Politikë Nishani dekoron Mur, Boletinin dhe nacionalistët Butka dhe Kupi

Nishani dekoron Mur, Boletinin dhe nacionalistët Butka dhe Kupi

102
SHPËRNDAJE

28 Nëntori

Nga Kruja, Presidenti, mesazh mazhorancës: I rrezikshëm pushteti, kur del mbi shtetin

godeli rama metaPresidenti Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë në Pallatin e Brigadave për 102-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dekoroi dje pasdite figura të shquara historike, duke filluar që nga Isa Boletini, patrioti i madh i kohës së Pavarësisë, i cili u nderua nga kryetari i shtetit me titullin më të lartë, atë të “Flamurit Kombëtar”. Dhe duke vijuar më pas me personalitete të tjera Mujo Ulqinaku, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Qemal Stafa, kryetarin e Konferencës së Pezës, Abaz Kupin, nacionalistët Lepenica dhe Butka. Por ajo që ra në sy në listën prej 14 emrash që morën dekoratë nga Presidenti, ishte pikërisht emri i dytë në listën e Nishanit, Xhonatan Mur (Jonathan Moore). Për rreth një vit, Mur ka qenë drejtor për Europën Juglindore në DASH, ndërsa njihet për deklaratat dhe afërsinë e tij me Partinë Demokratike dhe ish-kreun e saj, Sali Berisha. Mur është nderuar nga Bujar Nishani me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së dhe forcimin e institucioneve shqiptare. Ndërsa poshtë tij, në listën e Presidentit, renditen një sërë emrash të tjerë që iu akordohet “Nderi i Kombit” si: Ymer Dishnica, Hysni Lepenica, Safet Butka, Medar Shtylla, Abaz Kupi dhe Mustafa Gjinishi. Ndërsa Mujo Ulqinaku dhe Qemal Stafa renditen të fundit në këtë listë dhe titulli i akorduar për ta ishte “Dekorata e Artë e Shqiponjës”. Dekoratë u dha edhe për Matteo Mandala-n, Mark Krasniqin, Idriz Ajetin dhe Ali Aliun. “Nderojmë personalitete të shquara të rrugës së gjatë të mundimshme të pavarësisë së Shqipërisë, që ruajtën parimet e lirisë, pavarsisë, personalitete të përkushtuar me mish e me shpirt përmes patriotizmit dhe punës për çështjen kombëtare shqiptare”, tha Nishani në fjalën e tij. Me rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, zgjodhi Krujën, për t’i përçuar një mesazh të drejtpërdrejtë politikës, dhe veçanërisht mazhorancës, së cilës i kujtoi se pushteti nuk duhet të dalë mbi shtetin, duke e konsideruar të rrezikshëm këtë moment. Duke iu referuar marrëveshjes së Mukjes, ku ballistët dhe komunistët u bashkuan në rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, Nishani tha se ai mesazh gjen vend në Shqipërinë e vitit 2014. “Pikërisht aty në vitin ‘43, elitat politike përfaqësuese të formacioneve të ndryshme të asaj kohe realizuan një marrëveshje historike, bashkimin për kauzën e Atdheut, duke ruajtur secili bindjet e veta politike si burrat e dheut të vitit 1912. Mesazhi që ajo përcjell në kohë mbetet aktual, bashkim forcash, energjish, vullnetesh për t’i shërbyer së bashku Shqipërisë që ajo të arrijë standardet e një shoqërie demokratike të emancipuar qoftë edhe si kundërshtarë politikë me njëri-tjetrin. Po ashtu prishja e asaj marrëveshjeje na kujton sesa shumë kemi rrezikuar kur pushteti ngrihet mbi shtetin”, – tha Nishani në konferencën “Historia i flet së ardhmes” që u organizua në Muzeun e Skënderbeut në Krujë.

 

Lista e personaliteteve që u dekoruan nga Presidenti Nishani

Titulli i “Flamurit Kombëtar”

1. Isa Boletini

Titulli “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

2. Jonathan Moore

Titulli “Nderi i Kombit”

3. Matteo Mandala

4. Mark Krasniqi

5. Idriz Ajeti

6. Ali Aliu

7. Ymer Dishnica

8. Hysni Lepenica

9. Safet Butka

10. Medar Shtylla

11. Abaz Kupi

12. Mustafa Gjinishi

“Dekorata e Artë e Shqiponjës”

13. Mujo Ulqinaku

14. Qemal Stafa