rama serbiDeputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade e ka cilësuar si hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Serbisë vizitë e kryeministrit Edi Rama në Beograd tri ditë më parë. Duke folur në konferencës me titull ‘Procesi i integrimit ne BE dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe’, Dade është shprehur optimiste se marrëdhënia e re mes dy vendeve të rajonit do të konkretizohet tashmë me marrëveshje të reja në dobi të dy popujve


“Shqipëria dhe Serbia janë dy vende që kanë rolin e tyre të padiskutueshëm në bashkëpunimin rajonal. Kjo vizitë do i shërbejë konsolidimit të marrëdhënieve. Ne e mendojmë të ardhmen e përbashkët, të dyja qeveritë janë shprehur për aspiratat e popujve përkatëse për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh Dade.


Por nuk ka qenë i të njëjtit mendim deputeti demokrat Aldo Bumçi për të cilin rëndësia e kësaj vizite ka të bëjë vetëm me kohën kur u bë e mundur, 68 vjet pasi i fundit kryeministër shqiptar kishte qenë në Beograd. Për sa i përket arritjes së qëllimit të kësaj vizite, Bumçi është shprehur skeptik . Sipas deputetit të djathtë Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e saj, ndaj Shqipëria nuk mund të flasë në emër të saj siç bëri kryeministri Rama.


“Ka qenë një parim themelor që është respektuar dhe duhet të respektohet, që Kosova flet në emër të vet. Kosova është vend i pavarur dhe Shqipëria nuk merr asnjë lloj kontributi ndërmjetësimi. Shqipëria vetëm mbështet Kosovën”, – tha Bumçi


13 nëntor 2014 (gazeta-Shqip.com)