Zyrtarët kanë keqkuptuar udhëzimet e partive
Duhet medoemos që përfaqësues të partive të tjera të koalicionit të jenë në pozicione drejtuese për të marrë dhe ato përgjegjësinë për shtetin e ri që duam të ndërtojmë
Artemisa Hoxha
Deputeti i PS-së, Namik Kopliku, në një intervistë për gazetën “Shqip”, shprehet se pas një viti qeverisjeje, e majta ka nisur një procedurë të verifikimeve të emërimeve në administratë, të cilat kanë qenë në fokus të akuzave nga opozita si emërime politike, por dhe vetë brenda këtij koalicioni ka pasur përplasje. Grupi i punës, sipas deputetit të PS-së, ka evidentuar raste të përplasjeve në emërime të niveleve të dyta, ku, sipas tij, institucionet që drejtohen nga LSI-ja nuk duhet të punësojnë vetëm militantë të kësaj partie. E njëjta kritikë vjen dhe për ato që drejtohen nga PS-ja. Sipas tij, ende nuk ka një marrëveshje PS-LSI për ndarjen e kandidatëve që do të propozojnë partitë për 61 bashkitë e reja për zgjedhjet vendore.
Partia Socialiste ka ngritur një grup pune për skanimin e emërimeve që në administratë. Cila ka qenë puna që ka kryer deri më tani ky grup, pasi emërimet në administratë nuk kanë qenë thjesht akuza nga opozita, por edhe në disa raste përplasje brenda koalicionit?
Kjo është një detyrë e ngarkuar nga PS-ja, ku tre deputetët, Taulant Balla, Majlinda Bufi dhe unë jemi në grupin në punës për të shqyrtuar të gjitha emërimet që janë bërë në administratë, që nga marrja e mandatit nga qeveria e deri në ditët e sotme. Në çdo takim që kemi bërë, ku deri më tani kemi mbyllur gjashtë qarqe, fillimisht në biseda me drejtuesit e institucioneve kemi ngulur këmbë që ky takim së pari ka të bëjë me mirëqeverisje. Ka pasur tërheqje vërejtjesh në mjaft raste, pasi nuk ka homogjenitet në të gjithë sektorët në mënyrën sesi drejtohen nga drejtorë institucionesh qoftë në drejtim të emërimeve apo dhe rezultateve në punë. Kjo vjen nga një ndjenjë e drejtuesve të ndërmarrjeve që drejtojnë, por ndonjëherë dhe nga mllefi i së kaluarës 8-vjeçare të Sali Berishës dhe idesë së një revanshi. Kemi tërhequr vëmendjen që në qeverisje ne nuk jemi në revansh me Sali Berishën, por për të ndërtuar një Shqipëri që ai na la të kalbur në borxhe. Kemi tërhequr vëmendjen që punësimet të bëhen mbi kritere profesionale. Sigurisht që jemi të interesuar që militantët e partisë sonë mundësisht të jenë të punësuar me prioritet dhe në asnjë mënyrë kriteri themelor të jetë përkatësia partiake, por profesionalizmi i tyre. Për këtë i kemi paralajmëruar se nuk do të jetë thjesht një udhëzim i herëpashershëm, por do të ketë dhe kontrolle e përgjegjësi mbi këto emërime. Në këto takime kemi bërë dhe një analizë të respektimit të marrëveshjes ndërmjet dy forcave të koalicionit, PS-së dhe LSI-së. Por jo gjithmonë është kuptuar mirë nga drejtuesit e institucioneve nëpër rrethe, duke i quajtur shpeshherë dhe institucionet që drejtohen nga PS-ja të PS-së dhe ata që drejtohen nga LSI-ja të LSI-së. Ky është një dualizëm, një luftë me njëri-tjetrin, shpeshherë në formë banale, ndërkohë që nuk është ky udhëzimi nga kryesia apo drejtuesit e PS-së apo dhe LSI-së.
A keni evidentuar raste të emërimeve jashtë kritereve?
Jemi munduar ta bëjmë të qartë si grup pune, ku në çdo takim kemi pasur dhe përfaqësues të LSI-së, që mbi të gjitha jemi të interesuar për mirëqeverisje në aspektin moral dhe së dyti, përveç aspektit moral, u kemi treguar edhe dhëmbët teksa kemi kërkuar edhe rezultate në punë. Pritshmëria është shumë e madhe dhe kjo nuk realizohet dot nga Kryeministri apo dhe qeveria, por ajo së pari është e perceptueshme nga çdo drejtues institucioni. Siç i thonë një fjale, “Çdo byreku, peta e parë i digjet”, kështu që ne i kemi paralajmëruar ose të bëjnë mirë detyrën që kanë marrë përsipër ose shumë shpejt do të ketë zëvendësime të drejtuesve të institucioneve. Kjo ka qenë veprimtaria e grupit tonë, ku deri më tani kemi edhe rezultate për emërimet që janë bërë. Kemi kërkuar për çdo emërim kritere dhe mbi ç’bazë është punësuar, si dhe përkatësinë partiake. Të dhënat që kemi marrë do t’i kontrollojmë në mënyrë direkte.
Partitë e vogla të koalicionit të majtë kanë kërkuar rishikim të ndarjeve të posteve në administratë, si ju duken pretendimet e tyre?
Në çdo rreth të Shqipërisë ndihet kërkesa e partive të koalicionit, të cilat me të drejtë kërkojnë përfaqësim në administratë. Mendoj se kjo është diçka që zgjidhet mes drejtuesve të partive të koalicionit që bashkëqeveris sot. Personalisht mendoj se duhet medoemos që përfaqësues të partive të tjera të koalicionit të jenë në pozicione drejtuese për të marrë dhe ato përgjegjësinë për shtetin e ri që duam të ndërtojmë.
Një tjetër grup pune në PS është edhe ai për çështjet zgjedhore, ku pothuajse ka mbaruar faza e parë e takimeve me degët e partisë në qarqe, përveç Tiranës dhe vjen një fazë e dytë, ajo e seleksionimit të emrave. A është gati PS-ja me emra konkretë në qarqe të caktuara?
Mendoj se PS-ja punën më të mirë që ka për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale është aktualisht mirëqeverisja qendrore. Nuk është momenti ende që PS-ja të dalë me emra konkretë. Imagjinoni për 61 bashkitë e reja po të kemi emra sot, ku është avantazhi elektoral? Vetëm një avantazh ka PS-ja, atë të mirëqeverisjes nëpërmjet reformave që janë pritur shumë mirë në popullatë, pavarësisht se ndonjëherë duken drastike. Këto do të jenë arma jonë më e fuqishme në fushatën e ardhshme elektorale, jo emrat. Emra do të jenë përfaqësues të forcave politike, ku sigurisht koalicioni do të dalë me një emër në secilën bashki. Ne do t’i quajmë kandidatë të koalicionit “Për një Shqipëri europiane”, nuk do të ketë siglën as PS dhe as LSI apo emrin e një force tjetër. Përcaktimi i emrave nuk është çështje e ditës në PS.
A ka një marrëveshje PS-LSI për ndarjen e bashkive të mëdha, të cilat do të kenë kandidatët respektivë të partive?
Ndërmjet PS-LSI ka një marrëveshje të madhe që të qeverisin për katër vjet. E njëjta marrëveshje do të jetë të bashkëqeverisin në pushtetin lokal për mandatin që vjen. Duke thënë që PS-ja nuk e ka çështje të shtruar në këtë moment, jam i sigurt që as LSI-ja nuk e ka. Gjithsesi, kjo është një çështje që zgjidhet mes drejtuesve të dy partive. Sigurisht që do të ketë një ndarje, por jam i sigurt për 61 bashkitë e reja, PS dhe LSI, por edhe partitë e tjera të koalicionit tonë do të paraqesin kandidatura që mund të jenë njerëz me kontribute në partitë respektive.
Si ka ecur bashkëqeverisja me LSI-në në një vit koalicion?
Se si ka shkuar marrëveshja PS-LSI është populli që e vendos. Qeveria është mjaft mirë me gjithë situatën si e mori, në të cilën kishte një gropë të madhe financiare që pengonte çdo aspekt të qeverisjes. Me reformat që janë ndërmarrë, qeverisja po ecën shumë mirë. Rezultatet e qeverisë, të cilat, pavarësisht sektorit që kanë ministrat përkatës të propozuar nga forca politike, duhet të jenë e një force të tërë. Marrëveshje do të thotë qeverisje, por edhe përfaqësim në nivele të ulëta të drejtuesve të institucioneve. Nëse ka pasur nuanca të ndarjes mes PS-së dhe LSI-së, ato kanë qenë në nivele poshtë, për ata sektorë që praktikisht nuk janë as të PS-së as të LSI-së, siç janë diplomacia, doganat, tatimet dhe arsimi.
Mund të konsiderohet “ngërç” institucional marrëdhënia mes mazhorancës dhe Presidentit, duke marrë parasysh këtu rrëzimin për të pestën herë të dekreteve për Gjykatën e Lartë dhe mosdakordësinë për një emër të përbashkët për guvernator të Bankës së Shqipërisë?
Mund të them që nuk ka ngërç, por ky është një pozicionim haptas i Presidentit si përfaqësues jo i unitetit të popullit, por i një partie politike, përkatësisht të PD-së. Jo pesë, por dhe 100 dekrete që mund të dërgojë Presidenti, i dërgon për të provokuar mazhorancën, pasi ai nuk ka nevojë që të bëjë dekrete, që e di që nuk do të votohen. Do të ishte më e udhës që të thërriste përfaqësuesit e mazhorancës për çdo propozim, të debatojë me ta me dyer të mbyllua para se të sjellë një dekret në Kuvend. S’ka pse bën shou, duke dërguar dekrete dhe duke numëruar sa dekrete i kthen mbrapa Parlamenti. Se ku mendon të dalë Presidenti me këtë pozicionim, duke u kapur pas leximit përciptazi të Kushtetutës që i ka dhënë të drejtën të propozojë drejtues institucionesh, por nuk i ka dhënë të drejtën që të jetë pronar i këtij vendi, nuk e dimë.
Aleatët, lista me kërkesat për punësime në selinë e PS
Kur ka kaluar më shumë se një vit qeverisje nga koalicioni i majtë, partitë aleate të PS-së, që nuk përfaqësohen me poste qeveritare, i kërkojnë partisë më të madhe në koalicion punësime të militantëve të tyre në administratë. Kërkesat janë depozituar pikërisht te koordinatori i koalicionit të majtë, Gjetë Ndoj. Partia Socialiste ka vendosur të punësojë vetëm pesë emra të propozuar nga çdo kryetar partie të vogël, duke përjashtuar Patinë Socialdemokrate, Partinë Demokracia Sociale dhe PBDNJ, të cilat kanë një numër më të madh votash, krahasuar me partitë e tjera të vogla. Listat e të vegjëlve përmbajnë nga 12 deri në 30 emra, të propozuar për t’u punësuar. Kërkesat e tyre ishin më shumë për pastruese dhe roje në spitale. Por, koordinatori i caktuar nga Rama, i ka kthyer mbrapsht shumicën e listave. Ai u ka kujtuar të vegjëlve numrin e vendeve të punës që u takon në bazë të marrëveshjes dhe të përllogaritjes së rezultatit.