Analiza
Qeveria veçon si kërcënim të mundshëm përkeqësimin e borxhit publik dhe mosmbledhjen e të ardhurave tatimore
Mosrealizimi në kohë i investimeve publike, pagesat për vendimet e Strasburgut, përkeqësimi i borxhit publik, mosmbledhja e të ardhurave tatimore, janë disa nga rreziqet e mundshme të parashikuara nga qeveria për zbatimin e buxhetit të planifikuar. Gjatë këtij viti, mosrealizimi i projekteve detyroi qeverinë të bëjë rialokime fondesh në shtator 2014. Sipas relacionit të qeverisë, për vitin 2015, do të ndërmerren masa kontrolli javor dhe mujor për investimet kryesore publike.
Vendimet e Strasburgut për pronat
Shpenzimet për Kompensimin në Vlerë të ish-pronarëve për periudhën 2015-2017 parashikohen në masën 1.4 miliardë lekë në vit (nga të cilat 1 miliardë lekë janë të ardhura nga ALUIZNI). Ndërkohë që fatura e plotë është në proces llogaritjeje, buxheti i shtetit rëndohet gjatë vitit nga vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë në favor të paditësit, me një efekt financiar të konsiderueshëm. Vetëm për një vendim të tillë, në projektbuxhetin e vitit 2015 për Ministrinë e Financave parashikohet një fond në masën 1.2 miliardë lekë (ekuivalent i 8 milionë euro).
Një problematikë komplekse ka edhe zbatimi i vendimeve gjyqësore që lidhen me aspekte të tjera të menaxhimit në institucionet buxhetore dhe kanë kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit, thekson Ministria e Financave. Miratimi së fundi i një udhëzimi të Këshillit të Ministrave siguron një proces të drejtë, transparent dhe eficient në zbatimin e vendimeve gjyqësore, por, sipas relacionit, njëkohësisht rrit përgjegjshmërinë e institucioneve në mbrojtjen më të mirë dhe profesionale të interesave të shtetit.
Akumulimi i detyrimeve të reja
Një nga çështjet më problematike në sistemin tonë buxhetor u vërtetua se ishte akumulimi i detyrimeve të prapambetura të krijuara në vite dhe pamundësia e shlyerjes së tyre. Qeveria adresoi me prioritet çështjen e shlyerjes së tyre, por ndërkohë, me asistencën më të specializuar ndërkombëtare, ndërtoi edhe një sistem të plotë të parandalimit të akumulimit të detyrimeve të reja. Aktualisht, nëpërmjet një udhëzimi të ministrit të Financave, janë përcaktuar rregullat dhe procedurat për kontrollin e kontratave shumëvjeçare. Në buxhetin e vitit 2015, për herë të parë, do të miratohen edhe tavanet e shpenzimeve për vitet 2016 dhe 2017, gjë që do të përforcojë sistemin e kontrollit të angazhimeve buxhetore. Njëkohësisht, është në proces edhe ndërtimi i një sistemi informatik, pjesë e sistemit të thesarit, që do të shërbejë si një instrument për realizimin e kontrollit të angazhimeve buxhetore.