Banka Qendrore Europiane, “qira” 0.1% mbi depozitat
Zamir Alushi
Banka e Shqipërisë (BSH) do të pësojë humbje nga depozitat në euro, për shkak të uljes poshtë zeros të normës së interesit nga Banka Qendrore Europiane (ECB). Fakti pranohet në Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së, i cili në mbledhjen e fundit, vendosi të marrë masa paraprake. Këshilli diskutoi mbi efektet dhe ndikimin që ka sjellë lehtësimi i mëtejshëm i politikës monetare nga ana e ECB-së në administrimin e rezervave valutore. Më konkretisht, si rrjedhojë e kësaj lëvizjeje, norma e kthimit për investimet në euro, në instrumente financiare me afat maturimi deri në tre vjet, me nivel të pranueshëm të rrezikut të kredisë është negative (poshtë zeros). Nga ky fenomen që ndodh për herë të parë me rezervën tonë valutore në euro, nuk preken kursimet e qytetarëve, por kjo do të reflektohet te fitimi i bankës. Kështu, pas vjedhjes prej 7.1 milionë dollarësh, në fitimin e vitit 2015, që i transferohet Ministrisë së Financave, do të zbritet edhe e ardhura e munguar nga rezerva e BSH-së në euro. Jo vetëm që nuk do të fitohet nga rezerva valutore, por do të paguhet një “qira” 0.1% për depozitat e BSH-së në Bankën Qendrore Europiane.
Sa euro kemi rezervë?
Rezervë valutore është ajo pjesë e aseteve kombëtare; publike dhe likuide; që mbahen në valutë të huaj. BSH përpiqet të mbajë rezervën e saj valutore ndërkombëtare në një nivel të përshtatshëm për zbatimin e politikës monetare dhe të këmbimeve valutore të Republikës së Shqipërisë, si dhe për kryerjen në kohë të pagesave në transaksionet me jashtë. Në kuadrin e marrëveshjeve të FMN-së që ka pasur Shqipëria, akumulimi i rezervave valutore është përcaktuar në programin monetar si një nivel dysheme i mjaftueshëm për të mbuluar 4 muaj importe, nivel ky që vazhdohet dhe respektohet edhe sot. Gjatë vitit 2013, rezerva valutore bruto, e vlerësuar dhe e raportuar në monedhën euro, është rritur me rreth 42.5 milionë euro, duke regjistruar në fund të muajit dhjetor vlerën 2,014.99 milionë euro. Të ardhurat e siguruara nga investimi i rezervës valutore për vitin 2013 llogariten në rreth 36.72 milionë euro. Këto janë të ardhura të siguruara nga investimi i rezervës valutore. Kjo shumë përfaqëson, në pjesën kryesore, interesa dhe kuponë në bazë cash-i. Duke analizuar faktorët negativë që kanë ndikuar në ecurinë e rezervës valutore, vetë BSH, në raportin vjetor për vitin 2013, thekson disa faktorë të tregut që kanë pasur ndikim negativ në shumën 92.09 milionë euro. Këtu hyjnë luhatjet në kursin e këmbimit të monedhave në përbërje të rezervës valutore që kanë ndikuar negativisht vlerën e rezervës bruto të raportuar në euro, duke regjistruar një efekt rreth 64.03 milionë euro. Ndërsa efekti i rivlerësimit për portofolin, si rrjedhojë e luhatjes së normave të interesit, llogaritet në një vlerë negative prej 28.06 milionë eurosh.
Ku janë investuar
BSH ka bërë investime afatshkurtra të rezervave valutore në nota thesari dhe bono thesari të qeverive të huaja, nota thesari të agjencive dhe korporatave, investime afatmesme në Bank for International Settlements (BIS) në letra me vlerë me kuponë fiks, të shprehura në euro. ECB ka tri norma kryesore interesi, interesat për kreditë njëditore, normat e interesit për operacionet kryesore të rifinancimit dhe interesat për depozitat. Norma e rifinancimit është interesi që bankat i paguajnë ECB-së për kreditë. Tani Shqipëria do të paguajë edhe për depozitat që mban në ECB. Vendimet për uljen e normave të interesit synojnë të sigurojnë stabilitetin financiar afatgjatë në Eurozonë, ku objektivi kryesor është mbajtja e inflacionit në kufijtë 2%. ECB ka shpallur normën e depozitës në euro në afro 0% dhe me vendimin e fundit ka ulur normën e rifinancimit (kredisë që ECB u jep bankave tregtare) në nivelin 0.25% (me një ulje 0.15%) do të thotë që norma e interesit për depozitat zbret në -0.1%. Pra, kjo është një vlerë që i paguhet ECB-së nga depozituesit.
Kostoja
Kostoja e mbajtjes së rezervës valutore shpreh diferencën e mesatares së normave të bonove 3-mujore, 6 dhe 12-mujore dhe normës mujore të eurobondeve 10-vjeçare kundrejt normës së kthimit nga investimi i rezervës.
Arsyet
Arsyet e mbajtjes së rezervës valutore janë tri: Për nevojat e qeverisë për shlyerjen e borxhit të jashtëm; mbështet nevojat e importuesve; siguron stabilitetin e kursit të këmbimit.
Bursa
Ari nënçmohet në vlerën minimale historike
Çmimi i arit bie në nivelin minimal 1198 dollarë për onz.
Të dhënat mbi punësimin në SHBA duket se janë arsyeja kryesore për një zhvlerësim të tillë rekord. Vetëm në muajin shtator janë krijuar rreth 248.000 vende pune në SHBA, rreth 38000 më shumë se parashikimet dhe frika se Federal Reserve do të rrisë normat e interesit më herët se mesi i vitit 2015 kanë krijuar luhatje në çmimet e arit. Ari dhe metale të çmuara më 31 dhjetor 2013, sipas raportit vjetor të BSH-së, vlera e arit të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat e huaja, ishte 8,474 milionë lekë (2012: 12,196 milionë lekë). Ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive vendase përfshin gjendjet e arit jomonetar, platinit dhe të argjendit në kasafortë, të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e raportimit, me një shumë totale prej 4,021 milionë lekësh (31 dhjetor 2012: 5,805 milionë lekë). Rënia në total prej 5,506 milionë lekësh (2012: rritje prej 700 milionë lekësh), që rezulton vetëm nga nënçmimi i arit dhe metaleve të çmuara, është njohur fillimisht në fitim ose humbje e më pas është transferuar në rezervën e rivlerësimit.