“Standard & Poors” ngre vlerësimin për Shqipërinë nga e “qëndrueshme” në “pozitive”. “Standard & Poors” deklaroi dje, sipas “Wall Street Journal”, se beson se Shqipëria do të ulë deficitin e saj me 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2017. “Standard & Poors” në njoftimin e vet përmend gjithashtu përpjekjet e reformës strukturore të Shqipërisë, duke përfshirë forcimin e të drejtave pronësore dhe sundimin e ligjit, si arsye për të përmirësuar vlerësimin. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi pronësinë si korrupsioni vazhdojnë të peshojnë mbi klimën e biznesit të vendit dhe të pengojnë investitorët e huaj, deklaron “Standard & Poors”. Në qershor 2014, Bashkimi Europian ka rekomanduar që Shqipëria të punojë më shumë për të luftuar krimin e korrupsionin dhe të reformojë administratën publike, si pjesë e kritereve pas marrjes së statusit kandidat të vendit në BE. S & P deklaron se situata në Shqipëri mund të përmirësohet më tej, në qoftë se rritet Produkti i Brendshëm Bruto dhe në qoftë se vendi bën përparim në përpjekjet për të kryer reformat.