Kulturë Myslimanët shqiptarë, “në anën e gabuar të historisë”

Myslimanët shqiptarë, “në anën e gabuar të historisë”

2809
SHPËRNDAJE

“Pax Albanica” / Libri gjendet në të gjitha libraritë nga shtëpia botuese “Saras”, shkruar nga analisti Mustafa Nano. Dy figurat kryesore të inteligjencës shqiptare dhe kujtesës sonë historike, Faik Konica dhe Fan Noli, vijnë në një analizë ndryshe, mbi qëndrimin e tyre ndaj feve

Fan Noli: Shqiptarët, armiqtë e mi të mëdhenj

Myslimane duke falur NamazinRaporti historik i shqiptarëve me besimin, është një element i rëndësishëm në rishkrimin e historisë. Historia e marrëdhënieve me fenë është po aq e rëndësishme sa rënia apo ngritja e qeverive, ndryshimet ekonomike dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë në jetën e një vendi. Debatet mbi identitetin e shqiptarëve ndoshta e kanë fillesën pikërisht në mungesën e një njohjeje të thellë të raporteve fetare apo origjinës fetare. Shkujdesja historike që ne kemi pasur ndaj fesë, ka sjellë mungesën e një profili të shqiptarëve në rajon, duke marrë etiketime vetëm nga të huajt, të cilët kanë shkruar sipas ndjesive të situatave në të cilën janë gjendur në vendin tonë. “Pax Albanica”, libri me autor analistin Mustafa Nano, i cili ndodhet në të gjitha libraritë nga shtëpia botuese “Saras”, jo vetëm jep një përshkrim historik të qëndrimeve që shqiptarët kanë mbajtur me besimin, por edhe ngre pyetje mbi çështje të rëndësishme në këtë drejtim, duke i parë fetë në një kontekst tjetër, ashtu si vendet perëndimore i kanë parë në historinë e zhvillimit të tyre. Duke ngritur pyetje mbi të shkuarën, Nano analizon dhe bën një parashikim të së ardhmes, nisur nga zhvillimet aktuale mbi besimet në vend. Nano fton ta lexojmë siç duhet historinë tonë, për të mbajtur mbi supe peshën që na takon, e ta njohim më mirë veten. Me tërheqjen e tij ndaj historisë, dhe me përgjegjësinë e një shqiptari (duket që venat e shqiptarit në shkrimin e tij), Nano bën me këtë libër aktin e parë që duhet ta bëjnë katedrat e historisë, një analizë të thellë që na çon në brendësinë e identitetit tonë, shpeshherë të keqkuptuar dhe të tjetërsuar ndër shekuj. Libri, i cili lexohet plot ëndje bashkë me estetikën e shkrimit, dhe forcën burimore, na njeh dhe me anë të panjohura të personazheve të njohura të kujtesës sonë historike, me dy shqiptarë të mëdhenj të dashuruar pas vendit të tyre dhe pas shkrimit, siç janë Faik Konica dhe Fan Noli. Më poshtë po botojmë disa pasazhe nga libri, ku Nano flet për këto dy figura, që ashtu si fetë ende nuk e kanë profilin e duhur në botimet shqipe.

 

Intelektualët myslimanë antimyslimanë

(Pjesë nga libri)

Ndonëse kujdesi në trajtimin e çështjes së fesë apo të feve, në Shqipëri, ka përbërë një konstante të sjelljes publike të njerëzve të elitës e të kulturës shqiptare, “njerëzit e prapë” nuk kanë munguar. Në çdo kohë, qysh në krye të herës, ka pasur nga ata që nuk u kanë bërë dot ballë momenteve të lodhjes prej elegancës e skrupujve, dhe kanë shpërthyer. Faik Konica nuk e fshihte një si parehatí të tijën për shkak të myslimanëve. Në të shumtën e rasteve, ai e mbante “dufin” përbrenda, por kish momente që shpërthente, dhe me siguri ka menduar se e kish këtë të drejtë, si mysliman që ish. Hm! Mysliman i thënçin pasi, në të vërtetë, përveç origjinës dhe emrit (Faik është një emër me origjinë arabe, më saktë Faiq dhe do të thotë ‘i shkëlqyer’), ai nuk kishte asgjë myslimane në qenien e vet.

Është spekuluar shumë lidhur me identitetin fetar të Konicës. Fakti që ai ka lindur në një familje myslimane nuk ha fare diskutim, e prandaj të vjen çudi se si miku i tij, poeti francez, Guillame Apollinaire, ka shkruar për të se “[ka lindur] në një familje që ka ruajtur besimin katolik”; nuk merret vesh se nga e ka nxjerrë këtë xhevahir. Ndonjë tjetër ka mbrojtur tezën se ai është konvertuar në vitin 1895 në katolik, madje është pagëzuar, ka marrë emrin Domenic, mirëpo Konica vetë, edhe pas këtij momenti, jo vetëm që nuk ka folur kurrë për konvertimin e vet në fenë katolike, por ka vijuar të shkruajë me gjuhën e një ateisti nervoz. “Më vjen për të vjellur nga çdo fe”, thosh ai në një shkrim të vitit 1897, d.m.th. dy vjet pas konvertimit putativ në fenë katolike.

Po, është e vërtetë që për fenë katolike ka shprehur në një numër rastesh simpati, është e vërtetë që ka shkruar se “pjesa katolike e popullit shqiptar ka rrëfyer, nën zgjedhë të sulltanëve, më tepër forcë shqiptarësie se pjesët e tjera”, që ka kujtuar se në vitet e shkollës në Francë “e vetmja çlodhje e tij ish të shkonte e të dëgjonte muzikën e bukur të orgut në kishën katolike”, që nuk ka lënë rast pa thënë se katolicizmi ka qenë feja e shqiptarëve përpara se “këta të mposhteshin nga shpata e turkut”, që ka cituar dokumente serbe që thonë se deri në shekullin XVII feja katolike quhej nga ballkanasit “feja shqiptare” etj., etj., por për fenë “e vet” katolike as që ka nxjerrë zë. Askush nuk do të skandalizohej, nëse do të dilnin në shesh fakte që do të provonin se Faik Konica është konvertuar në katolik (përkundrazi, do të ishte një gjë logjike), por puna është se dëshmi e fakte të tilla mungojnë. Emri Faik Domenic Konica në fund të ndonjë letre dërguar të tjerëve nuk është provë. Është thjesht një pseudonim. I vetmi që ka lënë disa rreshta lidhur me katolicizmin e Konicës, siç thashë, është Apollinaire-i, por ky flet për një origjinë katolike, gjë që është një mufkë e gjysmë, e jo për konvertimin në katolik.

Konica ka qenë i marrosur pas Perëndimit, megjithatë. “[Shqipëria] ndodhet n’Evropë dhe nukë munt të rrojë përveç në u sjelltë pas parimeve evropiane”, shkruan ai, dhe kësaj ideje i vjen rrotull pa u lodhur. Ai është i vetmi që mbron në vijimësi, pa i tradhtuar asnjëherë, vlerat perëndimore të kohës së vet. Qysh në vitin 1898, në një shkrim të “Albania”-s të nënshkruar me emrin Hasan Aga, ai merr në mbrojtje të drejtat e “çupave në Shqipëri, [të cilat janë] në një robëri të çuditëshme, [sepse] jipen në njerëz që as i duan, as i njohin, as i kanë parë”. Në një shkrim tjetër, në vitin 1904, ai flet “për liriën vetore, e cila është e para e liriëve në një komb”, flet për lirinë e grave për të veshur petkat që duan, flet për lirinë e besimit, të mendimit, të veprimit etj. Është fjala për shkrimin me titull “Liria vetore”, të publikuar në vitin 1904 e që mund të cilësohet si shkrimi që përuron erën e liberalizmit politik në historinë e Shqipërisë; për aq sa kjo erë ka fryrë e fryn këtyre anëve.

Faiku është më i zëshmi ndër pionierët e kulturës shqiptare, të cilit i dilte pasioni për Perëndimin nga poret, por duhet thënë se elita kulturore në përgjithësi ka qenë prore e dhënë pas Perëndimit, duke krijuar një distancë të madhe me pjesën më të madhe të popullit të vet. “Vërej se në Shqipëri ka një kontrast që të bie menjëherë në sy ndërmjet gjendjes fizike e morale të elitës dhe asaj të popullit; elita qëndron shumë lart, populli shumë poshtë”, ia bën Justin Godart. Dhe shton: “Kjo mund të jetë shumë e rrezikshme, nëse nuk bëhet asgjë për popullin, mjerimi i të cilit më vret në shpirt”.

“Lamë të thahen burimet e llagarta që zienin brenda në shpirtin e stërgjyshërve t’onë primitivë dhe preferuam ujët e turbulltë e të rërtë të beduinëve të shkretëtirës”, ia bën Branko Merxhani. Dhe është nga herët e pakta që ai i jep munxët me tërsëllëm fesë myslimane, duke e kallur me pahir në një si garë “të pabarabartë”, ku asaj i duhet të masë forcat me ca “burime të llagarta stërgjyshërish”. Merxhani ishte ateist, dhe si zor që te “këto burime të llagarta” të shihte fenë e krishterë. Gjasat janë që ta ketë fjalën për kohët kur stërgjyshërit tanë adhuronin hyjnitë e tyre pagane. Safet Butka, personazh nga më interesantët në historinë tonë të shekullit të kaluar, vetëvrasjen e të cilit në vitin 1943 e kanë interpretuar tek-tuk si një gjest tragjik të bërë nën motivime patriotike (“Vrau veten për të mos parë me sy vëllavrasjen e përgatitur nga komunistët, e për të mos përlyer duart e tij të pastra me gjak shqiptari” ka shkruar në të nxehtë Mit’hat Frashëri), ecën në të njëjtët binarë, kur vjen puna te qëndrimi ndaj fesë islame. Një shkrim polemik me dijetarin mysliman, Hafiz Ali Korçën, Butka e mbyll duke thënë se “udha jonë [është e qartë]: Jo myslimanizmit e Orientit, po shqiptarizmit e Oksidentit”. Ndërsa publicisti Selim Shpuza, në një shkrim të publikuar në vitin 1936, është me idenë se perçja që mbajnë gratë myslimane, është çnjerëzore, pengon zhvillimin e femrës, forcon konservatorizmin edhe ndër të krishterët, pengon zhvillimin e fshatit, i turpëron shqiptarët në sytë e të huajve …. “Ndodhemi në mes të Europës e kështu anakronikë siç jemi, pa bamë reformat e duhuna, nuk kemi të drejtë të marrim pjesë në kolektivitetin e kombeve të qytetnuem.” E në një rast tjetër, ai bën polemikë me “Zanin e Naltë”, që “me frymëzimin e ideve konservatore e kundër kombëtare” po bën çmos që “Shqipëria të mos arrijë kurrë në gradën e popujve të lirë e të qytetnuem”. Zavalani (Tajar) është në të njëjtën frekuencë: “Një nga mbeturinat e botës së vjetër është ferexheja që mbulon gruan myslimane …. Zotërinjtë e ‘Zanit të Naltë’ duhen të na provojnë pa qeshur se ferexheja nuk e pengon qytetërimin e gruas myslimane”. Të bën përshtypje fakti që edhe Zavalani, edhe Shpuza e kanë me organin zyrtar e përfaqësues të myslimanëve, dhe të vjen pak çudi, pasi “Zani i Naltë” ish një revistë më e hapur sesa mund të mendohet e sesa mund të ish. Në mos, ish një revistë që e kapërcente dukshëm, tek-tuk edhe e sfidonte, komunitetin mysliman në tërësi. Por për këtë do të flas më poshtë.

Një Frashëri tjetër, Mehdiu, fillimisht funksionar osman (kur ishte, sipas H. Kaleshit, mytesarif në Samsun të Anadollit, ka gjetur kohë të shkruajë në turqisht edhe një libër me natyrë juridike mbi kapitulacionet e huaja të Perandorisë Osmane, gjë që tregon se ish qysh atëbotë, përveç të tjerash, edhe një njeri i penës e një intelektual me interesa të shumta) e më pas dinjitar i shtetit shqiptar, ministër e Kryeministër, e në fund anëtar i regjencës naziste, bënte pjesë tek ata mendimtarë shqiptarë që gjithë të këqijat e Shqipërisë i shihnin te feja islame, dhe këtë gjë – siç vëren Roberto Morozzo della Rocca – “e kish shprehur në një varg artikujsh në shtypin e regjimit gjatë viteve 1928-‘29”. Dhe Morozzo della Rocca nuk mund të mos nënvizonte “prejardhjen myslimane” të tij.

Në librin “Probleme shqiptare” të publikuar në vitet e Luftës II Botërore, me një penë të vrazhdë e gërryese, Mehdiu derdh një mllef që mbetet unikal në kulturën shqiptare. Ai është me siguri myslimani më antimysliman në historinë e shekullit të kaluar. Pasi flet për “luftërat e rrepta të Skënderbeut në emër të krishterimit e për mbrojtjen madhështore të qytetërimit europian”, për “barbarizmën aziatike” etj., ai hedh një vështrim historik e analitik mbi qytetërimin islam, thekson lavdinë e këtij të fundit për disa shekuj me radhë pas vdekjes së Pejgamberit, e pastaj vyshkjen e këtij qytetërimi; thekson gjithashtu se në skenën e historisë doli një qytetërim më i lartë, që kish themele të forta, “Athinën, Romën e Jerusalemin”, një qytetërim që çmonte artet, kulturën, shkencën, e që respektonte gjysmën e njerëzisë, femrën, që islami e kish robëruar, e në fund duket se i ka vrarë të gjitha ndërdyshjet, teksa pohon me gojën plot se problemi i Shqipërisë është islamizmi (Mehdi Frashëri “ka qenë me fat” që ka jetuar para Luftës II Botërore; sot, në kohët kur ligjërimi politikisht korrekt është shndërruar në një kriter etik të panegociueshëm, do të matej një mijë herë para se t’i shprehte këto qëndrime).

………………………………………………………………………………………………………………

Parantezë: Bëmë mirë a keq që e lamë fenë e të parëve?

Pas përmbysjes së komunizmit, në morinë e diskutimeve që janë rihapur në lëmë të fesë, është dhe ai që bëhet në përgjigje të pyetjes: Shqiptarët e kanë ndërruar fenë për të mirën apo për të keqen e tyre? Në këtë diskutim, të krishterët në veçanti e laikët në përgjithësi janë të mendimit se konvertimi në fenë islame ka përbërë një fatkeqësi të madhe ngaqë, në mos tjetër, na ka ndarë nga Europa, ndërsa myslimanët vetë e kanë parë këtë gjë si një profilaksi historike që na ka mbrojtur prej kombeve fqinje, grekëve në Jug e sllavëve në Veri që, përndryshe, do të na kishin asimiluar e zhbërë. Siç shihet, palët mbrojnë pikëpamje krejt të kundërta. E këtu duhet thënë se elita myslimane ka një version të ndryshëm mbi historinë e Shqipërisë në tërësi. Myslimanët flasin për dijetarë të tyre, për atdhetarë të tyre, për shkrimtarë të tyre, dhe bëjnë vlerësime alternative të ngjarjeve e personazheve të historisë sonë, por pjesa tjetër e shoqërisë, elita kulturore e opinioni publik “zyrtar”, që shkruajnë e lexojnë versionet laike, kombëtare, kombëtariste etj., të historisë, ose nuk kanë pasur fare ide mbi çfarë myslimanët mendojnë, ose nuk ua kanë vënë shumë veshin. Ashtu siç nuk ua kanë vënë veshin as pretendimeve të tyre mbi të mirat që na kanë ardhur prej konvertimit masiv në fenë islame. Syrja Vlora, i ati i Eqremit, shkruan në “Kujtimet” e veta, se “sikur shqiptarët të ishin ndarë nga Perandoria Osmane qysh para një shekulli, sikurse bënë të tjerët, sot përgjithësisht nuk do të kishin shpëtuar pa u përzier me botën greke e sllave”. Këtë e ka shkruar në vitet ‘930, në moshë të thyer, kur mendjen e kish të çliruar nga interesat e ambicia, e kur ish bërë kohë që shqiptarët jetonin më vete (“E ka shkrue me akull të kresë”, do thosh Gjergj Fishta në një rast të tillë). Dhe si bej që është, kërraba nuk mund të mos i tërheqë edhe nga vetja, më saktë nga soji i bejlerëve: “Shqipëria, në sajë të fuqisë së bejlerëve e të pashallarëve, shpëtoi nga humbja e kombësisë, dhe më e drejtë akoma, shpëtoi nga asimilimi nën ndikimin e kishave greke e sllave”.Në vitin 1902, në gazetën “Kalendari kombiar”, autori me emrin “Një korçar i krishterë”, shkruante se nuk ishte e vërtetë që myslimanizmi u kish sjellë vetëm dëm shqiptarëve. Sipas tij, myslimanizmi na ka vlejtur, ngaqë së pari, duke na ndarë me popullsitë fqinje, na ka ndihmuar të ruajmë traditat e zakonet tona, së dyti ka luajtur një rol vendimtar në dallimin shqiptar / grek apo shqiptar / sllav, së treti ka favorizuar shtrirjen e hapësirës shqiptare, e së katërti e ka mbajtur Epirin e Veriut (siç e quanin grekët) pjesë të pandarë të Shqipërisë. Ky “korçar i krishterë”, po të ishte gjallë sot, kish për të qenë një spin doctor i shkëlqyer, gjë që duket nga mjeshtëria e tij për ta qepur e kopsitur mirë një tezë të diskutueshme.

Në thelb, janë tezat e këtij “korçari të krishterë” që janë marrë e përsëritur më pas, o një nga një, o të tëra tok, nga të gjithë ata që kanë besuar se kombi shqiptar veç mirë ka pasur nga konvertimi masiv në fenë islame. Madje, argumenti i dytë që ai jep është parapëlqyer edhe nga historiografia jonë zyrtare. Selim Islami, autori i studimit me titull “Shqipëria përballë pushtimit osman”, që është përfshirë në “Historinë e popullit shqiptar” të Akademisë së Shkencave, shkruan: “Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave e greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu, islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike”.

Ata që e shohin ndryshe këtë punë janë më të shumtë, sigurisht, e mes tyre ka myslimanë të të gjitha kategorive. Në librin “Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane”, Nuray Bozbora flet për një letër që disa shqiptarë të Maqedonisë, që të gjithë myslimanë, i dërgojnë konsullit anglez në Shkup, në vitin 1903. Jep dhe emrat e shqiptarëve: Agap pasha, Hysen pasha, Myrteza pasha, Sulejman pasha, Ali Draga pashazade, Nexhip beu, Jusuf aga, Zenel beu etj. Dhe në këtë letër, këta të fundit, mes të tjerash, shkruajnë se “nga gabimet më të mëdha të shqiptarëve ka qenë kalimi i tyre masiv në fenë islame dhe si rezultat i presionit turk kanë mbetur injorantë”. Nuk është çudi që këtë pohim ta kenë bërë edhe për një interes a taktikë të çastit, por kjo ish, ndërkohë, një ide që pëshpëritej mes shqiptarëve, sidomos atyre të elitës kulturore e politike, në fillim të shekullit XX. Faik Konica, siç e thashë më sipër, ishte ndër të parët shqiptarë të traditës myslimane që i ka mëshuar kësaj teze, herë në mënyrë të troçtë e herë në mënyrë të tërthortë. Pas tij, edhe në shembullin e tij, kanë qenë të shumtë eksponentët e kulturës shqiptare gjatë shekullit XX, në kohë të ndryshme, që nuk e kanë fshehur se këtë punë e kanë parë po njësoj. Për studiuesin e ditëve të sotme, Piro Misha, që është marrë shumë me këtë temë, “kthimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve në islamizëm … është një ndër faktorët (ndonëse, pa dyshim, jo i vetmi) që shpjegojnë vonesën e krijimit të një ndërgjegjeje kombëtare krahasuar me popujt fqinjë”.

………………………………………………………………………………………………………………

Germat latine dhe princi i krishterë – çfarë sëkëlldie për myslimanët!

Ka dy rrethana, në të cilat është dukur se myslimanët shqiptarë kanë qenë haptazi në “anën e gabuar të historisë”, dhe si kriter i përcaktimit të anës së gabuar apo anës së duhur të historisë, merret edhe një frymë e kohës, në të cilën janë verifikuar këto rrethana, edhe një opinion mainstream që ekziston lidhur me to. Rrethana e parë është Kongresi i Manastirit, ku vendimi në favor të alfabetit latin u mor edhe nga myslimanët, të cilët përbënin 40% të delegatëve në atë Kongres. Por atëmot, më shumë sesa kontributi i disa veprimtarëve politikë e eksponentëve të kulturës me origjinë apo vokacion mysliman (kam folur më sipër për këtë kontribut), tërhoqi vëmendjen fakti tjetër, që një pjesë e myslimanëve në terren zgjodhën të mbështesnin, e të bëheshin palë me, të ashtuquajturin ancien régime. Nathalie Clayer flet për një deklaratë kundër alfabetit latin nga ana e një duzine deputetësh shqiptarë të Parlamentit të Stambollit, që u publikua në gazetën “Yeni Tanin”, më 11 janar 2010. Dhe jep emrat e deputetëve që e kanë nënshkruar atë reagim: Haxhi Aliu i Elbasanit, që më 1912 do të hapte dhe një gazetë, “Yurek”, me të cilën kish për synim të promovonte alfabetin arab, Seit Idrizi i Shkupit, Shaban Emini e Fuati të Prishtinës, Jahjai i Prizrenit, Rizai e Myrtezai, deputetë të Shkodrës, Mehmet Vasfiu, deputet i Manastirit, Mahmud Bedriu e Ahmet Hamdiu, deputetë të Pejës, Hasan Basriu, deputet i Dibrës etj. “Njëmbëdhjetë nga katërmbëdhjetë nënshkruesit ishin pra nga vilajeti i Kosovës e nga sanxhaku i Shkodrës; vetëm tre vinin nga sanxhaqet maqedonase e nga sanxhaku i Dibrës; asnjë syresh nuk ishte nga vilajeti i Janinës”, thotë Clayer. Një vit përpara se të bëhej kjo deklaratë, ish mbledhur një Kongres tjetër lidhur me alfabetin, në Dibër, madje me një pjesëmarrje shumë më të madhe sesa ai i Manastirit, por ku të krishterët ishin pakicë (katolikët e Shkodrës e refuzuan ftesën), dhe vendimi që u mor aty nën trysninë e xhonturqve shënoi një hap prapa. Sikur të mos ish për Haxhi Vehbi Dibrën, që u caktua të drejtonte punimet e atij Kongresi, punët do të shkonin më keq sesa shkuan. Sidoqoftë, ato nuk është se shkuan mirë: alfabeti për t’u përdorur u la si një optional për shkollat në gjuhën shqipe, e kështu u rikthye diskutimi mbi alfabetin.

Në janar të vitit 1910, në Manastir, në xhaminë Isakije, u mblodhën rreth 5 mijë myslimanë, fshatarë të rrethinave të Manastirit e të Ohrit, dhe aty dëgjonin ulemat që shpjegonin se përdorimi i alfabetit latin ishte në kundërshtim me ligjin kuranik. Si zor që ndonjërit prej tyre apo edhe të tjerëve, t’u shkonte mendja ato kohë se nja dhjetë më vonë, saktësisht më 1921, do të botohej Kurani në gjuhën shqipe, me germa latine. Përkthimin e ka bërë Ilo Mitkë Qafëzezi. Më vonë, më 1925, kreu i Komunitetit të Myslimanëve të Shqipërisë, (Haxhi) Vehbi Dibra, teksa kritikon një përkthim të Kuranit në gjuhën turke, gjen rast ta thotë të vetën edhe lidhur me përkthimin e Ilo Qafëzezit. Ai nuk ia përmend emrin këtij të fundit, por është e qartë se e ka me të: “Kurani në gjuhën shqipe që kam lexuar ca kohë më parë është përkthyer nga një gjuhë e huaj (jo nga arabishtja), se përndryshe nuk ka se si të ekzistojnë gjithë ato gabime të rënda e të mjerueshme”.

Ka qenë dhe Xhevat Korça, të cilit Noli ia ka mburrur studimin me titull “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut” (Fishta, në të kundërt, ia ka mbuluar me kritika), që nuk e ka pëlqyer hiç këtë përkthim të bërë – kështu thotë – nga një njeri që nuk ka asnjë njohuri mbi arabishten e që ka një njohje të keqe të anglishtes, nga e cila është marrë Kurani për t’u përkthyer. Madje, nuk ia pëlqen Qafëzezit as të folmen e Korçës, e cila ishte shqipja e përdorur për këtë përkthim. Për të bërë një përkthim të plotë të Kuranit, në një version serioz, s’ka gjë se me një shqipe xhelatinoze, do të duhej të vinte viti 1988. Ky përkthim është bërë në Kosovë. Nga Sherif Ahmedi.

………………………………………………………………………………………………………………

Parantezë: Ana “e errët” e Fan Nolit

FAN-NOLI-2Fan Noli, në një kohë që ende nuk e kish çuar në mendje të bëhej prift, i tërbuar që shqiptarët nuk jepnin asnjë kacidhe për të bërë të mundur financimin e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit, i thosh Thanas Tashkos: “Për kokën time, për miqësinë që kemi, nuk kam parë në jetën time kaq poshtërsi e kaq indiferencë në asnjë tjatër komb”. Ca muaj më vonë i shkruante botuesit të “Kombit”, se “sot për sot shqiptarët janë armiqtë [e mij] më të mëdhenj”. Ndërsa në një letër tjetër dërguar po Tashkos, pasi i thosh “të mos mundohej të gjente një shqiptar të vetëm që ta kish për nder ‘ndernë e Shqipërisë’, [pasi janë] të gjithë llafazanë të pakripshim, të gjithë zuzarë e egoistë të shtazët pa shije e të ndotur”, ia bënte: “Në mes të këtyre më hodhi Perëndia; gryka më është gjakosur dhe shpirti më është zhuritur, por si kryetar i egërsirave që jam, duhet t’i duroj me zemërgjerësi të sipërnatyrshme çjerrjet dhe thonjtë e kafshëve të vathës sime, lehjet dhe të kafshuarat e tyre, … vickëlat e veshgjatëve të ortodoksisë”. Vetëpëlqimi i Nolit ish i shpërpjesëtimuar. “Zbutuni pak bre derra, … [se] vetëm unë marr vesh nga këto punëra, unë jam Shqipëria. Po, më ka lezet dhe gjuha, bre, kur bëhem mukajet dhe flas. Dhe herë-herë më vjen ashtu t’i jap një të puthur vetëhesë”. Ia shkruante Thanas Tashkos këtë, dhe veç atij i zbrazej sa herë kish nevojë të llastohej, të merrte me të mirë vanitetin e vet e, siç thotë, t’i jepte të puthura vetes: “Ma ka thënë dhe nëna ime se natën para se të më lindte mua, Shenjtërinë time, Madhështinë time e Ndernë e Shqiptarisë, pa në ëndërr sikur lindi pesë njerëz menjëherë; e kur ma theshte nëna këtë gjë, unë ia ktheja se ‘jo pesë, moj nënë, por një tabor të tërë të armatosur linde’”. Vetëllastimi i Nolit mund të shihet sot si argëtues e si xanxë kalamajsh, por për atë vetë duhet të ketë qenë, e ky nuk është veç rasti i Nolit, një motivim bazë për të bërë gjithë punët që ka bërë. Dhe në këtë mes nuk ka ndonjë çudi. Qëllon shpesh që në themel të bëmave të mëdha, krahas talenteve, pasioneve e idealeve, madje përpara tyre, të gjenden motivime aspak të fisme. Dhe duhet thënë se në rastin e Nolit motivime kësodore kanë qenë të planit të parë. Mos po i bëj një goditje poshtë brezit? Hm, goditje të tilla poshtë brezit Noli “i ka hak” më shumë se gjithë të tjerët, ngaqë është ai që na ka mësuar, nëpërmjet veprës së tij “Beethoveni e revolucioni frëng”, se “për njerëzit e mëdhenj mund të thuhen të gjitha të zezat, pasi kjo gjë nuk e dëmton figurën e tyre”, dhe është mirë kur këta njerëz të mëdhenj “zbriten nga qielli në tokë e vihen në radhën e njerëzve”. Madje, është Noli që na thotë se për të kuptuar mirë se cilët kanë qenë njerëzit e mëdhenj, duhen lexuar letrat e tyre dërguar të tjerëve; në këto letra që janë shkruar me idenë se nuk do të publikohen asnjëherë gjendet personazhi i pacensuruar. Ka të drejtë, s’ke ç’thua! Zef Pllumi tregon në kujtimet e veta se një ditë, tok me Gjon Shllakun, teksa po shfletonin dokumente e letra të ruajtura në arkivin e françeskanëve, përpara syve u doli një si dosje me titullin “letërkëmbimi i Luigj Gurakuqit”; zunë ta hapnin dosjen, me idenë kureshtare për të shfletuar ndonjë gjë, dhe Gjon Shllaku thotë: “Shif djalë, sonte jemi tue zdeshë (zhveshur. M. N.) nji të dekun”.

Edhe Noli vetë nuk na shfaqet nëpërmjet asaj që thotë faqe botës aq sa na shfaqet nëpërmjet letërkëmbimit të tij. Nga ky letërkëmbim, midis rreshtave, marrim vesh se idenë për të ndërtuar një kishë ortodokse autoqefale të shqiptarëve ai e kish bërë të vetën edhe për arsye tepër praktike e banale, fjala vjen për të gjetur një vend pune që të ushqehej, që t’i kish hije, që t’i jepte një status e dinjitet e që t’i jepte mundësinë për të ecur në rrugën më të shkurtër për t’u bërë pjesë, më saktë koka, e stabilimentit politiko-kulturor shqiptar. Ai do të shndriste se s’bën në qiellin shqiptar, dhe këtë gjë më parë se të gjithë e dinte ai vetë. Ishte vetëm 25 vjeç kur iu fut kësaj aventure, dhe ndonëse ish kaq i ri në moshë, ai jetonte me idenë se nuk kish kohë për të humbur. Ka vuajtur shumë vitet e para në SHBA, ngaqë nga njëra anë donte të studionte pa fund e të merrte të gjitha diplomat e mundshme, e nga ana tjetër i duhej të mbante shpirtin gjallë. Zuri edhe të villte vrer kundër SHBA-së. “Shëmtirat e Bashkuara” thosh në një rast në vend të Shteteve të Bashkuara, ose “Botë e fëlliqur” në vend të “Botës së re”.

U lodh duke ia shtrirë dorën Sotir Pecit, e më pas, pasi u largua prej tij, nuk linte njeri, të njohur e të panjohur, mik e armik, pa ia qarë hallin mbi gjendjen e vështirë ku ndodhej. Thanas Tashkon e kish kishën më të afërt për t’u falur, por të njëjtën gjë ka bërë me Konicën (“Përpiquni të më ndihni, se jam keq nga të gjitha pikëpamjet”, i thosh në një letër andej nga viti 1933), madje edhe me Zogun në vitet ‘930, të cilit i drejtohej ‘Lartmadhëni’ e të cilit i kërkonte një rrogë a një pension, ngaqë “jetesa po i bëhej dita-ditës më e rëndë”. Nuk është çudi që edhe letërkëmbimin apo marrëdhënien e ngrohtë me Enver Hoxhën ta mbante gjallë veç për ta pasur si një atout në një ditë të nesërme të vështirë.

………………………………………………………………………………………………………………………….