Ndryshe Historia Mbreti Zog shpenzoi 20 mijë napolona ari për dasmën dhe për 10-vjetorin...

Mbreti Zog shpenzoi 20 mijë napolona ari për dasmën dhe për 10-vjetorin e monarkisë

1463
4
SHPËRNDAJE

Raporti i Kuvendit për Thesarin e Shtetit, për mënyrën se si e përdorën arin Zogu dhe Hoxha

BLEDAR HOTI

dasma-e-ahmet-zogut-foto-e-rralleNë Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, është ngritur një komision i posaçëm për të verifikuar Thesarin e Shtetit nga viti 1938-1990. Komisioni i Verifikimit të Thesarit përbëhej nga nëntë anëtarë. Blerim Çela, kryetar, si dhe anëtarët me deputetë të forcave të ndryshme parlamentare, si: Shkëlqim Cani, sot ministër i Financave në qeverinë Rama; Gëzim Luli, Thoma Miço, Vehbi Gruda, Qemal Disha, Teodor Keko, Sami Kushta dhe Behadir Bakalli. Në raportin final të gjetur ekskluzivisht nga gazeta “Shqip”, bëhet e ditur se si kanë vepruar regjimet e ndryshme në Shqipëri, ai i monarkisë dhe komunist mbi Thesarin e Shtetit për gjatë 52 viteve. “Shqip” po boton dokumentin e firmosur nga të gjithë anëtarët.

Raporti i komisionit

Detyra tepër e rëndësishme që na u ngarkua për verifikimin e Thesarit të Shtetit, nuk mund të realizohej pa u kthyer prapa në verifikimin e dokumentacionit të viteve ‘30. Materiali, pasi u pa në komision, u konsultua me Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës së Shtetit, si dhe me Ministrinë e Rendit Publik.

Gjatë punës sonë patëm disa vështirësi si: 1. Dokumentacioni i arkivit të MPM nuk u kontrollua plotësisht, pasi u ra dakord midis dy palëve që të mos shihej gjithçka, për shkak të ruajtjes së sekretit të punës operative të MPM. Pasi u lexua në MRP i gjithë materiali dhe u panë mospërputhje shifrash për arin e dorëzuar në Thesar, u ra dakord që të jepej i gjithë dokumentacioni për verifikimin e komisionit dhe personave që do të ngarkojë ky komision me vendim të Parlamentit. Procesverbalet që na u vunë në dispozicion nga MRP-ja ishin me komision të njëanshëm, meqë nuk kishin firmën e të sekuestruarit, por vetëm firmën e oficerëve ose policëve të ish-MPM, çka nuk mund të pasqyrojë realitetin, sepse procesverbalet e njëanshme janë të kundërligjshme, ndërsa ato të dyanshmet janë të sakta dhe të ligjshme. Këto që përmendëm janë tepër të rëndësishme për të nxjerrë në dukje enigmën e arit shqiptar e që me dokumentacionin që grumbulluam e përpunuam, do t’i argumentojmë më poshtë; që sasitë e arit të sekuestruara e të stolive e metaleve të çmuara nuk janë pasqyruar realisht dhe nuk janë derdhur në Thesarin e Shtetit.

Por nuk jemi në gjendje të argumentojmë se sa ar nuk është futur në thesar dhe se ku ka vajtur ai.

2. Dokumentacioni i Arkivit të Shtetit u kontrollua nga revizorët e Ministrisë së Ndërtimit, të cilët kanë përballuar një volum pune tepër të madh prej mijëra faqesh e sidomos të koklavitur, për të cilin ndihmuan shumë dhe punonjësit e Arkivit të Shtetit.

3. Si në Thesarin e Shtetit, ashtu dhe në arkivin e MPMBr mungojnë respektivisht dokumentet kontabile e procesverbale të viteve 1946-1952 dhe 1945-1946, kur dihet që këto kanë qenë ndër vitet më të rëndësishme të sekuestrimeve. Për këto vite jepet një shifër totale që nuk dokumentohet se nga vjen e në ç’sasi.

4. Për të sqaruar problemin e sekuestrimeve, meqë procesverbalet kanë qenë të njëanshme, u dha njoftim në datë 03.07.1991 në radio, TV e shtyp, që personat e sekuestruar të sjellin një dëshmi, dokumente e deklarata për arin që iu mor forcërisht nga pushteti komunist. Në fakt, kanë ardhur rreth 90 vetë në një kohë që janë sekuestruar 1700.

5. Në datën 11.07.1991, i kërkuam Ministrisë së Rendit Publik dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, që të na vihen në dispozicion dokumentet e nxjerra nga dosjet gjyqësore për sekuestrimet e arit. Gjykata e lartë na u përgjigj se nuk disponon dosje të tilla, ndërsa Ministria e Rendit Publik, na i vuri në dispozicion (aq sa pa ajo të arsyeshme për mosnxjerrje sekreti dhe me shkresën nr. 196/2, datë 5.XI.1991 na dha disa dhjetëra dosje me qindra mijë fletë e procesverbale të njëanshme, siç e përcaktuam më lart.

6. Në muajin shtator të vitit 1991, përfundoi akt-kontrolli i dokumentacionit të Thesarit, nga i cili rezultojnë kalime ari nga Thesari për ministritë e ndryshme pa përcaktuar qëllimin e kalimit të këtyre sasive. Me shkresën nr. 1353, datë 19.9.1991, u kemi kërkuar ministrive të na jepnin përgjigje me dokumente se për ç’arsye është përdorur ari prej tyre. Asnjë ministri nuk na u përgjigj, përveç Ministrisë së Rendit Publik dhe SHIK-ut në datën 10.10.1991, ku thonë, se në dokumentet që janë njohur edhe nga Komisioni i Thesarit, nuk gjenden dokumente që bëjnë fjalë për tërheqje ari. Për tërheqjet që Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë në Thesarin e Shtetit, thuhet në shkresën e tyre, se nuk jemi në gjendje të bëjmë verifikimin e shpenzimeve, pasi afati i ruajtjes së dokumenteve financiare ka qenë 10 vjet.

7. Ne si komision (pamë me sytë tanë) Thesarin e Shtetit në Tiranë. Në vendet e tjera, ku ky thesar ruhet nga organet e Punëve të Brendshme, nuk shkuam. Në Drejtorinë e Thesarit na u tha që dokumentacioni për sasitë e thesarit të vendeve të tjera të fshehta ndodhet pranë asaj drejtorie, e cila na dha vetëm shifrën totale në ton të arit e argjendit më 31.12.1990. Pra, siç shihet, vështirësitë e zgjidhjes së enigmës së arit janë të mëdha, por ne me ato dokumente që na u vunë në dispozicion dhe duke përdorur deduksione logjike e ekonomike, do të pasqyrojmë gjithçka mundëm të evidentojmë për sqarimin sadopak të këtij problemi madhor. Në vitin 1922, u ngarkua nga Lidhja e Kombeve të Bashkuara profesori Kalmes për t’i paraqitur një raport të hollësishëm Komisionit Financiar të Lidhjes, ku, midis të tjerave, thuhej: “Shqipëria posedon një stok të rëndësishëm metalesh të çmuara të vlerësuara nga 50 milionë deri në 100 milionë franga ari, pa marrë parasysh arin e investuar në stoli. (Dosja nr. 2 e fondit të Bankës së Shtetit).

faksimile-1E njëjta gjë konfirmohet në librin e financës dhe kreditit të RPSH-së, ku thuhet se në atë kohë (vitet 1922-1925) në Shqipëri, pa përfshirë stolitë, kishte në qarkullim e në Thesar 100 milionë franga ar, përveç që nga të mërguarit dërgoheshin 6 milionë dollarë në vit. Po të konvertojmë minimumin e këtyre monedhave, që janë 50 milionë copë me peshën në gram të çdo cope, del se në Shqipëri ka pasur 320 tonë ar. Më 31.12.1933, sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit, në Shqipëri kishte në thesar 12 165 000 franga ar kartëmonedhë që mbulohej nga 7225 mijë franga ar ose 361 mijë napolona flori, baras me 2,3 tonë ar, që do të thotë se çdo frang ar kartëmonedhë mbulohej me 59% ar metalik. Banka Kombëtare shqiptare, mbajti një sasi më të vogël monedhe në qarkullim sesa e kërkonin nevojat e vendit, duke e justifikuar me pretekstin e sigurimit të monedhës. Si pasojë e kësaj politike deflacioniste, u ndie vazhdimisht mungesa e parave në qarkullim dhe u rrit artificialisht fuqia blerëse e frangut letër. Kjo vërtetohet me bilancin e vitit 1938, ku nga 12 165 mijë franga ar kartëmonedhë në vitin 1933, më 31.12.1938 kishte në qarkullim 10 529 mijë franga ar letër që mbulohej nga 7 574 mijë franga ar të konvertuara me kursin 1 napolon me 20 franga ar, del 378 mijë napolona flori ose 2,4 tonë thesar ose 71% mbulim. Si pasojë e kësaj politike, u nxit dalja në qarkullim e në treg e arit dhe argjendit, i cili u tërhoq nga Banka Kombëtare dhe u vendos në Itali. Gjithashtu në atë periudhë u ndoq një politikë e kufizuar krediti nga Banka Kombëtare, e cila lejoi që kreditori kryesor në Shqipëri të mbetej fajdexhiu, që shfrytëzonte popullin duke dhënë kredi (ose para me fajde) me interesa tepër të larta. Në atë periudhë fshatarësia u diskriminua e u varfërua nëpërmjet një politike çmimesh tepër të ulëta për produkte bujqësore e blegtorale që nuk stimuluan rritjen e tyre e të zhvillimit të bujqësisë në tërësi. I njëjti fenomen u vërtetua edhe gjatë viteve të pushtetit komunist e për fat të keq edhe tani, ç’ka pengon zhvillimin e bujqësisë dhe nuk ndalon eksportin e paligjshëm të prodhimeve bujqësore e blegtorale veçanërisht në Greqi, ku çmimi i blerjes së tyre është shumë më i lartë se në Shqipëri. Liberalizimi i çmimeve të këtyre prodhimeve sipas kërkesës së tregut dhe rritja e pagave të punonjësve në proporcion të drejtë me rritjen e indeksit të çmimeve bujqësore do të nxisë prodhimin në fshat, të mbushë tregun pa prekur nivelin e jetesës së qytetarëve.

Përveç 2.443 kg ar që mbulonte 12 165 000 franga ar kartëmonedha në Shqipëri e që kjo sasi ari ndodhej në Itali, në duar të popullatës kishte sasi të konsiderueshme ari, një pjesë e të cilit u thith nga mbreti Zog me uljen e fuqisë blerëse të lekut shqiptar. Kështu, 20 franga ar letër ishte e barabartë me 100 lekë, ndërsa një napolon ar ishte i barabartë me 99 lekë. Populli dhe tregtarët kishin më tepër leverdi në atë kohë kthenin napolonin ar në franga ar letër.

Me aktin nr. 7866/2, datë 23.10.1937, ishte çelur pranë Bankës Kombëtare lokale, për llogari të oborrit mbretëror të mbretit Zog: “Llogari relative e pafrytshme metal-ar në roje”, në të cilin herë pas here futeshin dërgesa ari prej të ardhurave doganore nga kursi më i ulët i këmbimit me kartëmonedhë. E gjithë sasia e arit e depozituar në këtë llogari që nga 23.10.1937 e deri më 05.02.1939, zë shumën 643 535 franga ari e barabartë me 32 426 napolona ari, ose 209,2 kg ar. Prej këtyre janë përdorur 200 mijë franga ari ose 20 000 napolona ari që u shpenzuan nga mbreti Zog me rastin e martesës së tij dhe me kremtimin e 10-vjetorit të monarkisë. Mbetja prej 448 535 franga ari sipas deklarimeve të ish-ministrit të Financave, Kol Thaçi, ishin për llogari të mbretit Zog. Me autorizimet, 2031/65 dhe 2031/79, përkatësisht të datave 31.03.1939 dhe 03.04.1939 të ish-ministrit të Financave, Kol Thaçi, u tërhoqën nga Banka monedhat në depozitë prej 448 535 frangash ari, me urdhër që të mbaheshin të gatshme kundrejt një kërkesë të papritur që mund të bëhej nga mbreti Zog. Në mbrëmjen e datës 6 dhe përfundimisht në mëngjesin e datës 7 prill 1939, me urdhër të ish-ministrit Kol Thaçi, e gjithë sasia prej 448 535 frangash ari t’i dorëzohej në dorë vetë mbretit Zog. Ja si e përshkruan drejtori i Thesarit, z. Kel Naraçi, në relacionin nr. 73/1, Prot. datë 05.06.1939 grabitjen e arit nga mbreti Zog: I nënshkruari (Kel Naraçi) dhe arkëtari i përgjithshëm, z. Ramadan Berberolli, pritshin në zyrë sipas telefonatës së ish-kryeministrit. Mbas pak minutave arriti në bankë një automobil i pallatit i shoqëruar nga dy ushtarë e një toger i gardës i quajtur Selim Gjoçi, i cili me një sjellje të ngutur e prepotente ftoi nënshkruesin (Kol Naraçi) dhe arkëtarin e përgjithshëm, z. Ramadan Berberolli, që ta shoqëronin deri te mbreti Zog me të gjithë gjendjen e monedhave të arit që u nxor nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoçi e u fut në çanta në sasinë e treguese më sipër (448 535 franga ari)…

Vijon nesër

  • Dardan

    Artikull mashtrues!

  • gjergji

    shkruani per enver hoxhen qe masakroi ne menyre cnjerzore 6mije shqiptare edhe fashistet bashke nazistet 4mije plus shiti kosove e cameri -pa puna zogut dihet ne historine europiane edhe ne shqipni as te mos e vlersojne por edhe te mos e deklasojne sic shkruajne historianet europiane —-

  • ricky2009

    akoma me ket tradhtar merreni ju! ky eshte nje figure e djegur qe i dhuroi Jugosllavise Shen Naumin dhe malesin e Vermoshit. aq me keq qe erdhe ne fuqi me ndihmen e ushtris serbe qe masakruan shqiptar.

  • @@@

    shikoni anetaret e komisionit ish klyshet e enverit, dhe caniiii