Studim për shëndetin e fëmijëve 11-15 vjeç. Problem, alkooli, duhani dhe kanabisi
Studimi ka marrë në analizë rreth 4898 nxënës, nga këta 2507 vajza dhe 2391 djem
Kanabis – 5.7 për qind e fëmijëve kanë konsumuar një herë kanabis. Ndërkohë 2.3 për qind e kanë përdorur atë vetëm gjatë 30 ditëve të fundit.
Alkooli – Një tjetër e dhënë lidhej me përdorimin e alkoolit, ku 11.2 për qind e kanë konsumuar gjatë 30 ditëve të fundit
Duhanpirja – 2.6 për qind e fëmijëve e pinë duhanin në shkolla. Numrin më të madh të përdoruesve e zënë meshkujt, por vërehet rritje e numrit të femrave
Marrëdhëniet seksuale – Në raport theksohet se 19.5 për qind e fëmijëve kanë kryer marrëdhënie seksuale, ku 64.7 për qind kanë përdorur kontraceptiv
Shifrat – 24% e fëmijëve i kanë baballarët pa punë dhe 58.4 për qind nënat shtëpiake. 1 në 2 të mitur raportojnë një gjendje ekonomike mesatare
Ekonomia – 1 në 2 të mitur jetojnë në një gjendje ekonomike mesatare. 1 në 3 fëmijë në gjendje të mirë dhe 14.5 për qind një gjendje të keqe ekonomike
Varfëria – 8 për qind e fëmijë raportojnë së kanë fjetur të uritur, kundrejt 92 për qind të nxënësve që nuk kanë pasur mungesë ushqimi
Shëndeti – 50% e fëmijëve e vetëperceptojnë gjendjen shëndetësore të shkëlqyer, ndërsa 5% thonë se kanë një gjendje të keqe shëndetësore
Komunikimi elektronik – 40.6% e nxënësve raportojnë se komunikojnë me shokët nëpërmjet Facebook-ut, 32 për qind me mesazhe dhe 25.3 nëpërmjet email-it
Instituti i Shëndetit Publik nxjerr shifra alarmante në lidhje me situatën e fëmijëve shqiptarë, të grupmoshës 11-15 vjeç. Në raport thuhet se konsumimi i drogave, alkoolit, kryerja e marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur, mund të sjellë pasoja sociale dhe jo vetëm. Studimi ka marrë në analizë rreth 4898 nxënës, nga këta 2507 vajza dhe 2391 djem. 5.7 për qind e fëmijëve kanë konsumuar një herë kanabis. Ndërkohë 2.3 për qind e kanë përdorur atë vetëm gjatë 30 ditëve të fundit. Shqetësuese është kryerja e marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur. Në raport theksohet se 19.5 për qind e fëmijëve kanë kryer marrëdhënie seksuale, ku 64.7 për qind kanë përdorur kontraceptivë, ndonëse nuk është e lejueshme për minorenët. Nga të dhënat, vetëm 5 për qind e të miturve që kryejnë marrëdhënie në moshë të hershme janë vajza, ndërsa djemtë kryejnë marrëdhënie me femra në moshë më të madhe. “Në qoftë se vjet u raportuan 14.5 për qind e rasteve të kryerjes së marrëdhënieve seksuale, këtë vit ka shkuar në 19,5 për qind. Ajo që vihet re në studimin e Institutit të Shëndetit Publik është se numri i meshkujve të mitur që kryejnë marrëdhënie seksuale është shumë më tepër se i vajzave, në një raport 95 për qind me 5 për qind. Një fakt tjetër i konstatuar në raport është edhe përdorimi i kanabisit”, – tha Gentiana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit, ISHP. Problem tjetër ishte edhe duhanpirja, ku 2.6 për qind e fëmijëve e pinë atë aktualisht në shkolla. Numrin më të madh të përdoruesve e përbëjnë meshkujt, por vihet re një rritje edhe e femrave konsumatore. Një tjetër e dhënë lidhej me përdorimin e alkoolit, ku 11.2 për qind e kanë konsumuar gjatë 30 ditëve të fundit. Gjithashtu thuhet se brenda një dite të vetme, të rinjtë kanë përdorur edhe 5 lloje të ndryshme pijesh. Për sa u përket dëmtimeve në raport thuhet se 35 për qind e tyre e kanë hasur këtë shqetësim. Gjatë stërvitjes janë dëmtuar 14 për qind e tyre, pas saj renditet ambienti rreth shtëpisë dhe mjediset sportive. Studimi jep shifra edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunikimin elektronik, zakonet e të ushqyerit, aktivitetin fizik, higjienën e gojës, mirëqenien e shumë të tjera. Në lidhje me kryerjen e aktivitetit fizik nga të rinjtë thuhet se në një masë të madhe, ata marrin pjesë në veprimtari sportive të paktën tre herë gjatë javës. Rreth 74.2 për qind, ku numrin më të madh e përbëjnë meshkujt. Ndërsa koha e shpenzuar përpara televizorit, gjatë fundjavës, tregon se ka më shumë fëmijë që shpenzojnë dy ose më shumë orë duke parë televizor, video apo edhe argëtime të tjera në ekran. Përpos kësaj, pabarazitë shoqërore janë të theksuara. 24 për qind e fëmijëve i kanë baballarët pa punë dhe 58.4 për qind nënat shtëpiake. 1 në 2 të mitur raportojnë një gjendje ekonomike mesatare. 1 në 3 fëmijë jetojnë në gjendje të mirë ekonomike dhe 14.5 për qind në një gjendje të keqe ekonomike. 8 për qind e fëmijëve raportojnë së kanë fjetur të uritur, kundrejt 92 për qind që nuk kanë pasur mungesë ushqimi. 50 për qind e fëmijëve e vetëperceptojnë gjendjen shëndetësore të shkëlqyer, kundrejt 5 për qind të atyre që shprehen se kanë një gjendje të keqe shëndetësore. Djemtë shprehen më pozitivisht për shëndetin e tyre, në raport me vajzat. Në lidhje me komunikimin elektronik, 40.6 për qind e fëmijëve që ndjekin shkollën raportojnë se komunikojnë me shokët nëpërmjet Facebook-ut, 32 për qind me mesazhe dhe 25.3 nëpërmjet email-it. Shefja e departamentit të promocionit, Gentjana Qirjako, bëri thirrje se duhen marrë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të miturit. “Ky studim duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për të gjithë institucionet që lidhen me shëndetin e fëmijëve, kryesisht ato arsimore dhe shëndetësore, për të hartuar politika, për të zbatuar programe, që të kenë në fokus jo thjesht promovimin e sjelljes së shëndetshme, apo jo thjesht luftën kundër sjelljeve të rrezikshme, por të marrin parasysh edhe kontekstin social ku zhvillohen të gjitha këto sjellje”, deklaroi ajo.