Pas mbledhjes së informacionit nga punonjësit mbi kontratat e energjisë elektrike, punonjësit përgjegjës do të rakordojnë të dhënat për saktësinë e tyre me furnizuesin e energjisë elektrike.
Në rastin kur punonjësit rezultojnë me detyrime të energjisë elektrike, punonjësit e autorizuar kërkojnë edhe një herë konfirmimin e furnizuesit dhe përcaktimin e detajuar të energjisë elektrike
Pas konfirmimit të gjendjes së detyrimit, punonjësit e autorizuar njoftojnë debitorët duke i bërë me dije gjendjen e detyrimeve dhe detyrimin e tij për ekzekutimin e tyre brenda një afati prej 15 ditësh kalendarike.
Në rast se punonjësi është në pamundësi financiare për të shlyer menjëherë të gjithë detyrimin dhe nëse kërkon, kontaktohet OSHEE për nënshkrimin e një marrëveshjeje për pagesë pjesore të detyrimit. Në këtë rast, punonjësi shlyen detyrimin sipas kësteve të përcaktuara. Nëse punonjësi nuk respekton afatet, ndaj tij fillon masë disiplinore. Nëse punonjësi nuk shlyen detyrimet tre muaj pas marrjes së masës së parë disiplinore, atëherë ndaj tij fillon masa e dytë disiplinore.
Ministria e Drejtësisë zbaton e para urdhrin e Kryeministrit. Largon 131 gardianë, kishin 13 vite pa paguar
Sokol Çobo
Të gjithë punonjësit e administratës rrezikojnë largimin nga puna, nëse nuk kanë paguar energjinë elektrike. Një urdhër i dalë nga Kryeministria po zbatohet nga ministritë e linjës, të cilat kanë filluar verifikimet, ndërsa ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka firmosur largimin e 131 gardianëve të burgut. Disa prej këtyre punonjësve kishin 13 vite pa paguar energjinë elektrike, në shuma që shkojnë deri në 23 milionë lekë. Megjithatë, masa e Naços është një paralajmërim për të gjithë punonjësit e shtetit, të administratës qendrore, lokale, apo edhe për policët, mësuesit, mjekët apo ushtarakët. Të gjitha ministritë do të verifikojnë rreth 100 mijë punonjës, ku kanë filluar edhe masat e para. Gazeta “Shqip” ka siguruar edhe urdhrin e Naços për vartësit, ku kanë filluar verifikimet apo ndëshkimet.
Largimet e gardianëve
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë thotë se ka nisur verifikimin e të gjithë punonjësve të saj në raport me pagesën e energjisë elektrike. Madje, kanë vijuar edhe nismën e OSHEE-së, ndërsa urdhri i Naços përcakton edhe marrjen e masave ndaj shkelësve të ligjit për mosshlyerje të detyrimeve të energjisë elektrike në sistemin e burgjeve. Drejtoria e Burgjeve ngriti muajin e kaluar një grup pune për të kryer verifikimin e të gjithë punonjësve në sistem dhe kanë dalë rezultatet, të cilat deri diku ishin edhe të pritshme. “Nga verifikimet e deritanishme 650 punonjës të policisë së burgjeve rezultojnë të jenë debitorë të energjisë elektrike, duke shkelur në këtë mënyrë Kodin Penal. Për të mos rrezikuar në asnjë moment sigurinë në institucionet e vuajtjes së vendimeve penale, ministri i Drejtësisë, ka urdhëruar marrjen e masës së largimit nga detyra për 131 punonjës, të cilët rezultonin me detyrimet më të mëdha në mospagesën e energjisë elektrike, në shuma që shkojnë deri në 23 milionë lekë, për një periudhë deri në 13 vjet” thuhet në njoftimin e ministrisë. Sipas saj, aksioni do të vazhdojë edhe më tej, me stafin civil të burgjeve dhe do të konkretizohet në marrjen e masave përkatëse për këdo që ka shkelur Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Urdhri i nëntorit
Gazeta “Shqip” ka siguruar edhe urdhrin e muajit nëntor të ministrit Naço, që ua ka nisur vartësve të tij. Këtë urdhër ai e bazon edhe në Kushtetutë, apo disa vendimeve të Këshillit të Ministrave, si për Etikën, ashtu edhe për ngritjen e Task-Forcës për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Naço ka urdhëruar të gjithë punonjësit e ministrisë dhe të institucioneve të varësisë që duhet të angazhohen në marrjen e masave për përmbushjen e detyrimeve të energjisë elektrike, që punonjësit apo familjarët e tyre, sipas certifikatës familjare, kanë nënshkruar me shoqërinë e furnizimit. Në pikën 2 të këtij urdhri përcaktohet se çdo institucion duhet të marrë masa për të identifikuar detyrimet e energjisë elektrike të punonjësve (sipas certifikatës familjare). “Për këtë qëllim, jo më vonë se 10 ditë nga shkuarja e këtij urdhri, të gjithë punonjësit janë të detyruar që të paraqesin informacionin mbi kontratat e energjisë elektrike”, – thuhet në urdhrin e Naços. Ndërkohë, edhe për ata që nuk janë familjarë, vlen e njëjta procedurë. Në urdhër përcaktohet se deklarimi i qëllimshëm i të dhënave jo të sakta konsiderohet shkelje e Kodit të Etikës së Ministrisë dhe përbën shkak për fillimin e procedurave për masë disiplinore ndaj punonjësit përgjegjës. Ndërkohë, financat pranë institucioneve, brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i këtij urdhri, do të bashkëpunojnë me furnizuesin e energjisë elektrike, për të verifikuar përputhjen e të dhënave të deklaruara nga punonjësit, për sa i përket numrit të kontratës dhe gjendjes së detyrimit. “Në rast se rezultojnë detyrime të maturuara të energjisë elektrike, njësia e financës informon menjëherë punonjësin për detyrimin e tij për të shlyer detyrimet brenda 15 ditëve kalendarike. Në rast të mosshlyerjes së detyrimeve, pa arsye të ligjshme, ndaj punonjësit do të fillojnë procedurat për dhënien e masës disiplinore. Gjithashtu njësia e financës, informon furnizuesin për të ndërmarrë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm ndaj këtyre detyrimeve të paekzekutuara. Pas inicimit të procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm, zyrat e financës bashkëpunojnë me përmbaruesin për të siguruar të dhëna përkatëse të punonjësit në mënyrë që të bëhet i mundur ekzekutimi i detyrimit nëpërmjet sekuestrimit të pagës, duke respektuar nivelin e minimumit jetik. Nëse rezulton se punonjësi ka vlera të konsiderueshme detyrimesh dhe është në pamundësi për t’i shlyer brenda afatit të përcaktuar më sipër, me kërkesën e punonjësit, njësia e financës bashkëpunon me shoqërinë furnizuese të energjisë elektrike për t’i ofruar punonjësit forma lehtësuese të pagesave të detyrimeve të energjisë elektrike (pagesa me dy apo më shumë këste”, thuhej në urdhrin e Naços.
Urdhrat që janë dhënë nga çdo ministër
1.Qëllimi i këtij urdhri është disiplinimi i punonjësve të administratës në pagimin e detyrimeve të energjisë elektrike
2.Të dhënat që do të mblidhen nga punonjësit duhet të lidhen vetëm me qëllimin e disiplinimit të pagesave të energjisë elektrike dhe duhet të vetëdeklarohen nga këta të fundit. Do të deklarohen vetëm të dhënat me emrin, mbiemrin dhe numrin e kontratës
3. Këto të dhëna do të mblidhen brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i këtij urdhri. Ndërsa vlerat e detyrimeve do të sigurohen nga ana e raportimeve që do të bëhen me furnizuesin brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i urdhrit
4.Personat përgjegjës të institucioneve do të kontaktojnë me Drejtorinë e Kujdesit ndaj Klientit pranë OSHEE. Do të ketë raportime periodike. Strukturat zbatuese të urdhrit do të njoftojnë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë çdo problematikë që mund të konstatojnë me rakordimin e informacionit me përfaqësuesit e furnizuesit e energjisë elektrike.
Rama në FB
“Të punosh në shtet, shembull në pagesën e dritave, ujit dhe taksave”
Qeveria duket e vendosur në ndëshkimet me ligj për të gjithë punonjësit e administratës shtetërore që kanë abuzuar dhe nuk kanë paguar energjinë elektrike, duke u hequr mundësinë e marrjes së rrogave. Kryeministri Edi Rama sqaroi se do të penalizohet me mosdhënien e rrogës çdo qytetar që abuzon me energjinë dhe punon në shtet. Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i qeverisë thotë se një person që nuk shlyen faturat e energjisë elektrike dhe që abuzon duke e vjedhur atë, nuk mund të marrë rroga me lekët e taksave. “Të punosh në shtet, do të thotë të jesh shembull në pagesën e dritave, ujit, taksave”, shkruan Kryeministri Edi Rama, në rrjetin social. Për këtë, ai edhe pak ditë më parë ka njoftuar të gjithë punonjësit e administratës shtetërore se nuk do të bëhet asnjë tolerim për dikë që kapet në shkelje të ligjit. Ndërkohë që kreu i qeverisë ka njoftuar pak ditë më parë edhe lehtësimin për konsumatorët që prej vitesh nuk e kanë paguar energjinë elektrike, duke bërë të mundur faljen me 80% të kamatëvonesave deri në muajin shkurt të vitit 2015.