Sigurimet


Kompensimi i energjinë dhe indeksimi për inflacionin. 400 mln lekë pensionet sociale


Skema – Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërorepër vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë ose 7.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me 2014.


Ndihma – Shpenzimet për pagesën e papunësisëparashikohen në nivelin e vitit 2014, në masën 1 miliard lekë. Ndërsa fondi për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuarparashikohet në nivelin 19.9 miliardë lekë.


Energjia – Fondi për shtresat në nevojë rritet 500 milionë lekë krahasuar me vitin 2014 dhe do të përdoret për mbulimin e efektit të heqjes së fashës 300kw/muaj për energjinë elektrike.


Pensioni social – Në janar 2015, për herë të parë zbatohet dhënia e pensioneve sociale. Fondi parashikohet të jetë rreth 5000 persona me një kosto vjetore prej rreth 400 milionë lekë në vit


Zamir Alushi 


pensionistet (3)Pensionet do të rriten dy herë gjatë vitit 2015. Për kryefamiljarët do të ketë kompensim të plotë të energjisë elektrike për heqjen e fashës 300 kw/muaj, në janar 2015, ndërsa për të gjithë pensionistët, në korrik 2015, si çdo vit, do të zbatohet një rritje e pensioneve e barabartë me inflacionin vjetor (aktualisht 1.5-2%).


Politika e pensioneve


Për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh, që mbulon rritjen e parashikuar të të gjitha pensioneve, në përputhje me reformën e re të këtij sektori, e cila starton zbatimin e saj në 1 janar 2015. Në relacionin e qeverisë për projektligjin e buxhetit të vitit 2015, theksohet se, në zbatim të ligjit të ndryshuar “Për sigurimet shoqërore”, do të intensifikohen përpjekjet për përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës së pensioneve, duke synuar minimizimin e subvencionit buxhetor. Synohet që të përsosen me tej procedurat dhe proceset e mbledhjes së kontributeve, si dhe shpërndarjes së drejtë të tyre në formën e përfitimeve. Gjithashtu, synohet garantimi i mbulimit sa më të plotë të popullsisë së vendit me elemente të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të mbajtura në nivele të pranueshme.


Pensioni social


Në janar 2015, do të fillojë për herë të parë të zbatohet pensioni social, i cili parashikohet t’u akordohet qytetarëve shqiptarë, mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura të tjera të përfituara nga pasuritë, trashëgimitë, të ardhura nga investimet etj. Në vitet e para, numri i përfituesve që i përket kësaj kategorie parashikohet të jetë rreth 5000 persona me një kosto vjetore prej rreth 400 milionë lekë në vit.


Shifrat e skemës


Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërorepër vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë ose 7.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014.


Buxheti i skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2015 është: Të ardhurat, gjithsej 100 339 milionë lekë; Nga të cilat, kontributet 58 218 milionë lekë dhe transferimet nga buxheti i shtetit 42 121 milionë lekë. Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet. Ndërkaq, skema e sigurimit suplementar parashikon 5 708 milionë lekë të ardhura, nga të cilat: kontributet 770 milionë lekë; transferimet nga buxheti i shtetit 4 938 milionë lekë. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 020 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.


Shtresat në nevojë


Shpenzimet për pagesën e papunësisëparashikohen në të njëjtin nivel sikurse dhe vitet e kaluara, në masën 1 miliard lekë. Ndërsa fondi për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuarparashikohet në nivelin 19.9 miliardë lekë. Ndërkohë që, sipas relacionit argumentues dërguar Kuvendit, qeveria thekson se gjatë vitit 2015 e gjithë skema e ndihmës ekonomike dhe e pagesës së paaftësisë do t’i nënshtrohet një procesi rrënjësor rivlerësimi. Sipas relacionit, do të rishikohen si procedurat e përfitimit të një statusi të tillë, ashtu edhe instrumentet dhe mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të saj, me qëllim eliminimin e abuzivitetit në skemë dhe uljen e barrës financiare në buxhetin e shtetit. Për shtresat në nevojë është parashikuar edhe fondi prej 1.6 miliardë lekë si kompensim, në mbështetje të politikave të reja në sektorin e energjisë. Ky fond paraqitet me një rritje në masën 500 milionë lekë krahasuar me vitin 2014 dhe do të përdoret për mbulimin e efektit të heqjes së fashës 300kw/muaj për energjinë elektrike.