Favorizimi
Ndryshon kontrata, koncesionari përjashtohet 15 vjet nga taksat
Kontrata – Qeveria heq detyrimin e koncesionarit për ndërtimin e hidrocentralit në Kokel, për shkak të kushteve të paplotësuara
Koncesionari norvegjez që po ndërton hidrocentralet në Devoll fiton në tavolinë një tender për ndërtimin e rrugëve dytësore me vlerë 10.5 milionë euro, heqjen e detyrimit për të ndërtuar njërin nga HEC-et, përjashtimin nga pagesa e tarifës koncesionare për 15 vjet dhe lehtësi të tjera. Propozimet e Ministrisë së Energjisë për ndryshimet në kontratë janë miratuar dje, nga Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese. Në reagimin e tij, deputeti i PD-së, Genc Ruli, tha se, “befas po i bëhet një tolerancë e jashtëzakonshme njërit prej koncesioneve dhe pasi është lënë dy vjet pa e buxhetuar shumën, vjen të na bindë tani se kjo bëhet pa dëmtuar shtetin, por shteti dëmtohet realisht”. Edhe Ministria e Financave ka bërë vërejtje dhe ka kërkuar sqarime me shkrim për kompensimin e taksave. Shpjegimet pse ndryshon kontrata i bëri zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja. Sipas tij, është rënë dakord se shuma që koncesionari do t’i paguajë qeverisë si kompensim për infrastrukturën zëvendësuese do të jetë 10 550 000 euro. Arsyeja e këtij kompensimi, sipas relacionit, është shmangia e kërkimit të dëmshpërblimit nga koncesionari. Drafti i marrëveshjes, konsiston në këto elemente: 1. Marrjen përsipër të detyrimit të ndërtimit të infrastrukturës zëvendësuese, ku përfshihen rrugë dhe ura, nga ana e koncesionarit, si dhe shlyerjen e kostove nga ana e qeverisë në një periudhë 5–vjeçare; 2. Marrjen përsipër të detyrimit të ndërtimit mbi bazën e inventarëve të rëna dakord me komunat, të shkollave, shtëpive që përmbyten, të cilat do të ndërtohen mbi bazën e programeve sociale të IFC-së, (Bankës Botërore); 3. Heqja e detyrimit të pagesës së tarifës koncesionare për 15 vjet, kompensimin e kostove që shkaktohen si rezultat i rritjes së taksave.