Kryetari i Komitetit, Tërpo: Gjatë 2014-s janë realizuar 17 raste më shumë


“Komiteti Shqiptar i Birësimeve, në 11 muajt e vitit 2014, ka arritur të realizojë maksimumin e adoptimeve, duke e çuar në 64 numrin e fëmijëve të birësuar”


Planifikimi për vitin 2014 ka qenë 50 birësime, që është tashmë një numër i tejkaluar


Çiftet e huaja birësuese janë kryesisht italiane, amerikane, kanadeze, franceze, greke dhe malteze


“Këshilli drejtues i KSHB-së, brenda po këtij muaji, arrin t’ju gjejë familje, duke mos lënë asnjë fëmijë të presë në listat e birësimit”


Ilda Hoxha


Genci-Terpo_1Për herë të parë këtë vit është arritur që të sigurohet birësimi i fëmijëve me sindromën Daun. Duket se stereotipizimi dhe paragjykimi për këta fëmijë është thyer, duke u dhënë edhe atyre të drejtën e një familjeje. Kryetari i Komitetit të Birësimeve, Genci Tërpo, ka sqaruar për gazetën “Shqip”, se fëmijët me sindromën Daun janë birësuar kryesisht nga të huajt. Ndërkohë përveç tyre, ka pasur adoptime edhe për fëmijët me probleme fizike apo edhe shëndetësore. Ky është një tregues se tashmë shoqëria po shkon drejt një përkujdesje më të madhe sociale. “Gjatë këtij viti ka pasur disa birësime të suksesshme për disa fëmijë me sindromën Daun. Gjithashtu ka edhe birësime të disa fëmijëve me prapambetje të thellë institucionale, të fëmijëve me probleme fizike apo edhe atyre me probleme të rënda shëndetësore. Falë punës së Komitetit Shqiptar të Birësimeve janë arritur të adoptohen dhe ecuria e tyre tashmë është në një stad mjaft të mirë duke qenë se familjet birësuese japin maksimumin njësoj sikur të ishin familjet biologjike”, theksoi Tërpo. Përpos këtij fakti, 2014-a ka shënuar edhe numrin më të madh të adoptimeve ndër vite. Krahasuar me një vit më parë, sivjet janë dyfishuar birësimet. Madje kryetari i komitetit shprehet se është tejkaluar edhe planifikimi i bërë për vitin 2014. “Komiteti Shqiptar i Birësimeve, në 11 muajt e vitit 2014 ka arritur të realizojë maksimumin e adoptimeve, duke e çuar në 64 numrin e fëmijëve të birësuar. Kjo do të thotë se kemi 17 raste të birësimeve më shumë se për gjithë vitin 2013, duke qenë se vjet janë bërë gjithsej 47. Planifikimi për vitin 2014 ka qenë 50 birësime që është tashmë një numër i tejkaluar me kohë duke konfirmuar plotësisht mundësinë që ka institucioni për të dhënë maksimumin e tij këtë vit e në vijim. Besojmë se do të realizojmë edhe disa raste më tepër birësime. Kjo bëhet me qëllim për të ulur ndjeshëm numrin e fëmijëve të braktisur nga prindërit biologjikë dhe zëvendësimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë me familje alternative siç janë familjet birësuese”, deklaroi kryetari Genci Tërpo. Kërkesa të mëdha për të birësuar një fëmijë shqiptar ka pasur edhe nga shtetas të huaj, të cilët kanë shprehur një dëshirë të madhe për t’i bërë pjesë të tyre. Ndërkohë edhe mjaft shqiptarë, të cilët nuk kanë pasur fatin të kenë fëmijë, kanë shprehur gatishmërinë për t’u dhënë dashuri dhe mbrojtje fëmijëve të braktisur. Shpërndarja gjeografike e çifteve shqiptare përfshin zona nga më të ndryshmet në Shqipëri, ndërsa çiftet e huaja janë kryesisht italiane, amerikane, kanadeze, franceze, greke apo edhe malteze. Sigurisht në harkun kohor njëvjeçar, numri më i madh i kërkesave është nga çiftet shqiptare. Kryetari i komitetit, Genci Tërpo, pohon se numri i madh i kërkesave për adoptime ka bërë që të mos ketë asnjë fëmijë të braktisur në pritje në listat e birësimit. “Ka një numër të konsiderueshëm kërkesash për birësim dhe paralelisht edhe fëmijë të deklaruar të braktisur me vendim gjyqësor që janë kontingjent për birësim. Theksojmë se çdo muaj pranë KSHB-së vijnë dosje fëmijësh të deklaruar të braktisur nga gjykatat kompetente. Këshilli Drejtues i KSHB-së, brenda po këtij muaji, arrin t’ju gjejë familje, duke mos lënë asnjë fëmijë të presë në listat e birësimit. Pra ne sjellim një situatë të njëjtë çdo fund muaji që përkthehet me gjetjen e një familjeje për çdo fëmijë, duke e minimizuar në maksimum numrin e fëmijëve të braktisur. Kjo do të thotë që edhe në muajt në vijim do të ketë raste të tjera birësimi që varen nga përcjelljet e dosjeve të plota të fëmijëve të braktisur nga institucionet e përkujdesjes sociale. Puna jonë do të konsistojë sërish në gjetjen e familjeve për çdo rast”, nënvijëzoi ai. Një prej faktorëve kryesorë që ka çuar në rritjen e numrit të adoptimeve është edhe shkurtimi apo lehtësimi i procedurave për marrjen e një fëmije të braktisur në kujdestari. Nëse më parë për të birësuar një fëmijë duheshin 12-15 muaj, me ndryshimet e bëra, kjo arrihet vetëm në 6 muaj. “Në rritjen e numrit të birësimeve ka ndikuar, pikësëpari, ndjekja me përpikëri e procedurave trajnuese e çifteve aplikantë pranë Komitetit duke evidentuar dhe duke arritur të kemi çifte të denjë dhe të predispozuar tërësisht për të qenë prindër idealë për fëmijët kontingjent birësimi. Vlen të përmendim se më parë një procedurë birësimi në gjykatë zgjaste disa muaj, sepse trajtimi që i bëhej një çështjeje të tillë konsiderohej njësoj si çdo rast tjetër gjykimi. Tashmë pikërisht trupa gjyqësore mundohet të minimizojë çdo vonesë në finalizimin e kësaj procedure”, tha Genci Tërpo. Në vendin tonë, në total, janë 24 institucione rezidenciale, nga të cilat 10 publike e 14 private, si edhe 8 qendra zhvillimi që ofrojnë përkujdesje ndaj fëmijëve të moshës nga 0-18 vjeç. Aktualisht në këto qendra marrin përkujdesje sociale 653 fëmijë që jetojnë në qendrat publike dhe private dhe 154 që marrin shërbim në qendrat e zhvillimit. Fëmijët e këtyre qendrave u përkasin moshës nga 0 në 18 vjeç. Ndërkohë, Tërpo thotë se synimi kryesor i komunitetit dhe jo vetëm është largimi i fëmijëve nga këto qendra rezidenciale dhe gjetja e një familjeje për secilin prej tyre. Sipas tij, institucionalizimi i tyre nuk është në të mirë të askujt, pasi fëmijët kanë nevojë për ngrohtësinë e familjes, por edhe për shtetin ka kosto mbajtja e tyre. Në bazë të llogaritjeve të bëra, për të mbajtur një fëmijë në këto institucione kushton 500 euro në muaj.