Sport Shqipëria kërkon një portier për vendin e lënë bosh nga Ujkani

Shqipëria kërkon një portier për vendin e lënë bosh nga Ujkani

174
SHPËRNDAJE

De Biazi pritet të përzgjedhë një nga elementët e testuar te Shpresat

Kandidatët

Thomas Strakosha – 19-vjeçari aktualisht është portier i parë tek ekipi i të rinjve të Akademisë së Lacios, ndërsa stërvitet dhe qëndron në stol me ekipin e parë në Serinë A, si portier i tretë

Aldo Teqja – Prej tre vitesh ka qenë pjesë e skuadrës së Anorthosis, ku është stërvitur nga Arjan Beqaj. Në këtë sezon është dhënë huazim tek ekipi i Ksilofagu për të luajtur më rregullisht

Superiorja – 31-vjeçari Halili i Kukësit dhe 24-vjeçari Frashëri i Tiranës, janë dy alternativat e vetme nga Kategoria Superiore që po monitorohen nga stafi teknik i kombëtares shqiptare

Ermal Kuka

ShqiperiaRisia e kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjet e tetorit do të jetë në portën e saj, pasi në listë do të përfshihet një gardian i ri, që do të zëvendësojë të larguarin Samir Ujkani. Meqenëse ky i fundit është përfundimisht pjesë e Kosovës dhe nuk do të bëjë prapakthehu, De Biazi do të grumbullojë që tani një portier të ri, i cili në një të ardhme jo shumë të largët do të kthehet në zëvendësuesin e parë për Etrit Berishën. Alternativat e para janë futbollistët e testuar nga kombëtarja Shpresa në vitet e fundit, Strakosha dhe Teqja.

Etrit Berisha është për momentin i paprekshëm në katërkëndorin kuqezi, i vetmi futbollist që e ka të sigurt vendin në formacion, si në rast aktivizimi, ashtu edhe në rast qëndrimi në pankinë në radhët e Lacios gjatë sezonit. 25-vjeçari është zgjedhja afatgjatë për portën kuqezi dhe me përjashtim të ndonjë dëmtimi, vështirë se ndonjë portier tjetër do të vërë në diskutim qëndrimin e tij në katërkëndorin e Shqipërisë. Ai që duhej të ishte rivali i tij, Samir Ujkani, u dorëzua shumë shpejt dhe vendosi të merrte vendimin më të lehtë, duke shkuar të Kosova, ku ka një vend titullari të sigurt falë mungesës së konkurrencës. Kjo ka bërë që alternativë e parë e Berishës të bëhet Orges Shehi, kampioni i Shqipërisë me Skënderbeun në vitet e fundit dhe një nga gardianët më të vlerësuar në kampionatin shqiptar falë paraqitjeve të shkëlqyera në Superiore, por edhe në Kupat e Europës. Por Shehi sapo ka mbushur 37 vjeç dhe në një të ardhme jo shumë të largët, do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur. Kësisoj, ka lindur nevoja që të afrohet pranë kombëtares një portier i tretë i ri, që të mësojë nga dy aktualët dhe të jetojë e të mësojë dinamikat e grupit. Me kalimin e kohës, ky portier pritet të zërë vendin e Shehit në hierarkinë e kombëtares.

De Biazi nuk e ka parë të arsyeshme të bënte zgjedhjen e tij para ndeshjes me Portugalinë, duke pasur parasysh se kishte Berishën dhe Shehin të gatshëm për sfidën e vetme të shtatorit. Por meqë në tetor ka dy ndeshje dhe për të evituar surpriza të pakëndshme, për shkak të një problemi të vogël muskulor të Berishës, që në ditën e parë të grumbullimit për sfidat ndaj Danimarkës dhe Serbisë, me grupin do të jetë i pranishëm edhe ky portier i tretë.

Kandidati kryesor për këtë pozicion është Thomas Strakosha, pjesë e Lacios dhe me eksperiencë ndërkombëtare falë paraqitjeve me ekipin U-21 të Shqipërisë. Vetë De Biazi, në fillimin e këtij viti, duke folur për mediat italiane, e cilësoi Strakoshën si një portier shumë të talentuar që mund të fitonte hapësira te Lacio në të ardhmen. Rivali më i madh i 19-vjeçarit Strakosha është bashkëmoshatari i tij, me të cilin ka ndarë portën e Shpresave shqiptare, Aldo Teqja. Edhe ky i fundit aktivizohet jashtë, pasi në këto vite ka qenë te qipriotët e Anorthosis, i huazuar në këtë sezon tek ekipi i Ksilofagu, për të fituar më shumë eksperiencë. De Biazi ka ndjekur paraqitjet e dy lojtarëve në ndeshjet e Shpresave dhe gjatë kësaj jave do të vendosë se cili prej tyre do të bëhet pjesë e kuqezinjve për këtë grumbullim. Për sa i përket Kategorisë Superiore, trajneri italian nuk sheh shumë alternativa në lartësinë e duhur, duke parë edhe perspektivën e tyre. Duke pasur parasysh eksperiencën në Kupat e Europës apo ekipet kombëtare, alternativat e vetme të Superiores që merren në konsideratë nga stafi i kombëtares aktualisht janë Argent Halili i Kukësit dhe Stivi Frashëri i Tiranës.