Punësimet


Aplikimet, kryeson Tirana. Profili më i kërkuar: Gjuhë Shqipe e  Letërsi dhe Matematikë    


SHKOLLA-640x340Me të përfunduar afati i aplikimeve për arsimtarë në portalin e parë kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, shpallen vendet vakante, ato të cilat do të plotësohen brenda muajit janar, me shkarkimin e mësuesve jashtë profilit dhe pa arsimin përkatës në muajin dhjetor. Zyrtarisht mësohet se në total janë 26 profile të shpallura, ndërsa në total numri i vendeve vakante është 2300. Sipas të dhënave zyrtare nga MAS, nga aplikantët e Tiranës, 85% kanë shprehurgatishmërinë për të punuar jashtë vendbanimit të tyre, kjo në shërbim të vendit, por edhe të incentivave financiare, që qeveria ka planifikuar për ta, si: Pagesë për transportin; vendbanimin; kredite karriere, por edhe rrogë më të lartë. “Në Durrës 55% e kandidatëve për mësues janë shprehur të gatshëm për të punuar mësues jashtë vendbanimit, në Elbasan 63%, ndërsa në Korçë 43%. Nga aplikimet 90% kanë mbaruar studimet pas vitit 2000 dhe janë mësues të rinj, që kërkojnë të bëhen pjesë e armatës së mësuesve të vjetër. Numri më i madh i aplikimeve: DAR Tirana Bashki 1203; DAR Elbasan 686 dhe DAR Korçë 318. Profili më i kërkuar: Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, sqarojnë burime në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë, në portalin “Mësues për Shqipërinë”, sipas listës dhe ndarjes, kërkesa e dytë më e lartë për mësues është për lëndën e matematikës dhe gjuhën angleze, për të vijuar me kërkesat për mësues në arsimin fillor dhe në lëndën: Edukim fizik, me 1000 kuota, ndërsa më pak kërkesa ka për gjuhën gjermane, me 1 kuotë. Mësuesit e profileve të ndryshme që ishin në kërkim të një vendi pune nisën garën e aplikimeve në portalin online “Mësues për Shqipërinë”, nga data 12 deri në datën 27 nëntor. Tri ditë më parë, pas mbylljes së aplikimeve, numri i të regjistruesve ka arritur në 4600 konkurrentë për 2300 vende vakante. Pas kësaj faze, duke filluar nga data 1 dhjetor konkurrentët do t’i nënshtrohen një testimi kombëtar, ku më pas do të përzgjidhen fituesit.Disa ditë më parë, gjatë prezantimit të raportit të vlerësimit të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bëri me dije se numri i vendeve vakante, që do të plotësohen nga mësuesit e rinj është 2300 në total, në të gjithë Shqipërinë, në profile të ndryshme. Nikolla theksoi se punësimi i mësuesve do të zhvillohet nëpërmjet një testi, i cili do të jetë i bazuar vetëm në meritë e që do të ketë një miradministrim, duke filluar që nga hartimi i pyetjeve nga një komision i posaçëm, përzgjedhja e pyetjeve online e më pas korrigjimi i testeve të sekretuara do të bëhet nga një komision i MAS. “Testimi i mësuesve do rifillojë më 1 dhjetor, pas një shkëputjeje disaditore për shkak të festave kombëtare. Ditën e hënë, testimi do të nisë me 142 kandidatët e Gjuhës Angleze; më tej do vijojë më 2 dhjetor, kur do hyjnë në provim mësuesit e Gjuhë Shqipe, në 3 dhjetor ata të Matematikës dhe Fizikës, ndërsa në 4 dhjetor do jenë disa profile, pasi kanë pak kandidatë, ku përfshihen: Shkenca Sociale, Matematikë, Fizikë dhe Instrumente Muzikore. Provimi i shtetit për mësuesit mbyllet në datën 5 dhjetor, me mësuesit e Biologjisë dhe të Gjeografisë”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Shpresa Mezini