SKIFTER KËLLIÇI 


– Pas intervistës së gazetarit Roland Qafoku, me Nexhmije Hoxhën –


Intervista e mësipërme ka pasur debate… Pro dhe kundër… Edhe nga bashkatdhetarë këtu në Amerikë. Arsyeja: Pyetjet duhej të ishin më të drejtpërdrejta, më të serta…


Më 5 janar të vitit 2007 një mik i imi, që merret me shkrime, vendosi të bënte intervistë me Ramiz Alinë. Gjeti numrin e telefonit dhe i telefonoi. Ramiz Alia me kënaqësi pranoi. Shoku im i kishte pyetjet gati, ndaj ia dërgoi në çast.


“Pas dy ditësh, – më shpjegoi shoku, – dëgjova zilen e telefonit. E ngrita dhe dëgjova një zë të trashë që më pyeste nëse isha unë autori i pyetjeve të intervistës. Kur pohova, më tha të prisja pak. Pastaj dëgjova zërin e hollë të Ramiz Alisë. Por të ftohtë, nervoz.


“Përgjigjet e intervistës i keni gati, – më tha. – Po jua dërgoj. Mund t’i botoni në çdo gazetë”.


U ula pranë kompjuterit. Disi i tronditur. Ç’të shoh? Ramiz Alia në vend të përgjigjeve, kishte bërë një himn për partinë dhe Enver Hoxhën, që e kishin nxjerrë Shqipërinë në dritë…”


Kur më pas shoku më shpjegoi ende i tronditur se ç’i kishte ngjarë, i thashë që të bënte, siç donte Ramiz Alia. Por ai tundi kokën në shenjë mohimi.


“Po sikur ai që kishte zërin e trashë të jetë ndonjë i… Sigurimit? – më tha?.


“Dhe ti këtu në Amerikë paske frikë nga ai?!” – ia krisa gazit.


Shoku nuk m’u përgjigj… Që nga ajo ditë kanë kaluar më shumë se 7 vjet… Intervista e mikut tim me Ramiz Alinë nuk u bë. Ngaqë pyetjet ishin ashtu siç duhet të ishin… Po ua rendis lexuesve:


 


***


-Zoti Ramiz, në intervista të fundit, dhe më parë, ju gjithnjë e keni cilësuar Enver Hoxhën si një personalitet të madh të Shqipërisë së shekullit XX, që ka bërë vetëm disa gabime. Kurse mbarë opinioni publik shqiptar dhe shtypi në përgjithësi e cilëson si pasues të denjë të Stalinit, pra, tiran, diktator, që burgosi, vrau e internoi pa faj me mijëra njerëz dhe ushtroi shtypje dhe dhunë të pashembullt për t’u mbajtur në fuqi.


Mendimi juaj tani?


– Kadri Hazbiu deri në çastet e fundit të jetës, më gjithë torturat çnjerëzore që provoi në trupin e tij, kurrë nuk e quajti veten armik. Ju ç’mendoni sot për të dhe anëtarët e tjerë të Byrosë që u pushkatuan pa ngurrim nga Enver Hoxha?


– Komploti në fushën ekonomike i Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Koço Theodosit, Abdyl Këllëzit, në bashkëpunim me Todi Lubonjën, Fadil Pacramin, në fushën e artit dhe kulturës… a nuk ishte një absurditet kriminal që lindi vetëm në kokën dhe mendjen e Enver Hoxhës?


– A ishte Nexhmije Hoxha bashkarkitekte në çdo vendim që merrte Enveri, ashtu siç del në shtyp dhë në librin e fundit të shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Fahri Balliu, “Zonja e zezë”?


– Keni kritikuar ashpër në diskutimin tuaj në Konferencën e Tiranës më 1956, diskutuesit që u ngritën për demokratizimin e mëtejshëm të Partisë në frymën e Kongresit XX të PK të B.Sovjetik, që vunë në dukje më të drejtë ndryshimin e dukshëm të kushteve të jetesës së udhëheqjes, më popullin të zhytur në varfëri. Po tani, a e ndieni se ç’krim kreu Enver Hoxha, duke i quajtur ata armiq dhe duke dënuar një pjësë të mirë të tyre me burgime dhe internime?


– Në disktutimin tuaj në Konferencën e Tiranës më 1956, jeni shprehur tekstualisht kështu: “Demokracia ka kufi. Është në interesin e Partisë derisa nuk preken interesat e saj. Por kur preket interesi i Partisë e të tjera, mendoj se nuk ka të bëjë me demokracinë e brendshme të partisë…” Pas kaq dekadash, ç’mendim keni për këto pohime rreth demokracisë?


– A ishte Konferenca e Tiranës komplot i kurdisur nga Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu në bashkëpunim më jugosllavët e sovjetikët, siç pohon Enver Hoxha, apo një trill i tij kriminal?


– Si e shpjegoni faktin që Enver Hoxha ju “ruajti” pas Festivalit të 11-të të Këngës në RTVSH më 1972 dhe e quajti armik Todi Lubonjën, kur ju e kishit parë dhe aprovuar këtë festival, qoftë edhe me ndonjë ngurrim të vogël?


– A jeni i bindur që Enver Hoxha kreu një akt tjetër kriminal duke dënuar Todi Lubonjën, Fadil Paçramin e plot shkrimtarë e artistë duke krijuar terror në letërsi dhe art?


– A është e vërtetë, siç është shkruar në shtyp, që i keni kërkuar Nexhmije Hoxhës që Enveri t’ju falte pas ngjarjeve të Festivalit të 11-të?


– A nuk ishte një çast historik viti 1978 kur, duke qëndruar e lidhur më Kinën, Shqipëria do të ecte shumë më përpara e ndoshta do të ishte sot diku aty në një nivel më Kinën që, me një Parti Komuniste në krye, po ndërton kapitalizmin duke u bërë një forcë e madhe ekonomike në botë?


– Duke u shkëputur edhe nga Kina dhe duke pretenduar se Shqipëria ishte tashmë vendi i vetëm në botë që ndërtonte socializmin, nuk e kuptonit se ajo, jo vetëm u vetizolua, por u shndërrua në një vend shumë të varfër, ku shumica e ushqimeve bliheshin me racion?


– Vërtet besonit që veprat e Envër Hoxhës, të përkthyera në shumë gjuhë të botës, lexoheshin dhe pëlqeheshin nga lexuesit, të cilët “frymëzoheshin” që edhe në vendet e tyre të ndërtohej e njëjta shoqëri që ndërtohej në Shqipëri?


– Në Radio Tirana, për botën e jashtme u shtuan plot e plot emisione në gjuhë të huaja, gjithsej 21, madje edhe suedisht dhe persisht dhe u bënë përpjekje që të transmetoheshin edhe në japonisht. Gjykonit se me anë të tyre dëgjuesit frymëzoheshin nga mësimet e Enver Hoxhës?


– Në Shqipëri vinin çdo vit grupe marksistë-leninistësh që madje kalonin pushimet që mbuloheshin me fondet e shtetit. Vërtet kishit besim se ato përbëheshin nga marksistë të vërtetë, kur shumica rezultoi se ishin aventurierë?


– Duke dënuar që nga viti 1946 shumë anëtarë të Byrosë Politikë të PPSH-së, a nuk dëshmoi Enver Hoxha së kjo kupolë u bë kuvendi i gjyqeve të pamëshirshme me anë të të cilave ai eliminonte ata që mendonte se rrezikonin pushtetin e tij?


– Pas vdekjes së Enver Hoxhës, a nuk mund të bënit një hap tjetër për ta shkëputur Shqipërinë nga vetizolimi, duke kërkuar rrugë elastike, sido që hija e tij ende ju rrinte e varur mbi kokë si shpata ë Demokleut?


– Si e gjykoni sot faktin që pas futjes së vëllezërve Popa në ambasadën italiane, në dhjetor të vitit 1985, me vendimet që morët, si Sekretar i Parë i PPSH-së dhe President i Republikës, shkaktuat të çara të mëdha dhe të rrezikshme me një shtet fqinj si Italia? Mendoni se keni bërë gabime në këtë drejtim?


– A nuk gjykoni sot se, po të kishit dashur të gjenit një gjuhë të përbashkët me politikanin gjerman, Shtraus më 1987, Shqipëria sot do të ishte shumë e zhvilluar dhe ju do të ishit madje edhe i nderuar?


– Në një mbledhje të Byrosë Politike, në verë të vitit 1990, keni shprehur habi kur keni parë qytetarë që ngriheshin në mesnatë për të blerë qumësht. Dhe ishte fjala për dy-tri shishe njëlitërshe. Nuk e dinit ju se populli vazhdonte të blinte artikuj ushqimorë në radhë dhe më tollona?


– Pas ngjarjeve në Rumani dhe pushkatimit të Çausheskut më 1989, parashikonit që edhe në Shqipëri do të ndodhte diçka e ngjashme?


– A nuk ju duket krejt pa vend që me shpalljen e pluralizmit, kërkuat që të shndërrohen në parti Organizata e Rinisë, Gruas, e Bashkimeve Profesionale, madje edhe Lidhja e Shkrimtarëve e ndoshta, siç thuhej me shaka atëherëë, edhe Shoqata e Gjuetarëve?


– Ta zëmë së në Europën Lindore nuk do të zhvilloheshin proceset demokratike që sollën shembjen e komunizmit? Ju do të vazhdonit të njëjtën rrugë që solli vetizolimin dhe varfërimin e Shqipërisë?


– A janë të vërteta ato që botoi gazeta “Dita Informacion” në muajin gusht të vitit 2005, të cilat, siç duket, janë nxjerrë nga fjala juaj në Byronë Politikë më 19 tetor 1989, ku ju pohoni: “Sistemi ynë ka kapitulluar, ndaj ne jemi të detyruar të ndryshojmë strategji, se do të lejojmë krijimin e partive të majta e të djathta, por që do të kontrollohen nga ne, se ne do të jemi përsëri në fuqi, se do t’u japim edhe kompensime në para të burgosurve… se do t’u japim edhe pasaporta që të ikin jashtë shtetit, se do të bëjmë një propagandë ekstreme kundër komunizmit, se ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë reforma që kapitalistët e ardhshëm të vendit të jemi ne etj., etj”.?


– A është e vërtetë gjithashtu, që keni studiuar një material që ju ka dërguar Gorbaçovi lidhur më këto synime?


– Përse monumenti i Stalinit u hoq gjatë një nate dhjetori të vitit 1990 dhe jo gjatë ditës?


– A e keni pasur më parë mendimin se Stalini është diktator, apo e keni krijuar këtë bindje tani?


– A nuk ishte e tmerrshme që për një fjalë goje Sigurimi i Shtetit të arrestonte nën akuzën sipas nenit famëkeq 55, për agjitacion dhe propagandë? Për shembull: “Eh more vëllezër, mbrëmë pashë një ëndërr sikur isha në Amerikë! Sa qejf kam bërë!”. Më këtë akuzë një qytetar u dënua me 7 vjet burg?


– Dihet se Sigurimi i Shtetit kishte rekrutuar rreth 200 mijë bashkëpunëtorë në tërë Shqipërinë, që kishin depërtuar deri në qelizat më të vogla të jetës, deri në familje. Në fakt, me ndonjë përjashtim të rrallë, shumica dërrmuese e këtyre bashkëpunëtorëve ishin shprehur, në një mënyrë a tjetër, kundër regjimit komunist, ishin spiunuar nga të tjerë, që edhe ata ishin shprehur kështu, ishin thirrur në zyrat e Sigurimit dhe atje ishin vënë para alternativës: “Ose bashkëpunoni me ne, ose dënoheni, sipas nenit 55 deri në 15 vjet burgim”. Dhe këta mjeranë, kundër dëshirës së tyre, kryenin këtë rol të pështirë që quhej “detyrë patriotike në shërbim të popullit dhe atdheut”. Kishit dijeni për këto metoda dhe nëse po, a morët masa si kreu i partisë dhe i shtetit që ato të hiqeshin?


– Si e gjykoni dënimin tuaj me burgim në periudhën e qeverisjes demokratike me akuzën për krime kundër njerëzimit? Të drejtë, apo të padrejtë?


– A nuk mund të merrnit disa masa që kushtet e tmerrshme të të burgosurve nëpër qeli a kampe përqendrimi të përmirësoheshin?


– A nuk ju duket mizore që klerikë të lartë, sidomos katolikë, vdiqën në burgje, kur ju edhe mund t’i lironit, pasi kishin kaluar përtej hekurave dhjetëra vite, siç shkruan në librat e tij, politikani dhe shkrimtari i njohur, Pjetër Arbnori?


– Përse duhej thelluar lufta e klasave nga Enver Hoxha e jo zbutur? A nuk ishte ky veprim një krim mizor në vitet ‘70-‘80?


– Përse, kur dënohej një qytetar e pësonte jo vetëm familja, por edhe të afërmit?


– Në romanin e tij “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, përshkruan se ata që orvateshin të arratiseshin nga bregdeti i Sarandës, vriteshin dhe kufomat e tyre shëtiteshin nëpër rrugë për t’u kallur datën tërë atyre që mund të ndërmerrnin një hap të tillë. A është e vërtetë që ky veprim makabër të jetë bërë me dijeninë tuaj?


– Si e ndjetë veten më 31 mars të vitit 1991, kur në votime juve, sekretarin e Parë të PPSH-së dhe Presidentin e Republikës, ju mundi një gjeolog i thjeshtë?


– A do ta miratonte Enver Hoxha pluralizmin, po të ishte gjallë?


– Si do të vepronte Enver Hoxha kur të shihte shtatoren e tij të rrëzuar nga më shumë së 100 mijë banorë të Tiranës që shprehnin kështu dëshirën e pjesës dërrmuese të popullit shqiptar?


– Si i cilësoni tani ngjarjet në Hungari të vitit 1956, revolucion a kundërrevolucion, kur mbarë njerëzimi dënoi ndërhyrjen e egër të ushtrisë sovjetike.


– Siç dihet, në mars të vitit 1951 u pushkatuan pa proces gjyqësor dhe pa asnjë provë shumë intelektualë të implikuar gjoja në hedhjen e një bombe në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Manol Konomi, dha dorëheqjen për këtë veprim. A ishte ky krim, aq më tepër që familjet e të pushkatuarve u internuan për vite e vite të tëra dhe kush ka përgjegjësi për të?


– Nga të dhënat e Institutit të të Përndjekurve Politikë, të marra nga arkivat e Ministrisë së Brendshme, rezulton se gjatë regjimit komunist janë vrarë 5677 burra dhe 450 gra; janë burgosur 28.788 njerëz, kanë vdekur nëpër burgje 1065 burra e gra;


janë çmendur nga torturat 308 burra e gra; janë internuar 48.217 burra e 11.536 gra dhe kanë vdekur në kampet e përqendrimit 7022… Keni pasur dijeni për këto të dhëna të tmerrshme dhe cili është sot mendimi juaj për këto viktima?


– Keni pohuar herë pas here se keni bërë gabime… Kurse në të vërtetë, krahas gabimeve keni bërë shumë faje. Numëroni të paktën disa prej tyre?


 


***


Ja këto ishin pyetjet e kësaj interviste, të cilave Ramiz Alia iu përgjigj me një himn për partinë dhe Enver Hoxhën. Madje duke ngulur këmbë që të botoheshin krahas tyre. Jo si pyetjet që kemi parë t’i bëhen atij vite të shkuara, kur ishte gjallë, në emisione të tjera televizive.


Nuk di nëse këtyre pyetjeve do t’u përgjigjej shoqja Nexhmije Hoxha. Natyrisht, në rast se do t’i ishin bërë. Apo do të vepronte edhe ajo si Ramiz Alia… Se me pyetjet e intervistës së para disa ditëve pati guxim të thoshte: “Nuk kam bërë gabime”.