Raporti


Tahiri: Testime mujore dhe vjetore për policët, gati ligji për policinë dhe byronë e hetimit


Ministri pranoi se ende ka punonjës policie që janë të korruptuar, por askush nuk i mbron


analiza e policise_1Sipas Policisë së Shtetit, në vitin 2014 kanë ndodhur 98 vrasje me dashje, nga 107 të tilla që kishin ndodhur në vitin 2013, ndërsa ka pasur një ulje të dukshme të shpërthimeve me tritol, ku për vitin që lamë pas u shënuan 72 ngjarje të tilla, nga 85 raste që ishin në vitin 2013. Statistikat u bënë me dije ditën e djeshme në analizën 1-vjeçare të punës së Policisë së Shtetit. I pranishëm në analizën që u dha nga drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, parashtroi disa risi, ku spikaste ai i testimit të policëve. Për këtë pjesë Tahiri tha se “Ligji i ri ka përcaktuar një sërë kriteresh, sepse ne besojmë që punonjës policie të trajtuar mirë bëjnë më mirë detyrën dhe shkëputen më mirë nga praktikat korruptive, por nga ana tjetër ligji i ri ka përcaktuar edhe mekanizma mujorë dhe vjetorë, që punonjësi i policisë t’u përgjigjet detyrave ligjore me trajnime periodike dhe me teste, të cilat duhet të jenë kushti për të cilat punonjësi i policisë duhet të rrijë në detyrë”. Ministri pranoi se ende ka punonjës policie që janë të korruptuar, por askush nuk i mbron. Një tjetër risi është edhe rritja me mbi 1000 punonjës policie, ndërsa ministri tha se vetëm gjatë vitit 2014 gati 11 për qind e të gjithë efektivit të Policisë së Shtetit i është nënshtruar procedimit penal apo procedimit disiplinor për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin, shkeljet dhe abuzimin në detyrë. Sipas Tahirit, sfida kryesore mbetej implementimi i ligjit për Policinë e Shtetit, i cili duhet të hyjë në fuqi pas pak kohësh. “Një ndër elementet më të rëndësishme është ngritja dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kemi asistencën e ngushtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë ICITAP dhe PAMECA, por edhe mbështetjen bilaterale të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi Tahiri. Ndërkaq, në analizën e policisë u theksua se vjet ndodhën 2 vjedhje me pasojë vdekjen, nga 6 që ishin në 2013-n, teksa në total ishin 153 krime kundër pronës, nga 377 në 2013-n. Më tej, për sa u përket aksidenteve rrugore, në analizë u tha se vjet ishin 31 viktima më pak se 2 vite më parë. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, u theksua se vjet ishin evidentuar 151 vepra të tilla penale, me 239 autorë, ku 164 ndiqeshin në gjendje të lirë. Në lidhje me sekuestrimin e pasurive kriminale, u tha se ishin sekuestruar 19 llogari bankare dhe 14 pasuri të paluajtshme. Për trafikimin e personave, lufta ndaj tij në vitin 2014 ishte rritur me 3 herë. U kapën 73.4 kg heroinë gjatë 2014-s dhe 101 tonë marijuanë. Për dhunën në familje, rastet e denoncimeve ishin rritur me 30 për qind. Krime kundër personit janë evidentuar 398 raste dhe zbuluar 347, ose 19.2 për qind më pak se 2013. Për vjedhje të energjisë elektrike, janë evidentuar dhe referuar në prokurori 1497 vepra penale. Në këtë analizë ishin të pranishëm edhe kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho, Avokati i Popullit, Igli Totozani, përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Kosta Beluri etj.


 


Tabelë e kriminalitetit gjatë 2014-s



  • 31225 vepra penale të evidentuara

  • 10,4 për qind më pak vrasje me dashje

  • 7,7 për qind më pak aksidente rrugore, ose 31 viktima më pak

  • 19,2 për qind më pak krime të rënda kundër personit

  • 54,1 për qind më pak vjedhje me armë

  • 67 për qind më pak vjedhje me pasojë vdekjen

  • 15,3 për qind më pak raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv

  • 46 për qind më shumë autorë të arrestuar në flagrancë

  • 5 herë më shumë marijuanë e sekuestruar

  • 24 milionë euro pasuri të krimit të sekuestruara

  • 51 për qind më shumë raste të goditjes së korrupsionit

  • 54.8 për qind më shumë heroinë e sekuestruar

  • 238 patrullime të përbashkëta me Malin e Zi

  • 100 patrullime me Maqedoninë