Vatikani


Atë Lombardi tregon disa nga detajet e takimeve të Atit të Shenjtë


Atë Lombardi nuk flet për pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur se vizita kishte qëllim fetar


Myslimanët – Zëdhënësi i Vatikanit vuri në dukje se edhe para mbërritjes së Papës në Tiranë, një grup mysliman ishte lutur në një xhami qendrore për vizitën e suksesshme të Atit të Shenjtë


zedhenesi i PapesPas një dite shumë të ngjeshur në Tiranë, drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, u është përgjigjur pyetjeve dhe ka theksuar disa detaje në lidhje me udhëtimin apostolik njëditor të Papa Françeskut në Shqipëri. Lombardi tha se gjatë udhëtimit për në Tiranë, i cili u realizua mëngjesin e djeshëm, Papa përshëndeti rreth 50 gazetarë në bord dhe përmendi temat kryesore të kësaj vizite që, sipas tij, është tema e vuajtjes, e realitetit të paqes brenda diversitetit dhe ajo e rëndësisë së dialogut për të favorizuar një qeverisje të mirë.


Pas zbritjes në Aeroportin e Rinasit dhe gjatë udhëtimit të tij me makinë për në Tiranë, Lombardi zbuloi se Papa ishte i shoqëruar nga dom Davide Djudjaj, një mik dhe bashkëpunëtor prej kohësh i radio Vatikanit, i cili ishte caktuar si përkthyes zyrtar për Papën në Shqipëri.


“Gjatë rrugës, ata folën për tri gjëra. Së pari, Papa vuri re një popullsi në moshë të re që ka ky komb në një Europë të plakur dhe sesi rinia shikon përpara me shpresë. Së dyti, ata diskutuan për rëndësinë e shqiponjës të përfaqësuar në flamurin shqiptar dhe ai tha: ‘Shqiponjat fluturojnë lart, por gjithmonë kthehen në fole’, me qëllim për t’u kujtuar shqiptarëve që të mos harrojnë folenë, të mos lënë në harresë rrënjët e tyre. Së treti, Papa mbante mend takimin me Nënë Terezën me rastin e Sinodit të Ipeshkvijve në vitin 1994. Ati i Shenjtë tha se ishte goditur nga fuqia e ndërhyrjeve të saj gjatë sinodit dhe admironte vendosmërinë e saj. Po ashtu, Papa tha se do të kishte qenë i frikësuar prej saj, nëse ajo do të ishte eprorja e tij”, ka shpjeguar për këto tri çështje të diskutuara nga Papa, zëdhënësi i Vatikanit.


Duke iu referuar momentit kur Papa u ul për të shkruar në Librin e Nderit pas mbërritjes së tij në Presidencë, Atë Lombardi zbuloi se ai kishte shprehur respekt dhe admirim për njerëzit fisnikë të Shqipërisë. “Popullit fisnik shqiptar, me respektin dhe admirimin tim për dëshminë e tij dhe vëllazërinë në çuarjen para të vendit”, ka shkruar Papa Françesku. Lombardi tha gjithashtu se Presidenti Nishani kishte folur gjerësisht për marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin dhe në mënyrë të përsëritur ka shprehur mirënjohjen e tij për këtë vizitë, duke nënvizuar rëndësinë për popullin shqiptar. “Në takimin privat me Presidentin, Papa u përqendrua në harmoninë fetare në Shqipëri, sipas të cilit e përforcon demokracinë dhe është shumë e rëndësishme për kombin. Nishani kujtoi historinë e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe kombit e si një mysliman, i shprehu shpresën që ky udhëtim të ishte një bekim për të gjithë shqiptarët”, tregoi Lombardi për takimin privat të Papës me Presidentin. Në lidhje me myslimanët, Lombardi theksoi se edhe gjatë kremtimit të Meshës në Tiranë, ishin të pranishëm shumë myslimanë, të cilët donin të ishin me Papën dhe të merrnin bekimin e tij.


Madje, zëdhënësi i Vatikanit vuri në dukje se edhe para mbërritjes së Papës në Tiranë, një grup mysliman ishte lutur në një xhami qendrore për vizitën e suksesshme të Atit të Shenjtë. “Presidenti i dha Papës një portret argjendi të Papa Klementit XI, i cili i përkiste familjes Albani, që ka qenë tradicionalisht me origjinë shqiptare. Në dhuratë ishte shkruar: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’. Me këtë, Presidenti i tha Papës, ju jeni dy herë i mirëpritur”, shpjegoi Lombardi disa nga detajet e vizitës. Po ashtu, Vatikani vuri në dukje faktin se gjatë fjalimit përshëndetës, Nishani foli edhe për shërbimin e kryer nga radio Vatikani për popullin shqiptar.


Sa i përket meshës, Lombardi shpjegoi se nga vlerësimet e marra mendohet se kanë qenë të pranishëm 250-300 mijë pelegrinë dhe komentoi faktin se ata që lexuan në meshë ishin zgjedhur specifikisht. Ai theksoi se simbolikisht, aty ishte një lexues i verbër, një vajzë rome dhe tri breza të një familjeje.


Duke theksuar faktin se tema e respektit mes besimeve të ndryshme fetare ishte epiqendra e këtij udhëtimi apostolik, Lombardi tha se nuk do të ketë përfaqësim të hebrenjve në takimin e pasdites mes udhëheqësve fetarë, vetëm për shkak se meqë ka shumë pak hebrenj në Shqipëri, organizatorët nuk kanë mundur për të vënë së bashku një grup përfaqësuesish. Në këto kushte, ai tha se do të ishin pesë përfaqësues të grupeve të ndryshme fetare dhe jo gjashtë, siç ishte planifikuar në fillim.


Zëdhënësi i Vatikanit ka folur edhe për çështjen e njohjes së pavarësisë prej tyre, duke u shprehur se vizita në Shqipëri kishte qëllime fetare dhe jo politike. Lombardi u pyet edhe për çështjet e sigurisë dhe shpjegoi se nuk ka pasur absolutisht asnjë shqetësim. Madje, ai tha se u ndien më mirë sesi ishte planifikuar. Kurse për lëvizjen e makinës së Papës me shpejtësi dhe arsyet e mosndalimit të tij për të biseduar me njerëz, siç ai bën shpesh në Vatikan, Lombardi shpjegoi se kishte një orar të ngjeshur dhe duhet të ishte i përpiktë me kohën. “Kurse në Vatikan, ai ndodhet në shtëpinë e tij”, përfundoi Lombardi. Në përfundim të konferencës për shtyp, e cila u mbajt në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku ishte instaluar qendra e medias, ai pati një bashkëbisedim të shkurtër edhe me këshilltarët e qeverisë, të cilët kanë qëndruar pranë gazetarëve që të shtunën në mesditë e deri në largimin e Papës nga Shqipëria. Ble. Gi.