Aktualitet Rënkimi i heshtur i liqenit më të madh në Ballkan

Rënkimi i heshtur i liqenit më të madh në Ballkan

2995
SHPËRNDAJE

Liqeni i Shkodrës kërcënohet nga ndotja dhe cektëzimi

BLEDAR HOTI

Teksa kalon me makinë urën e re të Bunës, ura antike, që qëndron prej më shumë se një shekulli, duket sikur të vështron me xhelozi, pasi ajo tashmë ka mbetur si një relike mbi 120-vjeçare e që shërben vetëm për kalimtarët dhe peshkatarët. Në rrugëtimin drejt Shirokës, 6 kilometra larg qendrës së Shkodrës, bashkudhëtari ynë, Fatmiri, përmend një histori të hershme të mjekëve që u kërkonin njerëzve që të mos vizitoheshin tek ai për sëmundjet pulmonare, por të shkonin të pushonin në Shirokë e Zogaj, pasi atje është vendi ideal kurativ. Që në ecje, rruga të lë për të dëshiruar. Bashkia ka nisur prej më se një viti punimet nga ura e Bunës deri në qendër të Shirokës. Një projekt ambicioz parashikon zgjerimin e rrugës, si dhe krijimin e një pedonaleje me 4 metër gjerësi, si dhe të përmotshmet biçikleta. Pjesa për makinat është 6 metër e gjerë. Punimet kanë nisur që në vitin 2013, por ende nuk kanë mbaruar. Në pikun e sezonit veror, rrugës të shfaqen punëtorët që po shtrojnë pllakat e ngurta të trotuarit. Ndërsa nuk mungojnë të rinj që me biçikleta i drejtohen Shirokës, duke shfrytëzuar atë pak “pedonale” të shtruar. Ky është një privilegj i ri, ndërsa makinat “vajtojnë” për rrugën e tyre, e cila shkatërrohet dita-ditës. Rruga i ka larguar turistët, përfaqësues të agjencive të udhëtimit shprehen se për shkak të gjendjes së rënduar, autobusët nuk kalojnë lehtë andej. Kjo ka sjellë dhe mosdërgimin e organizuar të turistëve të huaj.

Shiroka & Zogaj

Shiroka dhe Zogaj janë zonat më atraktive për zhvillimin e turizmit pranë Liqenit të Shkodrës. Territoret e dy fshatrave të Shirokës dhe Zogajt, me sipërfaqe respektive 66 hektarë dhe 80 hektarë, janë përfshirë brenda kufirit administrativ të qytetit të Shkodrës, e kjo që nga janari i vitit 1997. Ka një sipërfaqe prej 600 hektarësh, e cila shërben si zonë turistike, me një gjatësi vije ujore rreth 14.5 km, nga e cila rreth 10 km kanë breg shkëmbor dhe 4.5 km fushor. Shiroka ndodhet rreth 6 kilometër larg qytetit. Ndërsa Zogaj është 4 km larg Shirokës, e 10 km larg Shkodrës. Përgjatë kësaj distance në dy fshatrat jetojnë rreth 500 familje, një pjesë e të cilëve janë vendosur pas viteve 1990 e këtej. Sipas statistikave të një studimi të GTZ-së, në dy fshatrat turistike jetojnë rreth 1500 banorë. Në qendër të lagjes së Shirokës të shfaqen ndërtimet e reja. Vilat e larta duket sikur po i ngjiten malit të Taraboshit. Lokalet janë plot me njerëz. Ndërsa klientët vetëm e vështrojnë liqenin. Në qendër të Shirokës “zyrtarisht” shfaqen vetëm dy hotele, me tabela jo shumë larg njëra-tjetrës. Kabinat e kohës së monizmit nuk ekzistojnë, janë prishur ose tjetërsuar. Bujtës janë banorët e shtëpive, të cilët i lëshojnë me qira ambientet e tyre, kundrejt një pagese që shkon deri 25 mijë lekë të reja për 15 ditë. Buzë liqenit, pronari i lokalit ka vendosur disa çadra prej kashte dhe shezlongë, por aty nuk ka asnjë plazhist. “Plazhistët” e vetëm janë rosat (rikat siç quhen në Shkodër) që notojnë të qeta. Liqeni i Shkodrës, para viteve ‘90, për shumë të rinj të brezave të ndryshëm ishte i vetmi vend për pushime e zbavitje për qytetin, pasi ishte e pamundur të udhëtoje drejt Velipojës, që ndodhet 40 kilometra larg qytetit. Në vitet ‘90 kishte disa kabina të pakta pushimi, e këto në qendër të Shirokës. Administroheshin nga Komiteti Ekzekutiv i PPSH-së që asaj kohe. Në atë kohë ekzistonte dhe Shtëpia e Pushimit për Fëmijët. Tashmë godina antike i është kthyer pronarit, familjes së trashëgimtarit të Mbretit Zog. Edhe sot e kësaj dite, plazhistët janë të pakët, numërohen me gishta, ku dominojnë sërish fëmijët. Nëse pyet për numrin e turistëve ndër vite, zyrtarët e bashkisë nuk dinë se çfarë shifre të japin. Udhëtimi drejt Zogajt, duket sikur do të japë ndonjë panoramë tjetër. Por, rruga nuk ka ndryshuar që në kohën e komunizmit, e shkurtër në gjerësi, gjarpëruese, me kthesa të shumta. Ajo është njëkalimëshe. Shoferët duhet të kenë kujdes të mos i dalë ndonjë makinë tjetër përpara, pasi nuk ke mundësi të ndërrohesh. Pas 10-15 minutash udhëtim, shfaqet qendra e Zogajt. Me shtëpitë e vjetra karakteristike dhe shkallët prej guri që përdoren për ngjitje. Dhe këtu ka shumë vila të reja. Janë të ndërtuara dhe në buzë të liqenit. Te pista e ndërtuar si shëtitore, që quhet si pjesë e molit, janë disa fëmijë të cilët e përdorin këtë vend si trampolinë për t’u hedhur. Kola, banor i kësaj zone, thotë se po të kërkosh shtëpi pushimi mund të gjesh, madje t’i tregon dhe me vendet bosh se ku janë. “Për 15 ditë mund të paguani 200 mijë lekë (të vjetra)”, thotë Kola, i cili zanatin e përhershëm ka peshkimin. Atë e gjejmë pranë godinës së peshkimit të Zogajt, pak metra më tutje, nën hije pushojnë dhe disa peshkatarë. E pyes nëse ka pushues. “Këtë sezon veror ishin të pakët në numër. Por ka njerëz që vijnë nga Durrësi dhe Tirana”, thotë 45-vjeçari Kola, ndërsa gjerb cigaren e dredhur nga qesja e duhanit me markën ‘Tarabosh’. Ai shpreh pakënaqësi dhe për investimet, ku thotë se “Zogaj asht lan në harresë”. Ndërsa i lumtur shprehet për peshkimin. Sipas Kolës, krapi, “mbreti” i liqenit po zihet mirë sivjet.

Investimet

Prej 20 vitesh nuk ka ndonjë investim të mirëfilltë, si nga shteti apo privati për ndërtimin e ndonjë resorti të mirëfilltë. Në kohën e regjimit komunist ka ekzistuar teoria që qyteti duhet të qëndrojë larg ujit. Pra ndërtimet duhet të jenë larg pjesës së detit apo liqenit. Kjo politikë ndiqej dhe për faktin se Shiroka ishte vend kufitar dhe ruhej. Dikur ruhej me policë, ku tek Ura e Bunës, përpara se të merrej kthesa drejt Shirokës, duhej të paraqisje dhe letërnjoftimin (pasaportën). Kjo teori, e mbajtjes larg, është zbatuar dhe gjatë viteve të demokracisë. Tashmë ka dyndje të ndërtimeve pa leje, kryesisht në zonën e Livades, matanë bregut të Shirokës, në periferi të qytetit të Shkodrës. Ndërtimet e krijuara në këtë zonë janë kërcënim për banorët që jetojnë atje, pasi në dimër, liqeni i rikthehet shtratit të tij natyral. Problemi kryesor, përveç mungesës së investimeve në zonën e Shirokës, është ai i tokave. Banorët e këtyre zonave nuk kanë tapitë, u mungojnë certifikatat e pronësisë, të cilat jepen në bazë të ligjit 7501. Lënies në harresë pothuajse për çerekshekulli, mund t’i vijë fundi, me synimin për një nxitje të menaxhuar të turizmit përgjatë brigjeve të liqenit të Shkodrës. Zëdhënësi i Bashkisë së Shkodrës, Ridvan Dibra, bën të ditur disa projekte që janë kryer nga italianët e që të japin shpresë se Shiroka mund të kthehet në një qendër aktraktive e turizmit.

Punimet për rehabilitimin e zonës së Shirokës kanë nisur në vitin 2013. Vlera e projektit është 115.979.000 lekë. Një projekt tjetër është ai i “Rehabilitimit të plazheve dhe ndërtimi i infrastrukturës për aktivitete sportive” me një vlerë rreth 12.5 milionë lekë. Janë parashikuar ndërhyrje në 3 plazhe, më kryesoret janë vendet e quajtura Rrasat dhe Zalli i Bardhë. Ky projekt nuk është tenderuar ende.

Kërcënimet nga ndotja

Që nga viti 2005, liqenit të Shkodrës i është dhënë një status i veçantë, që detyron shtetin shqiptar të mbrojë këtë pasuri të rrallë në Ballkan. Liqeni i Shkodrës dhe lumi i Bunës janë të ligjëruara si zona të Mbrojtura (Category IV and V of IUCN), dhe bëjnë pjesë në Konventën e Ramsar. Vendimi për shpalljen e kësaj zone u mor nga qeveria e atëhershme në vitin 2005, e cila prek një sipërfaqe prej 49,562 ha, por hyri në fuqi në shkurt të 2006-s. Paradoksi qëndron se Mali i Zi e ka shpallur Park Kombëtar pjesën e liqenit që në vitin 1983. Profesor Mahir Hoti, drejtuesi i Forumit për Mbrojtjen e Mjedisit për Liqenin e Shkodrës, shprehet se ka ardhur momenti që kësaj zone t’i ndryshohet statusi. Qeverisë i është propozuar që liqenit të Shkodrës, pjesës shqiptare, t’i jepet statusi i Rezervës së Biosferës. Duke e ruajtur si tip rrathësh këtë zonë, duke i lënë mundësi zhvillimit të kontrolluar për turizmin, si dhe deri për mbrojtjen e ekosistemit. Kombinati i Aluminit, në Malin e Zi, i derdh mbetjet e kimikateve në lumin Moraça, dega kryesore e furnizimit me ujë për liqenin e Shkodrës. Ky lum që ka prurje 200 metër kub në sekondë, i transporton mbetjet kërcënuese për liqenin nga Mali i Zi deri në Shkodër. Ky është një ndër problemet kryesore të ngritura nga ambientalistët, ndotjet kimike që krijohen nga shkarkimet e fabrikës. Kërcënimi tjetër janë mbetjet e interteve. Shtimi i tyre ka ardhur nga ndërtimi i Bay-Passit në hyrje të qytetit, i cili parashikon një rrugë pedonale. Ndërsa një fenomen tjetër është ai i hedhjes së inerteve me qëllim fitim trualli, ku miliona metër kub, me qëllim krijimin e zonave të reja për ndërtime. Gati një e treta e pjesës së pedonales ka ndikuar që kjo pjesë e liqenit të kthehet në moçal. Punimet kanë mbetur pezull, ndërsa rrugës të shfaqen dhe mbeturinat e shumta të plehrave. Punimet në këtë zonë janë bllokuar, zona rrezikon të kthehet në gangrenë të mbeturinave dhe male intertesh. Profesor Mahir Hoti jep alarmin se liqeni i Shkodrës po shfaq një dukuri të frikshme, atë të cektëzimit. Tashmë, edhe pse me një strukturë tektonike, nuk mund të flitet se thellësia e liqenit shkon deri në 5 metra. Pra tharja e liqenit është fenomeni i ri. Në pjesën hyrëse të qytetit dukshëm të shfaqet ngushtimi i pjesës ujore, e kjo nga hedhja pa kriter të inerteve, që bëhen me qëllim të caktuar për të fituar tokë dhe për të ndërtuar. Rritja e barishteve është e frikshme në këtë pjesë. Problem tjetër është hedhja e ujërave të zeza në liqen, që kryesisht është në zonën e Malësisë së Madhe, pjesa e Koplikut, e Tuzit të Malit të Zi. Gropat septike pranë bregut të liqenit janë një problem më vete. Një pjesë e mirë e banorëve në Malësinë e Madhe merren me blegtori, aktivitete të ngritura pranë liqenit të Shkodrës e që janë të pakontrolluara. Shpimet e puseve për ujë të pijshëm janë problem më vete. Bashkia e Shkodrës, në bashkëpunim me qeverinë gjermane përmes KFW-së, atë austriake nëpërmjet agjencisë ADA dhe qeverisë zvicerane nëpërmjet SECO-s kanë nisur në vitin 2011 punimet për ndërtimin e impiantit të përpunimit të ujërave të përdorura, të bardha e të zeza të zonës së Shirokës e Zogaj, për të ndikuar në minimizimin e impakteve negative mjedisore në liqenin.

Fondet

Kryetari i Bashkisë së Koplikut, Ramadan Lika, thotë se Malësia e Madhe administron 30 km të liqenit, ndërsa Bashkia e Shkodrës, 7 kilometër, por ai si institucion asnjëherë nuk është pyetur për çështjet e mbrojtjes së mjedisit. Vëmendje më e madhe i kushtohet zonës së Shirokës dhe Zogajt, porse harrojnë pjesën që lag Rrethin e Malësisë së Madhe. Nëpërmjet fondit IPA dhe Bankës Botërore u dhanë 1.9 milionë dollarë amerikanë, për pjesën shqiptare të liqenit të Shkodrës. Porse këto fonde u thërrmuan për 18 projekte të shoqatave për mbrojtjen e mjedisit, të cilat realizuan trajtimin në çështjet teorike të problemeve mjedisore, si seminare apo takime mes tyre, pa kryer asgjë në terren, aty ku ndotja po kanos të madhin e Ballkanit. Në një studim të sajin Nevila Bushati, i punuar në vitin 2013, thekson se përfundimi i impiantit për përpunimin e ujërave të ndotura Shirokë-Zogaj, si dhe pyllëzimi gradual i bregut perëndimor të zonave Shirokë – Zogaj do të ndikonte në ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemit ujor të liqenit të Shkodrës. Gjithashtu kërkohet sensibilizimi i popullatës për zonat e ndotura të liqenit, ku paralajmërohet shmangia e kryerjes së plazhit në sezonin e verës nga plazhistët e rrallë. Drejtori i Zyrës së Sektorit për Zhvillim dhe Promovim në Bashkinë e Shkodrës, Gentian Mema, pohon se gjatë kësaj kohe i janë dërguar disa projekte qeverisë për zonën e liqenit, investime në Shirokë dhe në Zogaj, por deri më tani nga qeveria nuk ka ende një përgjigje për projektet e paraqitura. Faji për këtë situatë nuk mund t’u vihet vetëm institucioneve, por edhe banorëve të zonës, të cilët nuk e mbrojnë si duhet këtë ‘dhuratë të Zotit’. Nuk ia dinë vlerat e papërsëritshme që ofron zona e Shirokës dhe Zogajt. Ata duhet të ndërgjegjësohen në mënyrë që të mos jetë tepër vonë, për të shpëtuar liqenin më të madh të Ballkanit.

 

 

 

 

Historiku

Liqeni i Shkodrës njihet si liqeni më i madh i Ballkanit, mbretëron në mes dy shteteve, pjesa më e madhe e tij është nën “sundimin” e republikës malazeze. Sa i përket historikut të “legjendës” së ujit, që shtrihet jo shumë larg kalasës së Rozafës, studiuesit pohojnë Liqeni i Shkodrës ka origjinë neolitike dhe është një liqen karstik. Konsiderohet si liqeni me sipërfaqen më të madhe të Ballkanit që varion nga 370 në 540 km². Zona e basenit vlerësohet të këtë një sipërfaqe prej 5,490 km², ku rreth 80% i përket Malit të Zi dhe 20% i përket Shqipërisë. Liqeni i Shkodrës përmendet për këto lloje peshqish krapi, skorti i bardhë, qefulli, kubel, sharok, gjuza, karas. Për gatim tradicional, mbahet tava e krapit. Ai të serviret në tavë me lëng apo dhe me qepë, si dhe në tjegull.