Kuvendi
Bilanci 9-mujor i shpenzimeve, 1.4 milionë kushtuan pritjet e Metës
BLEDAR HOTI
Për 9 muajt e këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar mbi 100 milionë lekë të vjetra vetëm për udhëtimet e ligjvënësve shqiptarë. Sipas raportit të monitorimit të Kuvendit, shuma është përdorur për të realizuar blerjen e 202 biletave për deputetët.
Në zërin për shpenzime udhëtimet jashtë shtetit, sipas raportit të paraqitur nga drejtoresha e Financës dhe Buxhetit në Kuvend, Ermira Kopliku, “ato përfshijnë kryesisht kosto për biletat, akomodimet jashtë shtetit, dietat ditore dhe kosto udhëtimi nga aeroporti në hotel e kthim të delegacioneve parlamentare që marrin pjesë në aktivitetet jashtë vendit. Në këtë 9-mujor janë blerë 10.1 milionë lekë bileta, për 202 bileta, për mbi 54 aktivitete në shtete të ndryshme. Janë shpenzuar 4 milionë lekë dieta, në zbatim të VKM 870, datë 14.11.2011 dhe 6 milionë lekë akomodime”.Për biletat e udhëtimit, janë bërë prokurime me vlera të vogla dhe kryesisht online.
Shpenzimet për pritje e përcjellje
Janë shpenzuar rreth 3.5 milionë lekë për akomodim dhe pritje e përcjellje të delegacioneve të huaja dhe rreth 1,4 milionë lekë, pritje në zyrën e kryetarit, në ambientet VIP në Rinas, takime pune etj., shpenzime të kryera me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ-në), që funksionon në ambientet e Kryesisë apo sallës së seancave plenare. Në përgjithësi, këto shërbime janë prokuruar me blerje të vogla. Duke ju referuar specifikimeve teknike (për sigurinë, llojin e menysë në përshtatje me delegacionin që pritet). Sipas raportit, këto shpenzime janë bërë mbi bazën e një programi të miratuar nga titullari, çka nënkupton me firmën e Kryeparlamentarit Meta. Në shpenzimet operative përfshihen dhe ato që përdoren për deputetët për karburantet apo pagesa të tjera, ku 56% e këtij fondi është përdorur vetëm për ligjvënësit. “Përfitimet financiare ligjore të deputetëve, të cilat shërbejnë për krijimin e lehtësirave deputetëve, për kryerjen e detyrave parlamentare dhe partiake.
Këto përfitime zënë rreth 56% të totalit të shpenzimeve operative (602). Shpenzimet për kuotat parlamentare janë planifikuar 12 milionë lekë, ndërsa janë realizuar 81.7%”, thuhet në dokumentin zyrtar të Kuvendit. Në tabelën përkatëse, në artikullin 602, mallra e shërbime, janë shpenzuar 159.505.000 lekë të reja.
Paratë për gjyqet e punonjësve
Në këtë raport jepen dhe shuma prej 180 milionë lekësh të vjetra që shkojnë për shpenzimet e punonjësve të shkarkuar, por që kanë fituar betejën ligjore me Kuvendin. “Sqaroj se buxheti i mësipërm është sipas ligjit ‘Për buxhetin 2014’, me ndryshimet përkatëse, por gjatë vitit janë akorduar fonde të veçanta, me kërkesën e Institucionit, rast pas rasti për dalje në pension apo raste fatkeqësish në familje, vlera 324 400 lekë. Është akorduar fond i veçantë për aktivitetin e 8 marsit 2014. Janë akorduar 18.009.170 lekë, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si detyrime të prapambetura, që kanë përfshirë llogaritjet e detyrimeve të ish- punonjësve, që nga ndërprerja e marrëdhënieve të punës, deri në momentin e Urdhrit të Sekretarit të Përgjithshëm për fillimin e ekzekutimit. Dhe së fundi, shkresa për likuidimin e detyrimeve të prapambetura, për dy fatura investime, në vlerë 146.328 lekë”, thuhet në këtë raport.
Pagat e deputetëve
Shpenzimet për paga janë akorduar për 361 të punonjës. Në këtë numër, përfshihen deputetët, stafi politik dhe stafi administrativ. Në mënyrë të njëtrajtshme, fondi i pagave duhet të ishte shpenzuar 75% e fondit të akorduar, ndërsa në fakt, sipas raportit, është shpenzuar rreth 63%. “Kjo për disa arsye: Ndërsa numri i deputetëve për të cilët është akorduar fondi i pagave është 140, disa nga deputetët (tashmë në funksionin e ministrit), akoma nuk kanë dorëzuar mandatin e deputetit, kanë marrë pagat në Ministritë përkatëse, kështu që ky fond i kursyer do të kthehet në buxhetin e shtetit (rreth 6.6 milionë lekë). Ndërsa numri në total i punonjësve është 361, pagat janë paguar për 344 punonjës, pra disa vende janë në procedura konkurrimi për t’u plotësuar me personel. Pagesat e deputetëve, bëhen në përputhje me statusin e deputetëve, i cili, parashikon penalitete në pagë, për rastet e mospjesëmarrjes në seanca plenare dhe komisionet e përhershme parlamentare, pa shkaqe të përligjura. Përligjen e mospjesëmarrjes e bën paraprakisht, kryetari i grupit parlamentar ku bën pjesë deputeti. Kanë efektin e tyre dhe pagesat e raporteve mjekësore (ditë pune të munguara) që paguhen nga sigurimet shoqërore. Ndër këto dhe raportet e lejes së lindjes”, thuhet në raportin e Kuvendit. Në këtë raport nuk përmendet fakti nëse janë paguar ose jo deputetët e PD-së, të cilët bojkotuan Parlamentin në muajin korrik të këtij viti.