Edi Rama
“Do të mbështes Llallën për hetimet e ministrave. PD, opozita e ‘mos’-it”
Kanë kaluar dy ditë, por vizita e Kryeministrit Rama në Beograd dhe në Preshevë vazhdon të dominojë me komente dhe analiza, por edhe me mendime të njerëzve të thjeshtë nëpër rrjetet sociale, jo thjesht për shkak se ajo ishte një vizitë historike ende pa nisur, për shkak se një Kryeministër i Shqipërisë shkelte Beogradin pas 68 vjetësh, por edhe për atë që ndodhi më pas në konferencën për shtyp me Kryeministrin Vuçiç, ku Rama i kërkoi Serbisë që të pranonte realitetin e Kosovës dhe se do të ishte më mirë që ta njihte atë sa më shpejt. Me reagimet për këtë deklaratë publiku është njohur tashmë, por për të folur më shumë rreth deklaratës dhe vizitës në tërësi, i ftuar në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla këtë të enjte ishte vetë Kryeministri Edi Rama.
Për kureshtje, është e vërtetë që ju patët kërkuar që vizita juaj në Beograd dhe ndeshja në një datë, dhe nëse do kishte ndodhur kështu, mendoni që rrjedha e ngjarjeve do kishte qenë ndryshe?
Nuk është e vërtetë, sepse kur do të zhvillohej ndeshja ne kishim prej kohësh një angazhim të marrë në Universitetin e Harvardit për të qenë të pranishëm për ciklin tonë të konsultimeve me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, që është edhe një trupë këshilluese e qeverisë sonë.
Si ndiheni pas kësaj vizite, krahasuar me pritshmëritë që kishit?
Ndihem shumë mirë, por mbi të gjitha dua ta përsëris atë që u mundova të them pa shumë sukses në konferencën e shtypit, pas kthimit dhe nuk di se sa mund të jem në gjendje, por është e vështirë për të përshkruar ndjesinë e brendshme përballë gjithë këtij inkurajimi dhe mbështetjeje në të gjithë trojet e shqiptarëve dhe nga shqiptarët kudo ata jetojnë. E vetmja gjë që mund të them është se ju jam të gjithëve thellësisht mirënjohës dhe do bëj gjithçka është në forcat e mia dhe mundësitë që të jem në lartësinë e këtij privilegji që njerëzit në Shqipëri më kanë dhënë për të qenë Kryeministër i vendit tim. Është një privilegj i rrallë dhe nder që nuk i jepet kujtdo, por rasti i këtij takimi e ka bërë përmasën e këtij nderi brenda meje…e vetmja gjë që mund të them është që gjithçka kam unë do ta vë në dispozicion të këtij vendi dhe të njerëzve të këtij vendi.
Duket paradoksale, sepse ndërkohë ju keni marrë kredite politike nga kjo vizitë, e cila politikisht ndoshta nuk ishte e suksesshme, pasi siç e tha edhe vetë Vuçiç Edi Rama humbi mundësinë për të normalizuar marrëdhëniet me ne.
Kjo është çështje këndvështrimesh dhe pas asaj që ndodhi në konferencë, s’kemi pse të presim këndvështrime simetrike për takimin, por fakti që edhe pas konferencës ne vazhduam të komunikojmë dhe fakti që këmbënguljes sonë për t’i dhënë përmbajtje marrëveshjes për rininë, për të mos lënë një marrëveshje me terma të përgjithshme që refuzuam ta firmosim, solli si rezultat vazhdimin e përpjekjes dhe firmosjen e marrëveshjes, tregon që takimi ia ka vlejtur.
Megjithatë ka pasur zëra pak më të ftohtë që kanë ngritur pikëpyetje lidhur me kërkesën tuaj. Shumica e ka quajtur një dron të dytë, por u duk që deklarata solli befasi dhe zemëratë te Vuçiç, por ka pasur zëra edhe në Shqipëri nëse ishte e nevojshme një deklaratë e tillë në këtë moment?
Ata që pyesin a ishte e nevojshme do t’u thosha, parafytyroni vetëm që një Kryeministër i Shqipërisë shkon në Beograd pas 68 vjetësh dhe në konferencën e shtypit duke përmendur Kosovën, çfarë do thoshte?!
Ju i bëtë thirrje Serbisë për të njohur Kosovën, jo thjesht përmendet Kosovën
Në këndvështrimin tim thirrja ndaj Serbisë është ndihmë për Serbinë, nuk është provokim. Sa më shpejt ta njohin aq më shpejt do të çlirohen nga një hije që i ndjek pas dhe që siç e patë ua merr frymën kur u del përpara. Besoj se edhe ata vetë janë të vetëdijshëm që ky është një proces i pakthyeshëm, por kapërcimi i vetvetes kërkon një kurajë që në rastin e tyre është e jashtëzakonshme dhe që ende nuk e kanë gjetur. Unë nuk u ndjeva i provokuar, por i keqardhur nga reagimi i Kryeministri serb dhe siç e thashë edhe aty, në rast se në Tiranë Kryeministri serb do të thoshte që ne nuk e njohim Kosovën, sërish nuk do ndihesha i provokuar, por i keqardhur. Por kjo nuk do më pengojë që të jem i mirësjellshëm dhe të bëj përpjekje që ta çojmë përpara këtë marrëdhënie me Serbinë, sepse është në interes reciprok. BE s’mund të na trajtojë ne si një shtojcë e bezdisshme dhe s’mund ta shtyjë pafundësisht ditën kur duhet të na marrë edhe ne brenda mureve të shtëpisë së vet, sepse ne jemi Europë. Si të tillë duhet të sillemi dhe si të tillë duhet të veprojmë që të jemi të besueshëm.
Reagimet e para të fjalëve të Vuçiç në konferencën për shtyp, linin të kuptohej se ai ndihej jo vetëm i provokuar, por edhe i fyer, gati-gati si i prerë në besë. A ishte Kosova pjesë e bisedës kokë më kokë për gati 1 orë që ju patët me të?
Dikush ma bëri këtë pyetje dhe citoi Kryeministrin serb të prerë në besë. Unë di që besa është një institucion shqiptar, nuk e di që e kanë edhe serbët. As kemi dhënë ndonjë besë, as mora besë kështu që nuk preva njeri në besë. Do ishte prerje në besë e shqiptarëve që unë në Beograd të mos bëja atë apel që bëra dhe është shumë e habitshme kjo pjesa që ata ndihen të provokuar dhe po ta shikojmë është një institucion viktimologjie që serbët e kanë ngritur ndër vite. Kanë folur si të provokuar edhe kur bënin hatara, ndihen të provokuar kur shikojnë një flamur, kur shikojnë një zog, kur shikojnë Kryeministrin e një vendi tjetër që thotë atë që mendon. Unë besoj që koha e provokimeve ka mbaruar dhe këto sjellje i përkasin të shkuarës.
Pas konferencës ju vazhduat me një pjesë të delegacionit, hëngrët drekë bashkë. Na thoni diçka më shumë, se më thanë që gjërat ishin qetësuar andej nga fundi?
Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë prova që nuk është e pamundur që të diskutojmë në çështje konkrete edhe pasi ndodh ajo që ndodhi që për serbët u pa dhe u jetua si një hata e madhe, ndërsa për mua është absolutisht bërja e detyrës nga ana ime dhe thënia e një të vërtete që edhe kur dhemb bën mirë. E vërteta është një ilaç i hidhur, por shëron, gënjeshtra e ëmbël, por të sëmur.
Në fakt, nuk kemi pasur asnjë reagim të Bashës, ka pasur reagime të tjera, por ka pasur edhe një reagim të Patozit i cili ka vlerësuar vizitën tuaj dhe rezultatin e saj të paqortueshëm, por ka bërë thirrje që nuk duhet t’i kërkohet opozitës të duartrokasë në një rast të tillë.
S’di t’i kem kërkuar opozitës të duartrokasë dhe nuk dua të hyj në këto komente, sepse besoj që ky nuk është rasti për të përfshirë opozitën në bisedë në formën e shprehjes së pakënaqësisë ndaj saj. S’është aspak e bukur që të vetmet gazeta që hidhnin baltë mbi Kryeministrin e Shqipërisë për vizitën në Beograd dhe për atë që ndodhi atë ditë, ishin gazetat e Serbisë dhe gazeta e PD. Ka 1001 arsye për të kritikuar qeverinë, ka 1001 mundësi për të thënë gjithë të zezat për qeverinë, por jo kjo. Paraardhësi im e di shumë mirë që kur shkohet në një vend tjetër garda e vendit del për të nderuar mikun që vjen dhe garda është përfaqësia e parë ushtarake në protokoll dhe nuk del me flamurin e vendit tjetër, del me flamurin e vet. Të thuash tani që ky ishte poshtërim që iu bë Kryeministri shqiptar, si ta marrim këtë?! Unë nuk dua që të besoj dot që ai e thotë këtë sepse kështu dëshiron të jetë, unë them që nga mosha, lodhja, rrjedhja ka harruar që kjo është normë. Të gjithë do të plakemi dhe mos e dhëntë Zoti që të plakemi keq siç po i ndodh atij, por edhe mund të ndodhë. Mirë është që pleqtë t’i shikojmë me respekt edhe kur bëjnë budallallëqe si në këtë rast.
Zakonisht një fjalim i tillë kthehet në fjalim historik, zakonisht konsultohet me ministrin e Jashtëm, me analistë të sigurisë, me partnerë ndërkombëtarë. Kjo deklaratë e juaja për Kosovën dhe Preshevën, janë konsultuar me ministrin e Jashtëm, për më tepër me partnerët tanë ndërkombëtarë?
Ne kemi për çdo çështje të kompetencave të qeverisë një kulturë pune në skuadër dhe për vizitën është punuar në skuadër. Ministria e Jashtme ka mbajtur barrën kryesore të përgatitjes së vizitës, ashtu si dhe të gjitha pjesët e tjera të lidhura me sigurinë dhe padyshim që nuk është se ishte një fjalë e improvizuar, por e menduar e konsultuar dhe e shkruar në çdo fjali me vetëdijen më të plotë. Me ndërkombëtarët nuk kemi pasur pse të konsultohemi, sepse nuk shkova aty si sekretar i OKB-së, por si Kryeministër i Shqipërisë.
Folët për Kosovën, por është edhe dialogu Prishtinë-Beograd dhe marrëveshja që ata nënshkruan gjithçka është me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ne e dimë shumë mirë që kur vjen fjala për Kosovën ne nuk duhet të flasim pa folur me aleatët tanë historikë.
Unë nuk e di këtë. Nuk e kuptoj pse duhet të flasim me të tjerët kur flasim për Kosovën. Di që ne kur flasim për Kosovën nuk flasim asgjë të ndryshme nga ajo që thonë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian, ndërkohë që edhe dialogun unë e mbështeta fuqimisht dhe madje edhe me gjithë vlerësimin për udhëheqësit e dy vendeve për ta çuar përpara këtë dialog.
Ka pasur reagime nga partnerët tanë ndërkombëtarë?
Jo. Ka pasur reagime që janë bërë publike që janë përshtypje e partnerëve tanë për vizitën.
Në largim nga Presheva dikush më tha që tani që ikën entuziazmi vjen koha e dhënies së llogarive. Në fakt, shumë zyrtarë të qeverisë shqiptare ndodhen në Bruksel këto ditë, ndaj pyetja ime ishte nëse kjo vizitë ka sjellë shqetësim duke pasur parasysh që nga ana tjetër, nga pala serbe që do të ankoheshin lidhur me ‘sjelljen tuaj’, siç e quajti Nikoliç të papërgjegjshme.
Jam krenar për këto ankesa. Ata u ankuan edhe për fluturakun që nuk kishte lidhje me ne, madje ma veshën mua duke thënë që vëllai im e çoi atje. Besoj që janë sforco që janë pjesë e politikës së tyre dhe pjesë e një historie nga e cila shpresoj të shkëputen sa më shpejt.
Ju vetë përmendët në një takim me shoqërinë civile serbe se në vitet ’90 dhe 2000 jeni cilësuar jo rrallë në Shqipëri dhe Kosovë si proserb, shpesh duke ju kujtuar edhe aktin e dhënies së çelësit të qytetit një këngëtari të njohur serb, i njohur edhe për mbështetjen që i dha luftës në Bosnjë dhe mercenarëve serbë atje, Goran Bregovic. Këtë s’mund ta mohoni, e përmendet vetë.
Nuk e mohoj. Besoj që një pjesë e madhe e paragjykimit lidhet me një paragjykim të vjetër të kuptueshëm sidomos në Kosovë për PS për shkak se ata kanë vuajtur tmerre nga ajo që quhej Partia Socialiste atje. Gjithmonë socialistët janë identifikuar me palën tjetër edhe për këtë shkak. Por e vërteta është që nëse ka një arsye themelore për të qenë krenarë për PS të Shqipërisë është se ka qenë konseguente gjithmonë në mbrojtjen e interesit kombëtar. Fakte, jo llafe. Dhe nëse ka diçka që të pengon të thuash të njëjtën gjë është moskonseguenca e PD-së, apo më saktë ndarja në momente dramatike e fjalës nga vepra. Makineria e luftës e Sllobodan Millosheviç është furnizuar me naftë kontrabandë nga Shqipëria.
Këtë e ka shpjeguar edhe Berisha, por ka shpjeguar edhe arsyen pse.
E ka bërë për të mirën e popullit?! Refuzimi për të mbështetur firmosjen e Rambujesë bashkë me gjithë luftën propagandistike simetrike ndaj UÇK-së me atë të luftës propagandistike në Serbi ka ardhur nga pala tjetër. Është një paragjykim që është dashur shumë kohë të zbutet dhe zbehet për shkak të së shkuarës që me plot të drejtë shqiptarët e Kosovës e kanë pasur me socialistët. Të mos harrojmë që partia e tmerreve atje quhej socialiste. Unë këtë e kam mirëkuptuar si të tillë. Por nga pikëpamja e koherencës në vijën e interesit kombëtar, me mbështetjen e Kosovës, me mbështetjen e UÇK-së, me mbështetjen e idealeve që çuan në lirinë dhe pavarësinë PS nuk ka pasur as shenjën më të vogël të lëkundjes ndër vite, shumë kohë përpara se unë të isha anëtar dhe kryetar i saj.
Kjo ha interpretim…
Që të hajë interpretim duhet të më jepni një fakt të vetëm që të mund të dëshmojë të kundërtën.
Deklarata e Lisbonës e Fatos Nanos se Kosova duhet të jetë në një shtet me kryeqytet Beogradin, në takimin e Kryeministrit të asaj kohe, Nano me Sllobodan Millosheviç.
Së pari, në rast se i referohemi një deklarate duhet edhe konteksti i një kohe, kohë që janë të lashta në historinë që lëviz me një shpejtësi shumë të madhe. Një deklaratë e bërë në një kohë kur Kosova Republikë si shtet i pavarur ishte një opsion që nuk ishte një i hapur dhe i vendosur përballë palës tjetër as në Kosovë. Jemi në kushte të tjera. PS në histori, historia do të tregojë shumë gjëra që sot nuk janë të ditura. Ka qenë një mbështetje aktive e çlirimit dhe e pavarësimit të Kosovës.
Në emër të koherencës, nëse do të ishit sot, do t’i jepnit çelësin e Tiranës, Goran Bregoviçit?
Për çfarë arsye?
Për të njëjtën arsye që e kam bërë që s’ka lidhje me ato që u thanë, por me ato që ne jemi. Pse jemi sot më mirë se ç’kemi qenë ndonjëherë në këtë rajon ku historikisht jemi parë si qenie të dorës së dytë dhe thellë-thellë mospajtimi i të tjerëve, dhe posaçërisht i mikpritësve tanë lidhet me faktin që ju duket çudi që shqiptarët nuk janë më ata që kanë qenë dhe që akoma më keq janë parë sikur kanë qenë. Ne si komb, si popull, kemi arritur të jemi në lartësinë e disa vlerave dhe parimeve që na kanë sjellë këtu. S’kemi kërkuar asnjëherë atë që nuk na takon dhe kemi bërë dallimin mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalisti është dikush që e do shumë vendin e vet, por që urren të tjerët. Patrioti është dikush që do vendin e vet, por do edhe të tjerët. Pra nuk e shikon lumturinë e vendit të vet në kurriz të të tjerëve apo mbi gjakun e të tjerëve. Kemi arritur të ndërtojmë një model që duhet të jemi krenar dhe duhet t’ua përsërisim serbëve dhe kujtdo tjetër; modelin e trajtimit të minoriteteve. Nuk e ka këtë standard askush tjetër, siç e kemi ne.
Është e vërtetë që situata e tensionuar pas deklaratës për njohjen e Kosovës nga Serbia la disi në hije temën e trajtimit të Preshevës nga Serbia. Në fakt, te kjo pikë u mbështetët edhe nga Berisha, megjithatë fakti i trajtimit apo parimi i reciprocitetit mes veriut të Kosovës dhe Preshevës, mund të trajtohet si argument që ushqen një tezë të vjetër që serbët në fakt nuk është se nuk u pëlqen; ajo e shkëmbimit të territoreve. Në këtë aspekt dua të më bëni dallimin. Kjo është një tezë që është folur pak pas pavarësisë së Kosovës, që nëse ndahet veriu, atëherë edhe Lugina e Preshevës mund të ndjekë të njëjtën rrugë dhe Maqedonia Perëndimore etj., etj.
Shkëmbimi i territoreve është një vizion i tejkaluar i një bote të vjetër, që e sheh territorin si identifikimin me vetë kombin dhe që përjashton çdo kombësi tjetër. Kjo është marrëzi sepse Ballkani është kaq i ndërthurur dhe mozaik kompleks saqë t’i hysh kështu me territore s’dihet më se ku del. Një gjë është e sigurt që nuk del në shekullin e 21, nuk del në Europën e bashkuar, por del shumë mbrapa në kohë. Sfida është si praninë e të tjerëve ne ta kthejmë në vlerë që na bashkon. Shqiptarët në Preshevë, nuk janë një problem, por një plus, nuk janë një e metë, por një vlerë. Janë një arsye shumë e fortë për shkuar në Serbi dhe për të folur me serbët. Nuk mundet dot të ndërtojmë një Ballkan të integruar në BE duke pasur dy standarde, fjalë të tjera në Bruksel dhe vepra të tjera pas shpinës së Brukselit. Kjo është ajo që unë besoj. Çfarë mund të presësh nëse njerëzit janë në limitet e mbijetesës?!
Këtë e pranoi edhe në konferencë për gabimet mbi nevojat e atyre njerëzve në arsim dhe shëndetësi. Gjithsesi, ju thatë që keni qenë i keqkuptuar, por pas kësaj vizite ju keni fituar një kapital që nuk e keni pasur në publik, atë të një personi që është i ndjeshëm ndaj çështjeve kombëtare…
Unë këta të çështjeve kombëtare që nuk kanë gjë në dorë dhe që tundin flamurin sikur u dhemb kombi, unë këta i konsideroj parazitë, as atdhetarë, as nacionalistë, as patriotë. Këta i konsideroj parazitë që duan të bëjnë biznes me kombin dhe kombëtaren. Nuk ka gjë më të thjeshtë. Çfarë e pengon një person që të marrë flamurin, ta tundë dhe të thotë unë e dua vendin tim më shumë se ç’e doni ju të tjerët?! Dashuria ndaj vendit tregohet me fjalë kur është vendi dhe me vepra në atë pjesë tënden që të takon. Dashuria për kombin tregohet duke paguar faturat e energjisë elektrike, duke paguar taksat, duke paguar të gjitha kontributet që të takojnë dhe duke mos u nxjerrë sytë të tjerëve por duke u thënë të tjerëve; ky është vendi im, ai është vendi yt, por t’i nuk mundet të pengosh të mirën time dhe për sa kohë t’i respekton të mirën time ne bashkë jemi në rregull.
Thatë që keni qenë i keqkuptuar në këtë drejtim, nuk keni frikë që të keqkuptoheni sërish nga një valë e madhe patriotizmi që ka shpërthyer ditët e fundit kur nesër pasnesër të bëni diçka që mund të dalë në drejtim të kundërt të kësaj? Ka disa që ju akuzojnë që po rrëshqisni në rrjedhën tradicionale të nacionalizmit ballkanik. Unë që ju njoh dhe të tjerë që ju njohin e dimë që ju nuk do e bëni këtë, por ndoshta me një veprim tjetër mund të tregoni të kundërtën. A keni frikë se mund të zhgënjeni shqiptarët?
Nacionalizmi për mua është ferri që njerëzit ndërtojnë me duart e tyre duke menduar se po ndërtojnë parajsën e tyre përmes bërjes ferr të jetës së tjetrit. Patriotizmi është diçka krejt tjetër dhe nuk ka rrëshqitje te patriotizmi. Pa të nuk ka atdhe, nuk ka komb nuk ka zhvillim.
Pamë një prezencë të jashtëzakonshme sigurie tuajën personale dhe gjithë delegacionit. Realisht kishte shqetësim konkret real për një atentat të mundshëm?
Nuk dua të flas me aspekte që janë marrë të tjerët. Ka pasur një investim shumë serioz për sigurinë dhe unë bëra një falënderim për Kryeministrin serb dhe forcat serbe të sigurisë. Ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm dhe arsyet i dinë ata.