Hetimet
Prokuroria, kërkesë edhe kompanisë izraelite, e cila ka prodhuar përgjuesin
Ekspertiza e kërkuar nga një ambasadë e huaj në Tiranë pritet të hedhë dritë rreth akuzave të përdorimit të aparaturës së përgjimeve të ushtrisë, për përgjimet e ish-opozitës, para zgjedhjeve të 23 qershorit. E ndodhur prej kohësh në duart e prokurorëve, aparatura e Shërbimit Informativ të Ushtrisë duket se po shfaq vështirësi në mbledhjen e informacionit të kërkuar, për shkak se në Shqipëri mungojnë mjetet logjistike për një gjë të tillë. Ekspertët e policisë shkencore, nëpërmjet një shkrese që është depozituar javën e fundit në prokurori, thonë se nuk posedojnë ndonjë pajisje, e cila do të mund të gjurmonte aparaturën ushtarake, duke qenë se ajo ka një sistem të padepërtueshëm. Të ndodhur në këto kushte, ekspertët e grupit të hetimit kanë kërkuar ndihmën e një ambasade të njohur në Tiranë, në mënyrë që të asistojë me ekspertizë të fjalës së fundit. Po kështu, hetuesit kanë kërkuar edhe ndihmën e kompanisë, që ka prodhuar pajisjen e blerë nga SHIU shqiptar, e cila ndodhet me seli në Izrael. Nga ana tjetër, prokurorët kanë pyetur për herë të fundit ish-shefin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, i cili ka këmbëngulur se pajisja nuk është përdorur fare brenda territorit shqiptar, pasi, sipas Zylës, ajo ishte blerë për misione sekrete jashtë vendit. Pak muaj më parë, një kallëzim penal u regjistrua në Prokurorinë e Tiranës, në të cilin thuhej se pajisja e SHIU-t, e cila ishte blerë me vlerën e gati 1 milion e 500 mijë eurove, është përdorur për të përgjuar politikanë, veçanërisht të majtë, si dhe diplomatë në Tiranë. Paralelisht me dyshimet se aparatura është përdorur në shpërdorim të detyrës, Prokuroria e Tiranës po heton për shkelje të ligjit mbi procedurat e blerjes së pajisjes. Para 9 muajsh, njësia hetimore Task-Forcë në prokurorinë e kryeqytetit nisi hetimet kundër shtatë ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ish-drejtorin e SHIU-t, Ylli Zyla, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami. Sipas kallëzimit të ministrisë, të gjithë këta persona kishin abuzuar me tenderin e blerjes së pajisjes së përgjimit “CDMA Interceptor” në vitin 2010, pajisje që, sipas akuzuesve, nuk u përdor në Afganistan, por u vu në shërbim të Partisë Demokratike, ku me anën e së cilës dyshohet se është përgjuar opozita e asaj kohe dhe ambasadorë të ndryshëm në Tiranë. Ndërkaq, Prokuroria e Tiranës është në pritje të një përgjigjeje prej ambasadës në fjalë dhe më pas do të procedojë me ekzaminimin e pajisjes së përgjimit, për të mësuar detaje rreth vënies në përdorim dhe pjesëve që ajo ka përgjuar. Akuzat për përgjimet e politikanëve dhe të ambasadorëve në Tiranë kishin të bënin me faktin që disa informacione të këtyre personazheve, bëheshin publike. Më pas, në emisionin “Opinion”, u publikua një listë me politikanë të përgjuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror, ku objektet që përgjoheshin ishin personat me të cilët flisnin në telefon politikanët. Çështja e përgjimeve ka qenë e pranishme në disa episode në Shqipëri, ku ka pasur shpeshherë shkëmbime akuzash.