Financat


Prezantohet në Kuvend projektbuxheti dhe paketa fiskale për vitin e ardhshëm


Zamir Alushi


5 nentor, prezantimi buxhetit 2015Katër objektiva përbëjnë shtyllat e projektbuxhetit për vitin 2015. Gjatë prezantimit të bërë dje, pasdite në Komisionin për Ekonominë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka theksuar se buxheti 2015 ka si synime: Rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe punësimin; Uljen e rreziqeve të rritjes, ku hyn niveli i borxhit publik dhe masat për sektorin e energjisë elektrike; mbështetjen e reformave të pensioneve, të energjisë, administrativo-territoriale dhe mbrojtjen sociale. “Është një buxhet i konsultuar gjerësisht me partnerët ndërkombëtarë të cilët na ndihmojnë nga ana teknike, por edhe si financues të buxhetit. Buxheti garanton rritjen ekonomike”, tha Cani në Komisionin për Ekonominë. Një paraqitje të zgjeruar të buxhetit 2015 dhe të paketës fiskale, Cani e bëri edhe në Byronë Parlamentare. Kryetari i Komisionit për Ekonominë, Erjon Braçe, i ka kërkuar ministrit Cani që të shohë me kujdes papërgjegjshmërinë që po bëjnë tregtarët pas rritjes së disa taksave, duke përmendur çmimin e cigareve. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u interesua nëse buxheti është diskutuar me grupet e interesit.


Të ardhurat dhe deficiti


Deficiti buxhetor bëri të ditur ministri i Financave, Cani, në Byronë Parlamentare, për vitin 2015 parashikohet të ulet në nivelin 4.0% të PBB nga 6.6% e PBB që ishte planifikuar në buxhetin 2014. Financimi i tij do të realizohet kryesisht nëpërmjet huamarrjes së brendshme me rreth 2.9% të PBB. Për rrjedhojë, niveli i Borxhit Publik në fund të vitit 2015 parashikohet të ulet në nivelin 70.6% të PBB, krahasuar me nivelin e pritshëm të tij për vitin 2014 prej 71% të PBB. Rritja ekonomike, deklaroi Cani, pritet të rimëkëmbet gradualisht në 3% në vitin 2015, e më pas të arrijë 4% në vitin 2016 dhe 4.5% në vitin 2017. Totali i të ardhurave buxhetore për vitin 2015, sipas ministrit Cani, është parashikuar në nivelin rreth 414.4 miliardë lekë, ose rreth 27.8% e PBB, me një rritje në terma nominalë prej 49.7 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014. Totali i shpenzimeve publike për vitin 2015 është planifikuar të arrijë 475 miliardë lekë ose rreth 31.7% e PBB.


Reforma e pensioneve


Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015, parashikohet në masën 106 miliardë lekë ose 7.1% e PBB, me një rritje në masën 5.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014. Për politikën e rritjes së pensioneve është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh, që mbulon rritjen e parashikuar të të gjitha pensioneve, në përputhje me reformën e re të këtij sektori, e cila starton zbatimin e saj në 1 janar 2015.


Energjia


“Është parashikuar edhe fondi prej 1.6 miliardë lekësh, si kompensim për shtresat në nevojë, në mbështetje të politikave të reja në sektorin e energjisë. Ky fond paraqitet me një rritje në masën 500 milionë lekë krahasuar me vitin 2014. Njëkohësisht, për herë të parë në vitin 2015, në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në këtë zë, përfshihet edhe fondi në mbështetje të industrisë fasone, për rrjedhojë zëri subvencione në totalin e vet paraqet një rritje në masën 160 milionë lekë, krahasuar me vitin 2014”, deklaroi Cani


Të përndjekurit dhe ish-pronarët


“Shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të ish-pronarëve, parashikohet në total në masën prej 1.4 miliardë lekë ose 0.1% e PBB, i njëjti nivel si në buxhetin fillestar 2014”, tha Cani. Në relacionin shoqërues të projektligjit për buxhetin, theksohet se vendimet e Gjykatës së Strasburgut në favor të pronarëve e rëndojnë balancën e buxhetit, prandaj Ministria e Drejtësisë, AKKP dhe grupi ndërministror duhet që në një afat kohor të shpejtë të nxjerrin faturën financiare për kompensimin. Duke folur për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, ministri Cani deklaroi se, është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB, me një rritje në masën 200 milionë lekë krahasuar me buxhetin fillestar 2014.


Detyrimet ndaj biznesit


“Për vitin 2015, u shpreh kreu i financave publike, fondi për detyrimet e prapambetura parashikohet në masën 20 miliardë lekë, nga 35 miliardë lekë që ishte në planin fillestar 2014. Ky nivel është përcaktuar në dakordësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, deklaroi Cani.


Investimet


Investimet publike, për vitin 2015, janë planifikuar 5.4% e Produktit të Brendshëm Bruto ose 80 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 12.5 miliardë lekë). Për sa i takon shpërndarjes së investimeve sipas ministrive të linjës, edhe në buxhetin e vitit 2015, peshën kryesore të investimeve gjithsej e zë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës me rreth 58,3% të investimeve gjithsej. Investimet për infrastrukturën për vitin 2015 janë parashikuar 39,300 milionë lekë, kundrejt 35,136 milionë lekë në vitin 2014, me një rritje neto prej 11,85%. “Gjatë vitit 2015 do të vazhdojë financimi i projekteve në vazhdim me qëllim reduktimin e mëtejshëm të detyrimeve kontraktuale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, rritjen dhe përmirësimin e shërbimeve publike në fushën e furnizimit me ujë të popullsisë”, tha Cani. Për Ministrinë e Bujqësisë, Cani deklaroi se, investimet për vitin 2015 janë parashikuar në vlerën 3,425 milionë lekë, kundrejt 3,185 milionë lekë të financuara në vitin 2014, me një rritje prej 7,53%. Në 27 nëntor 2014, buxheti dhe paketa fiskale do të kalojë për miratim në Parlament, ndërkohë që për herë të parë ai do të bëhet efektiv që ditën e parë të vitit 2015.


 


Paketa fiskale


Sektori i sigurimeve: Heqja e TVSH dhe zbatimi i një takse prej 3% mbi primin bruto.


Rritja e rentës minerarepër pushtetin vendor dhe heqja e kufizimeve në ligjin e buxhetit.


Përrafineritë vendase: ulet taksa doganore e naftës bruto nga 10% në 0%.


Sektori i përpunimit të mineraleve: Ulje e rentës me 1/3 për kromin e përpunuar.


Për gomat e reja: ulja e taksës doganore nga 15% në 10%.


Industria e përpunimit të bitumit: hiqet akciza për bitumin natyral.


Përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale kontributet në fondet vullnetare të pensioneve.


Firot: rregullimi i përcaktimit të normativave të firove, humbjeve gjatë prodhimit, magazinimit dhe transportimit (VKM brenda 6 muajve).


Amortizimi me vlerën e mbetur: lehtësimi i bizneseve duke lejuar zbritjen e vlerave të mbetura nën 3% dhe 10%, sipas dy grupeve.


Rimbursimi i TVSH: lehtësim i mëtejshëm duke vendosur riskun si kriter për kontroll (heqja e kontrollit të detyrueshëm)


Tatimi mbi të ardhurat personale (përveç tatimit mbi pagën) nga 10% në 15%


Rritja me 10 lekë/ litri e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin


Rritja e akcizës së cigareve me 20 lekë/paketa për cigaret


Lehtësimi i agropërpunuesve duke njohur 20% TVSH të zbritshme për furnizimet nga fermerët (nga 6% më parë).


Sektori i peshkimit përjashtohet nga taksa e qarkullimit dhe karbonit për karburantet (përjashtimi arrin në 67 lekë për litër)


Për lëndët e para: hiqen tarifat doganore për: grurin, materialin biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim.


Shmangia e penalizimit për diferencat në peshë


Përjashtimi i TVSH-së në import për mjetet dhe makineritë ushqimore


Përjashtimi nga TVSH-ja në import i kafshëve të gjalla për majmëri.