Dueli
Tevez dhe Higuain mbyllin 120 minutat në barazimin 2-2. Më pas lotaria nga pika e bardhë
Napoli ka fituar Superkupën e Italisë për herë të dytë në historinë e vet, duke ndërprerë serinë e sukseseve të Juventusit që e kishte fituar këtë trofe në dy edicionet e kaluara. Në ndeshjen e zhvilluar në Doha të Katarit, diferencën mes Napolit dhe Juventusit e kanë bërë gjuajtjet nga pika e bardhë e 11-metërshave, pasi 120 minutat dhuruan një barazim të merituar dhe shumë spektakolar 2-2.
Pritej një ndeshje e hapur mes dy skuadrave dhe e tillë ka qenë ajo e djeshmja, e filluar me një gol të shpejtë për Juventusin që vinte në këtë sfidë me petkun e Kampiones së Italisë. Pas vetëm 5 minutash, Karlos Tevez përfitoi nga një gafë e mbrojtësve napolitanë për të marrë topin dhe për ta dërguar atë pas krahëve të portierit Rafael me një gjuajtje të fortë. Reagimi i Napolit ishte i menjëhershëm, me Hamshik që tronditi shtyllën e portës së Bufon në minutën e 16 të sfidës. Megjithatë, protagonistë në fushë vazhdojnë të mbeten argjentinasit e të dyja skuadrave, me Tevez që shfaqet disa herë rrezikshëm para katërkëndorit të Rafael e Gonzalo Higuain që nga ana tjetër detyron Bufon të bëjë disa ndërhyrje spektakolare për të ruajtur portën e tij nga gola të sigurt. Sulmuesi i Napolit godet edhe shtyllën në fillimin e pjesës së dytë, por arrin të barazojë rezultatin në minutën e 78 të sfidës me një gjuajtje me kokë. Barazimi në fund të 90 minutave i hap rrugë kohëve shtesë, ku Juventusi tregohet më kërkues. Tevez rivendos ekipin e tij në avantazh në minutën e 116, me një tjetër gol spektakolar. Por bashkëkombësi i tij te Napoli, Higuain, çon ndeshjen drejt penalltive, duke shënuar kur kishin mbetur vetëm 2 minuta nga fundi i shtesës së dytë.
Kësisoj, fati i ndeshjes zgjidhet me gjuajtjet nga pika e bardhë, të cilat fillojnë me gabim të dyfishtë të Zhorzhinjo për Napolin e Tevez për Juventusin. Më pas, vijojnë 10 realizime të sakta radhazi, ku Bufon e Rafael luajnë rolin e spektatorit. Portieri i Juventusit arrin të presë dy penallti radhazi, të Mertens e të Kajehon, por edhe Napoli mbetet në garë, pasi fillimisht Rafael bllokon gjuajtjen e Kielinit, e më pas Pereira dërgon topin mbi traversë. Në serinë e 9 të gjuajtjeve, Kulibali shënon në tentativën e tij, ndërsa Padoin hipnotizohet nga Rafael, i cili pret gjuajtjen e mesfushorit juventin. 6-5 me penallti dhe për Napolin fillon festa e ëmbël e një hakmarrjeje ndaj skuadrës që i kishte rrëmbyer trofeun dy vite më parë, pas një ndeshjeje me shumë polemika të luajtur në Pekin.