dy periudhat: komunizmin dhe postkomunizmin?

Kur isha student në Bukuresht, në vitin 1971, u thirra bashkë me shokun tim, Filip Teodoresku, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku na propozuan të vazhdojmë studimet për gjuhën shqipe në Tiranë. Para se të shkojmë, ata të ministrisë kishin nevojë, sipas ligjit, për akordin e tim eti. Babai im nuk bindej assesi. Ai më përsëriste shpesh: Nuk të lë të shkosh në Shqipëri, nuk dua të largohesh nga familja dhe se shqiptarët janë popull i ashpër! Mirëpo, para se të shkojmë në ministri për të dhënë përgjigjen finale, rrugës u takuam me një shok të babait nga qyteti im i lindjes – Braila, i cili, duke dëgjuar për problemin tonë, i tha atij: lëre djalin të shkojë, ky është një tren që vjen vetëm një herë në jetë. Kështu që babai më në fund ra dakord, unë vajta në Tiranë dhe pas 40 e ca vjetësh mund të them se s’jam aspak i zhgënjyer. Gjuha shqipe qe për mua me të vërtetë një tren unikal.

Një student i Çausheskut, në Shqipërinë socialiste… Si e kujtoni atë periudhë?

Mund të them se unë dhe Filipi vinim nga një vend ku jeta ekonomike s’e kishte filluar akoma rënien, tregu rumun ishte plot me prodhime ushqimore, Partia Komuniste gëzonte një farë respekti, kulti i Çausheskut ishte në fillim etj., prandaj varfëria e Shqipërisë dhe e shokëve tanë shqiptarë na hutoi që në ditët e para. Kur ktheheshim nga Rumania, pas pushimeve, i ndërronim rrobat në avion për të mos i shkelur parimet e modës komuniste. Qetheshim, gjithashtu, në aeroport dhe kishim kujdes të mos i fyenim kolegët dhe autoritetet, duke krahasuar Rumaninë me Shqipërinë e kështu me radhë. Kemi qenë dëshmitarë të proceseve staliniste të viteve ’70 dhe të dramës së shoqes sonë të kursit, Tatjana Parllaku. Por, nga ana tjetër, u rrethuam me respekt e dashuri nga shokët tanë shqiptarë, midis të cilëve mund të përmend Flamur Shabanin, Engjëll Ndocajn, Spiro Gjonin, Ymer Çirakun, Bahri Myftarin e kështu me radhë. Kemi pasur profesorë të shkëlqyeshëm si Ali Xhiku, Fatmir Agalliu, Shaban Demiraj, Myzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami. Midis tyre, Ismail Kadare, që jepte leksione mbi letërsinë europiane bashkëkohore.

Shqipëria dhe Rumania janë dy vende që i bashkon jo vetëm e shkuara komuniste, por edhe historia dhe kultura… Gjurmët shqiptare në Bukuresht ndihen herët… Çfarë mund të na thoni më shumë për të përbashkëtat e dy vendeve…

Ashtu është. Shqiptarët kanë filluar të mbërrijnë në Rumani, masivisht, nga mesi i shekullit XIX. Pse në Rumani? Sepse shumica e tyre ishin të krishterë ortodoksë dhe feja kishte rëndësi të veçantë në atë kohë. Pastaj, shumë prej tyre, duke ardhur nga Korça dhe rrethinat e saj, kishin origjinë arumune, ose kishin jetuar në fqinjësi me arumunët. Ata kanë përfituar nga mikpritja dhe dashamirësia e popullit dhe autoriteteve rumune, cilësi që u panë edhe pas demokratizimit të vendit, në vitet ’90, kur në Rumani erdhën për studime mbi 2000 të rinj shqiptarë. Nuk duhet harruar kontributi i Rumanisë në realizimin e pavarësisë së Shqipërisë, as personalitete si Naum Veqilarxhi, Naim Frashëri, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Asdreni, Nikolla Naço dhe shumë të tjerë që u realizuan si intelektualë dhe patriotë në Bukuresht, Braila, Konstancë, Slatina  etj.

Sa i angazhuar jeni me komunitetin shqiptar që jeton në Rumani?

Komuniteti shqiptar i këtushëm është pak a shumë si i ndarë. “Kontributin” më të madh për këtë situatë të padëshirueshme e solli vetë ambasadori shqiptar, Sami Shiba. Nuk dua të flas më shumë nga konsiderata diplomatike, por shteti shqiptar duket se ka harruar traditën e marrëdhënieve diplomatike të shkëlqyeshme midis dy vendeve tona! Nga ana tjetër, dua të them se realizoj çdo muaj revistën kulturore Miku i shqiptarit, me financim të qeverisë rumune, se në kuadër të organizatës ALAR (Lidhja e Shqiptareve të Rumanisë) botojmë libra të autorëve shqiptarë (kohët e fundit Gjekë Marinaj, Ramiz Gjini dhe Ermir Nika p.sh.), se marrim pjesë në shfaqje folklorike me grupin tonë Serenada (këngë dhe valle popullore), se nxjerrim CD me serenata korçare etj. Kjo përveç përkthimeve të mia nga Kadare. (26 romane të Ismail Kadaresë janë përkthyer prej meje. Rumanishtja është gjuha e dytë e huaj, pas frëngjishtes, ku janë përkthyer më shumë vepra të Kadaresë) Patjetër se komuniteti i shqiptarëve gëzohet i pari nga veprimtaria jonë.

Libri i parë në rumanisht i Kadaresë është përkthyer nga Foqion Micaco. Çfarë mund të na tregoni për kontributin e tij, pak të njohur në shqip?

Foqion Micacon nuk e kam njohur personalisht, por nëpërmjet tij kam njohur në gjuhën rumune veprën e Kadaresë. Ishte fundi i viteve ’70, kur lexova Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, botuar në shtëpinë botuese Univers. Librin shqip e kisha shfrytëzuar në Tiranë, vitin e fundit të fakultetit, për punimin e diplomës. Përkthimi i Foqionit më la përshtypje të posaçme, ishte shumë rigoroz, gati solemn, duke pasur diçka nga vetë personaliteti i autorit. Duke e përkthyer vetë, pesë vjet më vonë, vendosa të mos e shfrytëzoj fare variantin e Micacos, kësisoj refuzova ta rilexoja. Ky ishte basti im me veprën e Kadaresë. Varianti im doli mjaft i mirë, u botua një herë në vitin 1983, te shtëpia botuese Univers, pastaj, botimi i dytë u bë më 2002 dhe fitoi çmimin e Lidhjes së Shkrimtareve të Rumanisë në vitin 2003. Patjetër se kontributi i Micacos ka qenë shumë i çmuar, sepse ai, bashkë me prof. Grigore Brancush, ka dhënë përkthime të përsosura nga letërsia shqipe në vitet ’50 – ’60.

Çfarë ka ndryshuar në letërsinë rumune pas marrjes së Nobel-it nga  Herta Muller. Çfarë i jep Nobeli një letërsie?

Sinqerisht, mund të them se s’ka ndryshuar asgjë. Që atëherë, Herta Muller ka vizituar Rumaninë disa herë, ka mbajtur konferenca, librat e saj u përkthyen me shumë sukses, por prapëseprapë letërsia rumune mbeti po ajo. Vepra e saj përshkruan shoqërinë rumune në kohën e Çausheskut dhe mund të jetë më interesante për lexuesin gjerman, d.m.th. perëndimor, sesa për atë rumun. Nga pikëpamja ime kjo situatë është e shpjegueshme. Sido që të jetë, Herta Muller është një shkrimtare e rëndësishme dhe jemi krenarë se ajo ka lindur dhe u formua si intelektuale këtu në Rumani.