Opinion ODISEJA E HERONJVE TË VIGUT

ODISEJA E HERONJVE TË VIGUT

3299
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ 

(Tri herë ngul-shkul përmendorja e tyre dhe ende pa zënë vend!…)

Ndue DedajHistoria e Heronjve të Vigut duket se nuk ka mbaruar. Pesë njerëz idealistë, bij të popullit, nisën me mision në Mirditë, si një njësit partizan që nxitonte të ndërlidhej me partizanë të tjerë në ato anë, por në hyrje të krahinës i pret prita vrastare. Vendi ishte nën pushtimin gjerman dhe mjafton kaq që inkursioni i tyre të ishte i përligjur. Ka pasur komente të natyrës ideologjike, pse jo dhe dashakeqe, se ata nuk u vranë nga gjermanët dhe kjo nga ana formale është e vërtetë, ama nuk mund të thuhet se nuk u vranë pikërisht nga ata që ishin në shërbim të qeverisë kuislinge “kukull” të Tiranës. Nuk i vrau as populli, as Kapidani (siç shkruhet ndonjëherë në stilin e propagandës së djeshme), përndryshe një vrasje e tillë e cilëvedo qofshin do të ishte e pabesë në një vend si Mirdita e palcës së Kanunit. Por i vrau pushtimi nazist, si antifashistë që ishin. Ka pasur banorë që e kanë kundërshtuar atë vrasje të pesëfishtë, pasi ata djem kishin ngrënë bukën e tyre, por autoritetet e vendit kanë argumentuar se ishte qeveria në luftë me ta dhe jo Vigu. E kjo jo vetëm sipas filmit “Besa e kuqe”, por sipas dëshmitarëve që ende janë gjallë.

Atëherë ndodh si në legjenda, ata janë rrethuar si në një kështjellë natyrore dhe kërkojnë ujë, por askush nuk mund ta çajë rrethimin pasi do të vritej. Është një grua që befas mbin në fushën e betejës, nxiton të mbushë shtambën e ujit te një krua aty afër dhe iu çon ujin atyre të pestëve. Ajo quhet Drane Jaku. Gruaja nuk mund të vritej, dhe as të kontrollohej nga askush, pasi kështu do të cenohej nderi i saj. Ndaj ata të pestë shkruan një letër dhe e nënshkruan me pseudonimet e tyre të Luftës dhe ajo grua e rrallë e çon në shtabin partizan. Kjo mund të jetë një nga historitë më të veçanta, dramatike të krejt Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në Shqipëri, por ne nuk kemi pasur nge deri më sot të merremi me arkivin e antifashizmit, pasi na ka preokupuar më shumë heqja dhe vënia e busteve të tyre. Rasti i Heronjve të Vigut është më ekstremi në këto dy dhjetëvjeçarë të demokracisë. Rri e vret mendjen se ç’do të kishte ndodhur me këta pesë partizanë të Luftës së Dytë Botërore nëse do të kishin qenë rusë, francezë, amerikanë? A thua atje ku do të kishin rënë, do të ishin sjellë me ta kështu si në Shqipëri? Nuk na bën nder fakti që ende nuk ua kemi gjetur vendin shtatoreve e përmendoreve të historisë së këtij populli, përfshi dhe atë të Heronjve të Vigut (në cilin shesh qyteti apo në vend-rënie?) por disa herë është gabuar me këta heronj, edhe kur përmendorja e tyre relativisht e vogël në vitin 1983 u hoq nga qendra e Shkodrës dhe u vu në një kryqëzim më pozant të qytetit, në përmasa më të mëdha, për t’u ekspozuar më shumë, dhe kur në vitin 2009 u hoq prej aty dhe përfundoi te Varrezat e Dëshmorëve të Shkodrës në periferi. E përsëri pushteti aktual kërkoi që ata të ktheheshin në qytet, duke i vënë këto ditë në një shesh të ri, në kryqëzimin e rrugës Shkodër-Koplik. Koha do të tregojë nëse dhe kjo lëvizje, e treta deri tani, është e fundit! Sidoqoftë për të gjithë këtë odise vetëm ata nuk mbajnë përgjegjësi.

Nisur dhe nga kjo odise, ngul e shkul heronjsh, një gjë është e sigurt, që ne ende nuk dimë si të sillemi me historinë, dëshmorët dhe martirët e saj. Nuk kanë mjaftuar 70 vite që ata të gjenin prehje, ngaqë ne nuk kemi një vetëdije historike të pandikuar nga politika. Sot mund t’i vëmë epitete si të duam Luftës, por kjo nuk zbeh asgjë në nderimin meritor karshi veprës së dëshmorëve. Edhe kur, në rastin e këtyre pesë partizanëve, nuk bëhet asnjë nderim nga organet vendore që e kanë detyrim institucional, ashtu si dhe për Perlat Rexhepin, Branko Kadinë, Jordan Misjen etj. Ndërkohë që disa organizata veteranësh sillen me heronjtë e Luftës si me xhaxhallarët e tyre, duke qenë vetëm ata që çojnë kurorë dhe mbajnë të njëjtat fjalime tash shtatëdhjetë vjet. Është qesharake si lënia në harresë e përkujtimit të tyre nga qeveritë dhe bashkitë e djathta, për shkak të frymëzimit politik-partiak, si përvetësimi i kurorave të dëshmorëve nga qeveritë dhe bashkitë e majta, po prej frymëzimit politik-partiak të kahjes tjetër, pa iu shkuar mendja se nuk janë vetëm dëshmorët nacionalçlirimtarë që presin lule, por dhe ata nacionalistë të Luftës, sado të paktë, që gjithashtu meritojnë kurora. Por këta të fundit ka gjasë as të mos jenë shpallur zyrtarisht të tillë nga organet përkatëse. Në këtë 70-vjetor është emocionuese të dëgjosh veteranë si Rahman Përllaku për epopenë antifashiste, por nuk është bërë asnjë botim akademik këto vite, as sa vëllimet “Yje të pashuar”, apo historikët e brigadave partizane. Dinjiteti i Luftës nuk mund të bjerret e as të bisht(n)ohet. Antifashizmi është një nga meritimet më të mëdha të shqiptarëve gjatë gjithë historisë së tyre. Natyrisht nuk është fjala për të organizuar parada si ato të dikurshmet, as për gjigandomani festive, por për të bërë aq sa e si duhet. Rrallë ndonjë stacion televiziv ka bërë ndonjë emision për këtë ngjarje, ku në këtë rast përballja e “palëve” nuk është gjetja e duhur, pasi në thelb për Luftën nuk ka palë mes shqiptarëve, por ka një palë shqiptare, që ka luftuar kundër një pale tjetër, fashiste apo naziste. Kjo nuk do të thotë të mos fokusohemi në të pathënat e kohës së Luftës, përkundrazi sa më shumë dëshmi të panjohura arkivore e më mirë, që kur ta marrin fjalën në një të ardhme historianët të mos ketë më pika të errëta. Lufta dhe diktatura që u vendos më pas janë dy gjëra të ndryshme. Luftën e bënë 70 mijë shqiptarë, të shumtit pa teserë partie, kurse luftën e klasave e zhvilloi PPSH-ja si reparti pararojë i klasës punëtore. Diktatura i shkeli me të dyja këmbët idealet e Luftës, duke kthyer Tepelenën në vend internimi masiv e Spaçin në burg të lirisë. Ku Heronjtë e Vigut dhe ku “togerbabët” e diktaturës së proletariatit që e mbushën Shqipërinë me martirë të idealeve demokratike.

Njerëzit e qytetëruar dinë t’ia bëjnë nderimin Luftës. Studentët e arteve të Shkodrës shtegtuan këto ditë drejt Gëziqit e Shpalit, pranë lapidarëve, ku performuan muzikë. Por nuk kishte të rinj që të ndiznin zjarre partizan. Ndoshta dikush apo disa do të shtegtojnë dhe drejt Vigut. Dhe kur të venin atje do të kërkonin me sy jo vetëm imazhin e Ahmet Haxhisë, Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit, Hydajet Lezhës e Ndoc Dedës, po dhe atë të gruas mirditore, veshur me të bardha, Drane Jaku. Ajo ende do të jetë duke ecur suferinës së krismave me shtambën e ujit në duar, për të shuar etjen e të rrethuarve. Nuk duhet harruar ajo shqiptare fisnike, që sfidoi pritën, për të shpëtuar pesë jetë njerëzore… dhe se fotografia e saj nuk është askund në fototekën çlirimtare. Ajo do ta bënte atë akt për cilindo shqiptar, pasi kjo ishte mbrujtja e saj kristiane. Ajo nuk e dinte se ç’ishte një formacion partizan, se kush e udhëhiqte, nuk dinte emrin e komandantit e komisarit, për të kishte rëndësi vetëm një gjë, të shpëtonte pesë njerëz. Edhe nëse ata do të ishin të një kombësie tjetër. Në ato rrethana, apo në rrethana të tjera. Kumti i saj është vetëm ky. Ashtu siç ajo grua kishte hyrë mes “burrave në gjak” dhe kishte ndalur pushkën e tyre. Por kësaj here fatalisht ajo nuk mundi ta ndalte gjakun…

***

Përmendorja e Heronjve të Vigut kishte mbetur pezull! I duhej gjetur vendi i duhur dhe jo një vend sa për të kryer zhvendosjen politike të radhës. Por a u gjet dhe këtë herë, vendi i duhur, duke u shtyrë për nga Kopliku?! Për mendimin tonë, jo. Zakonisht përmendoret e dëshmorëve vihen aty ku ata kanë rënë. Shtatorja e Gjeçovit është lartuar në Zym të Hasit. Shtatorja e Shotë Galicës në Fushë-Krujë. Por a duhen çuar në Vig ata të pestë? Ndoshta po!… Nuk shkojnë heronjtë te njerëzit, por këta të heronjtë, aty ku ata kanë rënë. Ka qenë pjesë e propagandës “pasopartizimi” i tyre në qytete. Shihni monumentet e Luftës së fundit në Kosovë, të gjithë janë aty ku kanë rënë luftëtarët. Jo vetëm dëshmorët, por dhe figurat e shquara të kulturës vihen aty ku kanë bërë emër. Ndre Mjeda e ka shtatoren në Kukël. Lasgush Poradeci në Pogradec. Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Eqerem Çabej në Gjirokastër. Vende me të cilat ata identifikohen. Nëse nuk ka infrastrukturë moderne për në Vig, ka disa motive për të cilat ajo rrugë duhet bërë sa më parë, se është pjesë e rrugës së vjetër tradicionale Shkodër-Orosh-Prizren, për rivitalizmin e atyre anëve të braktisura dhe zhvillimin e turizmit, për shkak se atje është një kala e Skënderbeut (e Kastrit) e natyrisht dhe se shpie në vendin ku heroizmi partizan ka një gjurmë të tijën. T’i çojmë atje për t’i nderuar dhe jo për t’i tretur… Ku janë Këshilltarët e Hekalit? Dëshmorët e Pojskës? Martirët e Grehotit? Qëndrestarët e Postribës? Heroi i Prekazit Adem Jashari? I kanë përmendoret aty ku ata luftuan dhe ranë. Emri i Heronjve të Vigut është i lidhur vetëm me Vigun dhe aty ata peshojnë rëndë si kushdo në vendin e vet. Kjo nuk i bën ata më pak, më periferik. Me të drejtë është thënë se Shkodra, Durrësi, Tirana, Korça, Gjirokastra e të tjerë nuk kanë ende shtatoret e mbretërve ilirë, princërve të Arbërit, Lekë Dukagjinit, Papa Albanit, rilindësve të mëdhenj, jo se nuk do të jenë dhe ato të dëshmorëve e heronjve të shekullit XX. Vigu është pranë Vaut të Dejës, që tash e mbrapa gëzon statusin e një bashkie të madhe, e cila me siguri do ta ketë përparësi Vigun e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e pesë heronjve të tij. Se pse i përfytyroj atje, diku në “rreth-rrotullimin” Vadejë-Vig, për të mos i lëvizur më! Rreth-rrotullimi i Koplikut mund të jetë më i përshtatshëm për Dedë Gjo Lulin…