Ministri Cani firmos udhëzimin për drejtoritë e tatimeve. Kontroll çdo 6 muaj
Zamir Alushi
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, firmos një udhëzim me titull “Për mbikëqyrjen e OJF-ve në funksion të parandalimit të pastrimit të parave”. Sipas kësaj direktive, organizatat jofitimprurëse (OJF) do të kontrollohen çdo 6 muaj nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT). Kështu organet tatimore të juridiksionit çdo gjashtë muaj evidentojnë dhe i raportojnë “Njësisë qendrore”, strukturë përgjegjëse në DPT, për OJF-të që zhvillojnë aktivitet pa u regjistruar, ato me status pasiv dhe OJF-të që nuk dorëzojnë deklaratat tatimore sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
OJF-të me “dosje”
Drejtoritë rajonale tatimore të juridiksionit, sipas udhëzimit të Canit, administrojnë në dosjet e OJF-ve të regjistruara, të gjithë dokumentacionin e themelimit, të regjistrimit, të ndryshimeve pas regjistrimit si dhe dokumentacionin tatimor të parashikuar nga ligji “Për organizatat jofitimprurëse”. Dosjet e OJF-ve mbahen në një seksion të veçantë të arkivit të drejtorisë rajonale tatimore.
Kontrolli në terren i OJF-ve
Organet tatimore të juridiksionit, strukturat e kontrollit në terren, evidentojnë OJF-të që ushtrojnë aktivitet në territorin e tyre dhe kontrollojnë periodikisht regjistrimin në organin tatimor, përditësimin e të dhënave të regjistrimit, deklarimin e të punësuarve, si dhe zhvillimin e veprimtarisë ekonomike. Nëse kryhet veprimtari ekonomike nga OJF-të, ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin për OJF-të. Drejtoritë rajonale tatimore, sipas udhëzimit të ministrit Cani, ngarkojnë punonjësit të specializuar dhe të trajnuar për shqyrtimin e pasqyrave financiare të OJF-ve, të cilët analizojnë veçanërisht: burimet e financimit të OJF-së; veprimtarinë ekonomike të OJF-së; përdorimin e fondeve dhe mënyrën e qarkullimit të tyre; asetet e OJF-së dhe burimin e krijimit të tyre. Specialistët informojnë “Njësinë Qendrore” në DPT, për OJF-të që nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare vjetore dhe gjithashtu për masat administrative të ndërmarra ndaj tyre. Për rastet e financimeve që paraqesin risk për pastrim parash, specialistët u kërkojnë strukturave të parandalimit që të ndërhyjnë dhe të kryejnë një aksion të quajtur “kontroll të themeluar operacional”.
Kontrolli operacional i OJF-ve
Strukturat e Drejtorisë së Kontrollit Tatimor ushtrojnë “kontroll të thelluar operacional” ndaj OJF-ve, kur ka dyshime për burimin e të ardhurave. Gjatë “kontrollit operacional” sipas udhëzimit, bëhet evidentimi i burimeve të financimit, marrëveshjet për grantet e përfituara, marrëveshjet për dhurimet dhe donacionet, dokumentet e kuotave të anëtarësisë. Gjithashtu verifikohet nëse OJF-ja realizon veprimtari ekonomike dhe nëse ka të ardhura nga ky aktivitet. Gjatë kontrollit verifikohet edhe deklarimi pranë organit tatimor i numrit të llogarisë bankare ku i kalojnë donacionet. Në këtë kuadër regjistrohet fakti nëse fondet e organizatave jofitimprurëse mbahen në llogari bankare dhe nëse transferimi apo transaksionet financiare në lidhje me këto fonde kryhen nëpërmjet sistemit bankar, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Mbikëqyrja e OJF-ve
Ministria e Financave shkon edhe më larg në kontrollin e saj mbi OJF-të. Kështu, objekt i verifikimit është edhe kryerja e detyrave nga organi më i lartë vendimmarrës, bordi i drejtorëve, apo mbledhja e përgjithshme e anëtarëve të OJF-së për miratimin e pasqyrave financiare të paraqitura nga organi ekzekutiv. Po ashtu, sipas direktivës së Canit, do të bëhet mbikëqyrja e organizatës jofitimprurëse, me qëllim parandalimin e përdorimit të burimeve të organizatës për qëllime terroriste, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në funksion të mbikëqyrjes kontrollohen marrëveshjet për grantet, dhurimet dhe donacionet; verifikohet nëse fondet e grumbulluara nuk janë përdorur për qëllimin e deklaruar. Tatimet kontrollojnë nëse organizatat jofitimprurëse, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, dhe realizojnë fitime, i përdorim ato për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit.
Raportimi i rasteve të dyshimta
Organet tatimore ia raportojnë rastet e dyshimta të konstatuara, të përdorimit të OJF-ve për pastrim parash apo financim terrorizmi, “Njësisë qendrore” në DPT. Kjo e fundit, sipas udhëzimit, pasi e vlerëson rastin, ia përcjell atë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Financimi
“Burim i financimit” konsiderohen të ardhurat e OJF-së: Grante, donacione, kuotat e anëtarësisë.
Raportimi
“Raportim rasti” është plotësimi dhe përcjellja e informacionit, një formular i përcaktuar
Regjistrimi
OJF-të regjistrohen në drejtorinë rajonale tatimore, pasi kanë kryer regjistrimin në gjykatë.
Përkufizim
“Pastrim parash” është qarkullimi dhe riciklimi i parave, të cilat burojnë nga vepra penale sikurse dhe ndryshimi, transmetimi, transformimi dhe tjetërsimi i produkteve dhe i pasurive që burojnë nga vepra penale, që synojnë fshehjen e burimit të paligjshëm të origjinës