Vlerësimi do bëhet nga një agjenci angleze. Zëvendësministri i Arsimit shpjegon fazat dhe kriteret


Synojmë që brenda 3-4 viteve agjencia jonë publike të bëhet pjesë e ENQA-s, që të kemi edhe ne institucionet tona për të bërë akreditimin


Kompania – Sot nënshkruhet marrëveshja me agjencinë angleze QAA, e renditur si më e mira nga ENQA, rrjeti europian i sigurimit të cilësisë


Llojet – Ka dy lloj akreditimesh. Njëri quhet akreditim institucional, ndërsa tjetri quhet akreditim i programeve të studimit


Afatet – Akreditimit institucional përfundon brenda 5 muajve, përkatësisht në qershor, ndërsa ai i programeve do të nisë në muajin tetor


Shpresa Mezini


Arbjan-Mazniku1_1Procesi i shumëdiskutuar i akreditimit të universiteteve do të nisë sot, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me agjencinë angleze QAA (Quality assurance agency), e renditur si më e mira nga ENQA, rrjeti europian i sigurimit të cilësisë së universiteteve. Agjencia, që vitin e fundit është vlerësuar maksimalisht për standardet. Lajmi bëhet me dije nga zëvendësministri i Arsimit, Arbian Mazniku, i cili sqaron për gazetën “Shqip”, detajet e mënyrës sesi do të jetë organizuar procesi i akreditimit dhe sesi do të aplikohet ai në universitete. “Procesi i akreditimit tipikisht, në pjesën më të madhe të rasteve zhvillohet i ndarë në tri faza. Në fazën e parë përcaktohen kriteret e akreditimit, siç mund të jenë për shembull: Raporti student-pedagog; Mbajtja e dokumentacionit; Mbajtja e mësimdhënies; Skualifikimi i stafit; Mbajtja e regjistrave deri tek ato që konsiderohen si më elementaret, si: A ka institucioni arsimor fikse zjarri; A kanë parametra higjienikë tualetet?”, tregon Mazniku. Sipas tij, fillimisht kriteret do të vetëvlerësohen nga vetë institucioni i lartë arsimor (vlerësimi i brendshëm), ndërsa pas kësaj do të nisë verifikimi në terren nga ekspertë të agjencisë angleze të akreditimit. “Agjencia i dërgon çdo universiteti, qoftë publik apo privat, një formular vetëvlerësimi, që do të plotësohet sipas të dhënave të një institucioni të caktuar mbi kriteret e sipërpërmendura, brenda një kohe të caktuar, që mund të jetë një, dy javë apo një muaj e gjysmë. Më pas agjencia ngre një grup ekspertësh, ku të paktën një prej anëtarëve do të jetë shqiptar, ndërsa të tjerët anglezë, të punësuar nga vetë kompania, që do të bëjnë verifikimin e të dhënave të paraqitura në formular, për të dalë me një raport përfundimtar vlerësimi (vlerësimi i jashtëm), ndërsa më pas ia referojnë konkluzionet Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APPAL). Raporti me të dhënat e arritura edhe në bashkëpunim me APPAL do t’i dërgohen Këshillit të Akreditimit, i cili është krijuar nga ligji dhe rikrijuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave, që në bazë të vlerësimit të dhënë nga agjencia marrin vendimin final, nëse duhet ose jo të akreditohet një institucion i caktuar. Natyrisht që do të akreditohen ato universitete, të cilat plotësojnë kriteret dhe standardet”, argumenton zëvendësministri i Arsimit, Mazniku. Ai thekson se duhet të kuptojmë që ka dy lloj akreditimesh, për të qenë të qartë për mënyrën e zhvillimit të secilit të tyre. Njëri quhet akreditim institucional, ndërsa tjetri quhet akreditim i programeve të studimit. Mazniku thekson se njëri nga tjetri ka një seri ndryshimesh, duke nisur nga konceptet te zbatimi i secilit prej tyre. “Procesi i akreditimit institucional ka të bëjë me mënyrën sesi funksionon një institucion i arsimit të lartë, ndërsa akreditimi i programit të studimit ka të bëjë me mënyrën sesi zhvillohet një lëndë x në një degë të caktuar. Hapi i parë është realizimi i akreditimit institucional, ndërsa hapi i dytë, akreditimi i programeve të studimit, që kërkon më shumë kohë, sepse janë me mijëra programe, që duhet analizuar secili më vete. Nesër nis zyrtarisht procesi, me nënshkrimin e marrëveshjes do bihet dakord për standardet”, shpjegon zëvendësministri i Arsimit. Mësohet se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që procesi i akreditimit të institucioneve, që do të nisë i pari të mbyllet brenda 5-6 muajve, përkatësisht në qershor. Zyrtarisht thuhet se është kërkuar rritje e numrit të skuadrave që do të verifikojnë të dhënat në terren, vetëm në mënyrë që procesi të përfundojë shpejt, për të pasur më në fund një panoramë të përgjithshme të situatës në universitetet publike dhe private, jo vetëm në fushën e kritereve të ligjshmërisë, por edhe të standardeve të tjera cilësore. “Faza e dytë e akreditimit, që është akreditimi i programeve të studimit do të nisë me përafërsi në muajin tetor, kur të nisë viti i ri akademik 2015-2016. Jemi të vendosur që këtë proces ta shfrytëzojmë maksimalisht qoftë për të mësuar se cilat programe apo institucione të arsimit të lartë do të akreditohen ose jo, qoftë për të fuqizuar agjencinë tonë publike të akreditimit, që praktikisht nuk funksionon në përputhje me standardet europiane, siç ne dëshirojmë. Synojmë që brenda 3-4 viteve agjencia jonë publike të bëhet pjesë e ENQA-s, që të kemi edhe ne institucionet tona për të bërë akreditimin, siç i ka gjithë bota. Nuk kemi pse i marrim jashtë. Pra, nëse në fazën e parë kemi vetëm kompaninë angleze, në fazën e dytë roli i saj zbehet për t’u fuqizuar kompania jonë në rolin e saj”, theksoi Mazniku. Sipas tij, sot do të firmoset marrëveshja kuadër, që parashikon bashkëpunimin, ndërsa pas kësaj do të ketë marrëveshje të veçanta, për çdo fazë. Zëvendësministri i Arsimit bën me dije se procesi i akreditimit që do të nisë sot është serioz, ndryshe nga ato të qeverisë së dikurshme, ku akreditimi është bërë nga agjenci shqiptare, që kanë prodhuar një proces të kompromentuar vlerësimi dhe akreditimi.