Fondet e parealizuara do të kalojnë në buxhetin 2015
Zamir Alushi
Tre muaj pas rishpërndarjes së fondeve në shtator, qeveria planifikon që të bëjë një tjetër rialokim të fondeve në fund të muajit. Por, tashmë bëhet fjalë për mbartjen e tyre në buxhetin e vitit 2015.Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u shpreh për këtë çështje duke qenë i ftuar në konferencën për studiuesit e rinj dhe doktorantët e fushës së ekonomisë, e zhvilluar në ambientet e Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Tiranës. I pyetur pse ka mosrealizim të investimeve, ministri Cani u shpreh dje se, shkaku kryesor ishte vonesa në fillimin e investimeve. “Buxheti vjet është miratuar në datën 30 dhjetor. Ju e kuptoni që u desh një tremujor i tërë për të marrë veten. Që të fillojnë investimet, duhet ta dini se miratohet buxheti si ligj, nxirren një sërë aktesh nënligjore në zbatim të buxhetit, çka e shtyu zbatimin e buxhetit në janar, në shkurt, në mars dhe pikërisht për këtë arsye investimet filluan me vonesë”, u shpreh Cani. Ministri theksoi se kjo vonesë ishte bërë traditë e administratës. “Ishim mësuar me traditë, gjithnjë, që buxheti nuk realizohej dhe nuk fillonte kurrë para tremujorit të parë. Kështu që, së pari filloi me vonesë, pastaj filloi tempi i përshpejtimit dhe u bënë edhe investime”, shpjegoi Cani. Por duket se edhe likuiditetet nuk ishin të mjaftueshme. “Për shkak të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, Shqipërisë iu kërkua njëherësh një sasi gati dyfish likuiditet, që nuk është e lehtë që ta menaxhosh”, deklaroi Cani. Ministri njofton se ka një përshpejtim të investimeve në dy muajt e fundit. “Ne jemi në diskutim akoma, nëse ka nevojë rialokimi të investimeve apo jo, për arsye se ka një ecuri goxha të mirë të investimeve në periudhën nëntor-dhjetor. Pra, ne jemi në një fazë që duhet të bëjmë një përmbyllje, për të kuptuar më mirë dhe qartë nëse do të lindë nevoja për rialokime apo do të realizohen investimet aty ku janë, gjë për të cilën kuptohet që duhet të presim”, tha Cani. Deri tani janë konsumuar rreth 50% e deficitit buxhetor vjetor, 40 miliardë lekë nga 80 miliardë lekë të programuara. Por ministri Cani mendon se shifrat mund të përmbysen në fund të dhjetorit. “Investimet realizohen me kohë, që paguhen me këste, por ka edhe një tjetër lloj investimi, ku pagesa bëhet në fund. Prandaj dhjetori, nga tërë analizat që po i bëjmë është një muaj që po na e vështirëson shumë nëse të do kemi apo jo hapësira për rialokim fondesh. Prandaj duhet të presim deri në fund të vitit, se duket që nuk do të qëndrojnë këto raporte; pra edhe deficiti do të realizohet edhe investimet do të realizohen, kuptohet brenda atyre parametrave që kemi rënë dakord me FMN”, deklaroi Cani.
Realizmi i investimeve
Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për 11-mujorin, investimet e buxhetit ishin rreth 8.3 miliardë lekë, ose 83 milionë dollarë më pak sesa plani i parashikuar për këtë periudhë. Sipas shifrave për gjithë vitin 2014, shifra e programuar për investime në vepra publike është 66 miliardë lekë. Por deri në fund të nëntorit janë realizuar, sipas të dhënave, vetëm 43 miliardë lekë. Qeveria shpreson që gjatë këtij muaji të ketë një përshpejtim në kryerjen e tyre, për të ngushtuar mosrealizimin, por trendi i 11-mujorit sugjeron se shifra faktike e investimeve mund të rezultojë në fund të vitit mbi 10 miliardë lekë më e ulët se plani. Me organizimin e ri të qeverisë, monitorimi i ecurisë së investimeve ka kaluar nën përgjegjësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Aktualisht, mes kësaj ministrie dhe Ministrisë së Financave po shqyrtohen një sërë opsionesh, se si do të rialokohen fondet e mosrealizuara, ku disa nga variantet janë pagesa për shpronësime apo likuidimi i borxheve të prapambetura ndaj hidrocentraleve private. Rialokimi i fondeve do të ndodhë, pasi kjo është parashikuar edhe në relacionin e qeverisë dërguar Kuvendit bashkëngjitur me ligjin për buxhetin 2015. “Qeveria ka marrë një sërë masash për të siguruar realizimin në kohë të tyre, duke filluar nga përgatitjet paraprake gjatë vitit 2014, deri tek alokimi i tyre në ditët e para të vitit 2015”, nënvizohet në relacion.
Prezantimi, Në 2015, reformë në E-Tax dhe kadastër fiskale
Ministri Cani i fton studiuesit e rinj të ekonomisë që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Financave. “Ne jemi të gatshëm që sot, që të pranojmë hulumtues të rinj, për t’i përfshirë në Ministrinë e Financave, t’u ofrojmë të dhëna dhe bashkëpunimin e punonjësve tanë, në mënyrë që ju të bëni hulumtimet tuaja, që do të na shërbejnë për të na dhënë zgjidhje në fusha të ndryshme”, deklaroi Cani. Në këtë kuadër ministri u paraqiti të rinjve disa nga reformat që do të ndërmarrë qeveria gjatë vitit 2015. “Do të kemi ‘E-Tax’, shorteun e kuponit tatimor, kadastrën fiskale, dritaren e vetme, që u përket doganave (ku në një dritare të vetme të kryhen të gjitha shërbimet), platforma e re dixhitale për hidrokarburet etj”, tha Cani. Sipas ministrit, në vitin 2014 ndërroi një filozofi, kaluam nga “taksimi i sheshtë” në “taksimin progresiv”. “Ne gjykojmë se kemi bërë mirë, por natyrshëm jemi të hapur për debat, por dhe mendim se si mund të përmirësohet më mirë kjo çështje”, deklaroi ministri Cani.