Projekti


Për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla, deri më tani janë trajnuar 339 mësues në dhjetë rrethe. Ndërkohë që priten të trajnohen edhe 580 arsimtarë të tjerë. Ky trajnim është bërë nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me “World Vision”. “Pjesa më e madhe e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk arrijnë deri në sistemin shkollor. Deri tani kemi trajnuar 339 mësues dhe shpresojmë që në vitin e ardhshëm të trajnohen 580 të tjerë. Në fakt, nuk ka dhëna të vërteta, sepse nuk është bërë një studim i mirëfilltë sesa është numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor”, theksoi drejtor i “World Vision”. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, u shpreh se në shkolla do të ketë mësues ndihmës për nxënësit me aftësi të kufizuara, duke shtuar se ata do të përcaktohen në bazë të numrit të fëmijëve. “Në strategjinë e arsimit 2015-2020, janë përfshirë edhe mësuesit ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta, të cilit për herë të parë këtë vit u bënë pjesë e arsimit parauniversitar. Është shumë e nevojshme vendosja e standardeve për mësuesit që të dinë të punojnë me të gjitha kategoritë e veçanta”, pohoi zëvendësministrja. Sipas Malaj, ky manual ndihmon mësuesit që edukimi i fëmijëve me aftësi ndryshe dhe mësimdhënia për ta të jetë sa më bashkëkohore, me qëllim gjithëpërfshirjen e tyre në shkolla.