BARDHI SEJDARASI
A e ul konsumin e duhanpirjes rritja e akcizës së cigareve dhe në të njëjtën kohë a e mbron shëndetin publik dhe buxhetin e shtetit? Me efekt prej datës 1 janar 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vitin e kaluar një rritje të akcizës për cigaret nga 70 në 90 lekë/paketë. Kalendari për rritje të përvitshme me nga 10 lekë/paketë nga viti 2015-2017 gjithashtu u miratua në të njëjtin ligj. Ky kalendar i miratuar paraprakisht ofron siguri për bizneset në bërjen dhe zhvillimin e planeve të punës.
Por, pas mbledhjes së fundit të qeverisë, sipas deklarimit të ministrave dhe publikimit në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, vumë re një ndryshim në ligjin e akcizës, i cili shoqërohet edhe nga njoftime në media se norma e akcizës për cigaret do të rritet nga 90 në 110 lekë/paketë. Sipas njoftimit zyrtar, ky projektligj pritet të hyjë në fuqi “menjëherë”.
Disa pyetje të biznesit dhe konsumatorëve
Të gjithë biem dakord se duhanpirja është e rrezikshme për shëndetin. Por a besojmë se rritja e mësipërme do të përmirësojë shëndetin? Apo, a ka gjasë dhe shembuj që na bëjnë të besojmë se kjo rritje do të orientojë shumë konsumatorë të rritur (veçanërisht ata me të ardhura të ulëta) drejt duhanit me të dredhur që shitet në treg apo drejt produkteve kontrabandë, të cilat janë edhe më të rrezikshme ndaj shëndetit?
Taksat e efektshme ndaj duhanit kontribuojnë ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Në përgjithësi, rritja e taksave ndaj duhanit rrit të hyrat në buxhet, për shkak se rritja e taksës e justifikon ose kompenson uljen e konsumit të produkteve të duhanit. Ky fakt qëndron, sidomos, në vendet me administratë të konsoliduar tatimore dhe me nivel të lartë arsimor të konsumatorëve. Sidoqoftë, rritja e nivelit të taksës, rrjedhimisht dhe e çmimeve, duhet të jetë e tillë që të minimizojë iniciativën për të shkuar drejt produkteve më të lira apo në rastin më të keq, siç tregojnë shembujt nga shumë vende të tjera, produkteve kontrabandë.
Gjithashtu, rritja e taksës, nuk duhet të shpërfillë fuqinë blerëse të konsumatorit. Një rritje me 20 lekë/paketë, së bashku me efektin e TVSH-së, do të shpjerë në një rritje prej 30 lekë/paketë, fakt ky që rëndon direkt konsumatorin. Qeveria duhet të ruajë baraspeshën e duhur që taksa të arrijë objektivin e saj, pa i bërë produktet e duhanit të papërballueshme për duhanpirësit e rritur. Gjetja e kësaj baraspeshe varet nga faktorë të ndryshëm. Siç është shprehur dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar/FMN, “përfundimisht, normat e akcizës së duhanit duhet të pasqyrojnë fuqinë blerëse të konsumatorit vendor, normat e akcizës në vendet fqinje dhe mbi të gjitha, aftësinë dhe vullnetin e autoriteteve tatimore për të zbatuar pajtueshmërinë me këto norma”[1]
Aktualisht, duke pasur parasysh përballueshmërinë/fuqinë blerëse, vetëm duke u mbështetur në çmimet me pakicë të produkteve të cigareve të disponueshme, si dhe mbi pagat mesatare, shihet se konsumatori shqiptar ka një situatë më të vështirë krahasuar, qoftë dhe me konsumatorin kosovar p.sh. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, duhanpirësi i rritur shqiptar duhet të punojë 41 minuta për të blerë një paketë të lirë cigaresh kundrejt 29 minutave të duhanpirësit të rritur kosovar. Projektligji i ri do ta thellojë edhe më shumë gjendjen, mbështetur mbi një fakt të thjeshtë: në më pak se një vit, akciza e cigareve po rritet me 40 lekë/paketa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, pra, më 1 janar 2014 u rrit me 20 lekë/paketë dhe pritet të rritet dhe me 20 lekë/paketë menjëherë.
Nëse llogarisim dhe efektin e TVSH-së mbi rritjen 40 lekë, atëherë efekti total i taksës do të jetë 48 lekë/paketë. Pra, do të ishte e mençur që të mos ketë një rritje tjetër me 20 lekë/paketë. Në vend të kësaj mase më mirë të vazhdohej me kalendarin e miratuar në Kuvend vitin e kaluar d.m.th. me 10 lekë/paketë ose maksimumi të rritej deri në 15 lekë/paketë në mënyrë që të mos tronditet fuqia blerëse e konsumatorit dhe rrjedhimisht të krijosh hapësirë për zhvillimin e tregtisë të paligjshme.
Dr. Arthur Laffer, i famshëm për të mirënjohurën “Kurba e Laffer-it” shprehet se “Rritja e nivelit të taksës mund të shndërrohet në kundërproduktive, në çastin që kjo rritje mbërrin në nivelin ndalues/”prohibitiv” të Kurbës së Laffer-it, të hyrat tatimore do të ulen dhe nëse konsumatorët orientohen drejt produkteve me taksë më të ulët apo drejt tregut të zi, atëherë kjo masë nuk shpie as drejt uljes së duhanpirjes”.
Ndaj, dua të theksoj sërish efektin e mundshëm që ka rritja e taksës në zhvillimin e tregtisë së paligjshme. Është më se e qartë se tregtia e paligjshme nxitet nga një sërë faktorësh, përfshirë këtu edhe rritjen e tepruar të taksës. Megjithëse është e mundur të ruash nivele të larta tatimore, pa dëshmuar nivele të larta kontrabande në produkte të duhanit, taksa mbetet një shkak i rëndësishëm, rrjedhimisht, një faktor ndikues në lidhje me tregtinë e paligjshme të produkteve të duhanit.
Mbi të gjitha, sipas ekspertëve, qeveria duhet të ketë kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për të zbatuar ligjin dhe kontrollimin e kufijve dhe tregut të brendshëm. Shitja e paligjshme e duhanit të hapur/dredhur në Shqipëri është krejt e dukshme.
Përvoja tregon se adoptimi i një politike graduale, të rregullt të taksës, ndërthurur me masa efektive kundër tregtisë së paligjshme, është mënyra optimale që duhet të ndjekin qeveritë për të përmbushur objektivat buxhetore dhe shëndetësore, ndërsa ulin rrezikun për stimulimin e tregtisë së paligjshme.