Rritja, paga maksimale për efekt kontributi do të indeksohet me vendim qeverie
Zamir Alushi
Duke filluar nga data 1 janar 2015, hiqet tavani i pagës për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Qeveria çdo vit do të përcaktojë indeksimin e pagës maksimale në të njëjtën mënyrë që e bën për pagën minimale. Efekti prek të gjitha pagat që e kalojnë 100 mijë lekëshin, duke rritur më shumë kontributet shoqërore dhe shëndetësore që do të llogariten mbi shumën reale bruto që firmoset në listëpagesën e secilit. Pas goditjes që morën pagat e larta me tatimin progresiv që u vendos nga 1 janari 2014, kjo është një peshë tjetër që zbret vlerën e tyre neto. Paga maksimale mbi të cilën paguheshin kontributet deri në gusht 2014 ishte 95130 lekë, ndërsa deri në fund të vitit, sipas vendimit të qeverisë, u caktua 97030 lekë.
Baza ligjore
Ndryshimet u bënë paralelisht në ligjin për sigurimet shoqërore dhe në atë të mbledhjes së kontributeve. Sipas ndryshimeve të kryera në korrik 2014, në ligjin “Për mbledhjen e Kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, ndryshon mënyra e përllogaritjes së kontributeve nga punëmarrësi. Në nenin 8 hiqet kufiri tavan i pagës mbi të cilën llogariten kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëmarrësit. “Kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor të punëdhënësit për punëmarrësin dhe kontributet e vetë punëmarrësit llogariten sipas nivelit të përcaktuar mbi pagën bruto të punëmarrësit dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm që lindin nga marrëdhëniet e punës, e cila nuk mund të jetë më e vogël nga paga minimale e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, është riformulimi i nenit për kontributet që paguhen për skemën e sigurimeve. Më parë, përcaktohej një kufi maksimal i pagës bruto, që ishte sa pesëfishi i pagës minimale. Edhe në nenin 6 të ligjit “Për sigurimet shoqërore” është hequr tavani i pagave për efekt të kontributeve. Sipas këtij ligji, “Kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që është në fuqi në datën 31 dhjetor 2014. Pas datës 1 janar 2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi”, thuhet në këtë ligj që do të hyjë fuqi më 1 janar 2015.
Paga minimale dhe maksimale
Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me vendim qeverie, nga data 1 gusht 2014 e në vazhdim, është jo më pak se 19406 lekë. Paga maksimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1 gusht 2014 e në vazhdim, është 97 030 lekë. Shuma minimale mujore e kontributeve për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1 gusht 2014 e në vazhdim, është 5 415 lekë. Ndërsa shuma maksimale e kontributeve është sa pesëfishi, pra 27075 lekë.
Përfitimet
Arsyeja e ndryshimit të përllogaritjes së kontributeve të sigurimeve ishte rimëkëmbja e skemës së rrënuar dhe stimulimi i personave të siguruar që të paguajnë sa më shumë në mënyrë që të marrin pension më të madh. Me ndryshimin e nenit 59 të ligjit për sigurimet shoqërore, baza e vlerësuar për caktimin e shumës së pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1 janar 2015 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës ose funksionit përpara datës 1.1.1994 si dhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 1.1.1994 deri më 31 dhjetor 2014, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2014 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientët e indeksimit sipas viteve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra, për më shumë kontribute të paguara, llogaritet pension më i lartë.
Maksimalja
Aktualisht paga maksimale mbi të cilën paguhen kontributet është caktuar nga qeveria 97030 lekë
Nga data 1 gusht 2014, paga minimale për efekt të kontributeve është jo më pak se 19406 lekë
Përllogaritja
Shuma minimale mujore e kontributeve është 5415 lekë, maksimalja është sa pesëfishi, 27075 lekë
Efekti prek pagat që e kalojnë 100 mijë lekëshin, duke rritur më shumë kontributet shoqërore dhe shëndetësore
Tabela
Kontributi minimal mujor sipas degëve të sigurimit në % në lekë
Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.3% 58
Dega e sigurimit të barrëlindjeve 1.4% 272
Dega e sigurimit të pensioneve 21.6% 4192
Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale 0.3 58
Dega e sigurimit të papunësisë 0.9% 175
Sigurimet shëndetësore 3.4% 660