Kompanitë po kërkojnë zgjidhje për t’u shpëtuar kohëve të vështira, siç është inovacioni i produkteve dhe shërbimeve
Situata ekonomike në përkeqësim në Evropën Qendrore në 2013-n, e kombinuar me një pasiguri gjeopolitike në rritje, ka sjellë, stanjacion dhe rënie të të ardhurave për shumë nga kompanitë më të mëdha të rajonit.
Rritet numri i kompanive të Evropës Qendrore, që për të tretin vit radhazi kanë raportuar rënie të të ardhurave të tyre, duke reflektuar ngadalësimin ekonomik të rajonit. Ndërkohë që rezultatet e kompanive në tremujorin e parë të vitit 2014, tregojnë nëse për një numër të madh të tyre, stanjacioni është transformuar në rënie konkrete.
Këto janë vetëm disa prej gjetjeve kryesore të edicionit të tetë vjetor në raportin e Deloitte CE Top 500, që paraqet një përkeqësim gradual ekonomik dhe të situatës së biznesit në Evropën Lindore, që në fakt lë pak vend për optimizëm lidhur me panoramën financiare të kompanive më të mëdha gjatë muajve të ardhshëm.
Përtej situatës së zymtë, raporti i Deloitte, vëren arritjet e biznesit në rajon. Tashmë ekonomitë e rajonit, po lënë pas fokusin tek krahu i lirë i punës dhe po shndërrohen në ekonomi të bazuara tek dija, gjë që nxit inovacionin.
Kompanitë e rajonit po fokusohen gjithnjë e më shumë në inovacionin e produkteve dhe shërbimeve për të tërhequr investimet e nevojshme. Këto praktika pozitive në terma afat gjatë, do të kenë ndikim në shumë këndvështrime të konkurrencës dhe pozicionit në treg të tyre.
Për të tetin vit, Deloitte zhvilloi një analizë të 18 kompanive më të mëdha të Evropës Qendrore dhe Ukrainës (500 kompani, 50 banka dhe 50 kompani sigurimesh). Të ardhurat e të gjithë kompanive në Renditjen Top 500, arritën në 712 miliardë euro, që përfaqësojnë një ulje prej 0,4 % (3 miliardë euro) krahasuar me rezultatet e vitit 2012. Stanjacioni i të ardhurave mesatare, u vu re në të gjithë rajonin, duke sjellë rënie nga rritja mjaft e frytshme prej 3,3 % e vitit të kaluar.
Afro gjysma e kompanive të analizuara nga Deloitte, shënuan rënie të të ardhurave. 227 nga 500 kompani raportuan rënie të të ardhurave për vitin 2013. Situata është përkeqësuar dukshëm në tre vitet e kaluara, ndërsa në vitin 2010 vetëm 97 kompani shënuan rënie të të ardhurave.
Sipas renditjes së Deloitte, situata e paqëndrueshme në Ukrainë dhe sanksionet më të fundit ekonomike, mund të kontribuojnë në një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve ekonomike të rajonit, që do të rezultojë në një rënie të mëtejshme të kompanive më të mëdha të Evropës Qendrore.
Industria përpunuese shënoi rritjen më të madhe të të ardhurave në vitin 2013, me afro 3%, rritje që u ndihmua nga kushtet e mira të industrisë së makinave. Gjatë vitit të fundit, mjaft kompani globale nga ky sektor, investuan në Evropën Qendrore (duke përfshirë Rumaninë, Sllovakinë, Poloninë dhe Hungarinë). Gjithashtu, industria e makinave u ndikua pozitivisht nga rritja e eksporteve.
Sektori i të mirave të konsumit u rrit vetëm me 1,1%,,ndërsa në 2012, kjo rritje ishte 4,8%.
Industritë TMT (teknologji, media dhe komunikim), prej disa vitesh tashmë janë prekur nga rënia e të ardhurave mesatare (në vitin 2013 shënoi -4.9 %). Sektori me rënien më të madhe për të dytin vit radhazi, është pasuria e patundshme dhe industria e ndërtimit (-15.7 %).
Deloitte analizoi gjithashtu industritë e bankave dhe sigurimeve. Në vitin 2012, asetet totale të 50 bankave më të mëdha, u rritën me 2.8 %, ndaj një rritjeje prej 6.6 % në vitin 2012. 29 institucione financiare raportuan një rritje në asete (një vit më parë: 37).
Rritja mesatare për 50 bankat, arriti 1.3 % në ngadalësim nga rritja e vitit të kaluar prej 4,9 pikë përqindjeje. Sikurse edhe vitin e kaluar, përfaqësimin më të lartë mes bankave, e ka Polonia, me një pjesëmarrje prej 30 për qind, ndjekur nga Republika Çeke dhe Hungaria, me 14 për qind.
Në vitin 2013, rënia mesatare në primet e shkruara bruto për tregun e sigurimeve, arriti në 0,8 për qind. Që do të thotë një rënie e mëtejshme krahasuar me vitin 2012. Shuma e primeve të shkruara bruto të refuzuara nga kompanitë e përfshira në renditje, ra me 3%, që reflektoi edhe stanjacionin e sektorit.
4 shtator 2014 (gazeta-Shqip.com)