Ndryshe Historia Histori, dita kur e gjithë flota gjermane u dorëzua te britanikët

Histori, dita kur e gjithë flota gjermane u dorëzua te britanikët

1127
1
SHPËRNDAJE

Dita e Armëpushimit kujtohet si dita kur Lufta e Parë Botërore mori fund, por për historianët e marinës, fitorja më e madhe e Britanisë erdhi 10 ditë më vonë. Operacioni ZZ ishte emri i koduar i dorëzimit të marinës famëkeqe gjermane

Për ata që ishin dëshmitarë të “Der Tag”, ose ndryshe “Ditës”, gjithçka ishte një pamje që nuk do ta harrojnë kurrë – mbledhja më e madhe e anijeve luftarake që bota ka dëshmuar ndonjëherë.

Ishte ende errësirë në grykëderdhjen e lumit Forth të Skocisë në Detin e Veriut, kur Flota e Madhe e Marinës Mbretërore filloi të ngrinte avull dhe një nga një u hodhën spirancat.

Format e mëdha të më shumë se 40 anijeve luftarake filluan të dukeshin në horizont, me kursin nga lindja. Teksa gjigantët e çelikut i drejtoheshin detit të hapur, më shumë se 150 anije të tjera luftarake iu bashkuan. Flota më e fuqishme që kishte lundruar ndonjëherë nga brigjet e Britanisë, po drejtohej për një përballje të fundit me armikun vdekjeprurës – flotën e lartë detare gjermane.

Fitorja ishte e plotë. Por nuk pati betejë. Pas katër vitesh rrugë qorre, kjo ishte dita kur Gjermania do t’i dorëzonte anijet e saj luftarake në duart e britanikëve, pa qëlluar as edhe një herë.

Data ishte 21 nëntor 1918. Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar 10 ditë më parë, por kjo do të ishte dita vendimtare në fitoren në det.

Pas negociatash të shumta, Gjermania kishte rënë dakord të dorëzonte flotën – të dytën më të madhe në botë pas Marinës Mbretërore – në duart e britanikëve. Asambleja e fuqishme që do të takohej me gjermanët ishte aq e madhe saqë nuk do të toleronte ndryshime planesh.

“Marina Mbretërore perceptoi diçka që të tjerët nuk e perceptuan. Ajo donte t’u tregonte gjermanëve se ata ishin mundur vërtet dhe se nuk kishin asnjë mundësi më të mirë sesa të dorëzonin flotën në duart e armikut”, shpjegon Andrew Choong, kurator në Muzeun e Marinës në Grinuiç.

Operacioni ZZ pa të mblidheshin së bashku anijet më të fuqishme luftarake të historisë së marinës në një vend dhe në një ditë.

Ishte një pamje që ata që e panë nuk do ta harrojnë kurrë. Korrespondenti i “Times” që shihte gjithçka nga kuverta e anijes britanike “Mbretëresha Elizabeta”, ishte shumë i emocionuar: “Në historinë detare nuk ka ndodhur kurrë diçka kaq e madhe dhe e paharrueshme, të cilën pata privilegjin ta shoh sot. Ishte ‘parada’ e një flote të tërë dhe shënoi dëshminë e fundit dhe më të fortë të supremacisë së flotës britanike”.

Dy ditë më parë, 71 anije ushtarake gjermane filluan lundrimin për nga perëndimi. Nën kushtet e armëpushimit që i kishte dhënë fund luftës, ata duhet të dorëzonin anijet në grykëderdhjen e lumit Forth, përpara se të çoheshin për ankorim në ‘Skapa Flou’.

Ishte një flotë e ndërtuar për të sfiduar mbizotërimin e Britanisë në det. Ngritja e saj kishte nxitur një garë detare që i ktheu dy vendet kundër njëra-tjetrës.

Si një shtet ishullor, i varur nga importi për t’u ushqyer, Britanisë i ishte dashur të sundonte detin. Mundja në det nga Gjermania do të çonte në një bllokadë, në uri dhe dorëzim.

Komandantët e Marinës Mbretërore e dinin se nuk kishin mundësi tjetër veçse të ishin fitimtarë. Ashtu si Çërçilli, Xhon Xhelliko, admirali që udhëhoqi Marinën Mbretërore deri në 1916, ishte i vetmi burrë nga të dyja palët që mund ta humbte luftën në një pasdite.

Për të shmangur këtë, Britania ndërtoi më shumë anije lufte se Gjermania dhe i bëri më të mëdha nga përmasat. Kështu ajo fitoi avantazhin dy me një. Superioriteti në numër ishte projektuar të mundësonte fitoren dhe të trembte gjermanët nga ana tjetër e Detit të Veriut.

Dhe e gjitha kjo funksionoi. “Është folur shumë se sa pranë mundjes së Britanisë ishte flota gjermane në vitin 1917, por ta mendosh ndryshe, në fillim të vitit 1915, detet ishin të zbrazur nga anijet tregtare gjermane”, shpjegon Andrew Choong.

“Tregtia detare e Gjermanisë ishte pushuar brenda natës. Mori fund për shkak të problemeve që kishte në luftë.” Bllokada e Gjermanisë nënkuptonte se në vitin 1918 ishin gjermanët ata që kishin uri, jo britanikët. Trazirat nuk pushuan, pastaj ndodhi një bujë për paqe. Për historianë të marinës si Andrew Choong, mundja strategjike e Gjermanisë në det ishte një kontribut më i madh i britanikëve për fitore sesa betejat e zhvilluara në tokë.

“Personalisht mendoj se kontributi i marinës britanike ishte më i rëndësishmi, por jo në betejë. Ishte një mbytje e qetë me anë të bllokadës”, – thotë ai.

Teksa e drejtonte flotën të dilte nga lumi Forth, David Beatty, pasardhësi i Xhellikos si një kryekomandant i Flotës së Madhe, mund të kuptonte superioritetin e flotës së Britanisë për të treguar mundjen përfundimtare të Gjermanisë. Pesë anije amerikane dhe tre franceze iu bashkuan më pas britanikëve. Ai nuk do të linte asgjë ta pengonte. Urdhrat e dhëna një natë më parë ishin të qartë – anijet duhet të ishin gati për sulm. “Frëngjitë dhe armët do të mbaheshin në pozicion. Armët do të ishin gati por nuk do të qëllonin. Marinsat në kullat e vrojtimit ishin të stërvitur. Largësia ishte matur dhe gjithçka ishte gati”.

Teksa Flota e Madhe lundroi në Detin e Veriut, formoi dy kolona masive, një nga veriu dhe një nga jugu, gjashtë milje larg. Pak përpara orës 10:00 ata u takuan me gjermanët, që po drejtoheshin drejt dorëzimit të tyre nga anija e lehtë ushtarake ‘HMS Cardiff’. Kolonat e Aleatëve u rrotulluan drejt perëndimit, duke formuar një eskortë në çdo anë të gjermanëve.

Korrespondenti i ‘Times’ e përshkroi kështu skenën: “Në horizont u dukën gjermanët të udhëhequr nga ‘Cardiff’, ata dukeshin si studentë që i drejtonte një trupvogël. Mbi ta fluturoi një avion luftarak britanik. Të parat erdhën anijet luftarake”.

Nga fundi i mëngjesit, gjithçka kishte marrë fund. Anijet gjermane, përveç njërës që kishte kaluar mbi një minë dhe ishte mbytur, ishin ankoruar. Beatty çoi këtë mesazh:

“Flamuri gjerman do të ulet në këtë perëndim dhe nuk do të ngrihet përsëri pa leje”. Përpara se të mbante një shërbim falënderimi në bordin e HMS Mbretëresha Elizabet, Beatty falënderoi marinsat e Flotës së Madhe.

“Urimet e mia për fitoren që morëm mbi fuqinë e detit të armikut tonë. Më e madhe ndër të gjitha është arritja që ky episod i fundit nuk mori formën e një aksioni detar”.

Marina Mbretërore qëndronte në kulmin e fuqisë së saj. Britania i sundonte vërtet detet. “Në atë kohë Britania ishte fuqia më e madhe detare e botës dhe fuqia e dytë pas saj sapo ia kishte dorëzuar anijet e veta”, – shpjegon Choong.

Por nuk zgjati shumë. Brenda pak muajsh, flota gjermane u gjend në fund të “Skapa Flou”, e fundosur si shenjë e fundit e mosbindjes.

Pa asnjë armik për t’u përballur dhe me Britaninë që mezi priste të ulte buxhetin ushtarak, Marina Mbretërore nuk mund t’i justifikonte më shpenzimet për anijet e saj të mëdha.

“Shumica e tyre u shkrinë për skrap në vitet ’20 dhe në fillim të viteve ’30. Disa prej më të mirave u ruajtën dhe shërbyen në Luftën e Dytë Botërore”, shpjegon Choong.

Të paktën një nga anijet luftarake britanike, HMS Hercules, u tërhoq nëpër Detin e Veriut për t’u gjetur në një pjesë toke të portit detar gjerman Kil.

Por teksa errësira ra më 21 nëntor 1918 e gjitha kjo ishte ende e ardhmja që nuk kishte ndodhur. Në atë mbrëmje e gjithë bota ishte e britanikëve teksa marinsat këndonin të lumtur për fitoren pa betejë.

Korrespondenti i “Times” ishte dëshmitar i një spektakli unik. Ai shkruan se plani i operacionit nuk mund të sjellë në mendjen e atij që e lexon ndonjë konceptim mbi skenën, por do të mbetet në mendje, pasi tregon për natyrën e flotave armike që nuk janë parë më herët dhe që me shumë gjasa nuk do të shihen më kurrë”. I.D *Burimi: BBC.

  • JOHN

    shkrim historik ;;;interesant ;;;; ndersa ;;;flota me e madhe me ushtare ishte ;;;;;ajo flote qe zbarkoi ne normandie ;;;ne 6 qershor te 44 ;; asnjehere bota nuk kishte pare aq shume anije me armatime ;;me soldiere ;OFICERET GJERMANE E PANE QE ANIJET KISHIN MBULUAR DETIN .. NE FILLIM NJE OFICER KUJTOI SE PO ENDERRONTE..HITLERI THONTE SE NUK I KANE KAQ SHUME FORCA .LUFTA FILLOI NE OREN 6 TE MENGJEZIT DHE MBAROI NE 6 TE DARKES ..PER NJE DITE U VRANE 15 MIJE USHARE ..DJEM TE RINJ NGA AMERIKA NGA KANADAJA …POR QE ENVERI I QUANTE ARMIQ ME PAS …HISTORIANET ALBANEZE DUHET TE VIJNE NE NORMANDIE TA SHIKOJNE TE VERTETEN PERBALLE …KA SHUME GJERMANE QE KANE TREGUAR CFARE NDODHI …KA VETERANE TE VERTETE QE NUK TREGOJNE PERRALLA …AMERIKANE DHE GJERMANE ..