Raporti, Shqipëria në krye të rajonit për reformat, liberalizimin e tregut dhe punësimin e të rinjve


Rritja ekonomike – Norma vjetore e PBB-së në rajonin e Ballkanit për 2015-n parashikohet të rritet mesatarisht deri në 1,7 për qind


Tregu – Shqipëria merr vlerësim maksimal për liberalizimin e çmimeve në treg, në një nivel me Bullgarinë, Rumaninë e Maqedoninë


Zamir Alushi


The EBRD's 2011 Annual Meeting in Astana, Kazakhstan, 20-21 May 2011Shqipëria merr vlerësimin më të mirë në rajon për reformat strukturore të kryera në ekonomi. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin vjetor “Transition report 2014”, jep pikën maksimale 4+ (vlerësimi nga 1 deri 4+) për shkallën e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha dhe të vogla, duke qenë më mirë se Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe duke u barazuar në nivel me Bullgarinë dhe Rumaninë. Por, raporti e rendit më poshtë Shqipërinë për sa i përket administrimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjeve (vlerësimi 2+).


Konkurrenca dhe liberalizimi


Po ashtu, Shqipëria merr vlerësim maksimal për liberalizimin e çmimeve në treg (4+), në të njëjtin nivel me Bullgarinë, Rumaninë e Maqedoninë, pak më mirë se Serbia dhe vendet e tjera të rajonit. Të njëjtin vlerësim Shqipëria e merr edhe në fushën e shkëmbimeve tregtisë dhe valutore, ndërkohë që vlerësohet më poshtë (2+) për konkurrencën. Në këtë tregues veçohet fqinji ynë Mali i Zi, i cili sipas BERZH-it, gjatë 2014-s ka hetuar dhe goditur kartelet pas shqyrtimit nga Autoriteti i Konkurrencës.


Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme


Shqipëria është në terren pozitiv për klimën e krijuar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla private (SME). “Tri vende, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë përmirësuar në treguesin e rritjes së numrit të SME-ve. Ato kanë afruar lehtësi në financimin për SME-të, përveç përmirësimit të aftësive të oficerëve të kredisë në departamentet e kreditimit që trajtojnë kërkesat e SME-ve.


Korporatat


Sipas raportit, në sektorin e korporatave në agrobiznes, industri, “real estate dhe teknologjinë e komunikimit, Shqipëria vlerësohet të ketë një zhvillim mesatar. Po këtë notë merr edhe energjetika, qoftë për numrin e burimeve energjetike, për burimet natyrore dhe për prodhimin e energjisë elektrike. E nivelit të lartë është vlerësimi për ujësjellësit dhe kanalizimet, infrastrukturën rrugore dhe transportin urban. Gjithashtu, sektori financiar merr vlerësime mesatare dhe të larta. Në një tabelë tjetër, Shqipëria vlerësohet me nivelin mesatar (medium), që është përcaktimi që bën BERZH-i për zhvillimin e institucioneve, si dhe për aksesin te shërbimet.


Tregu i punës


Ndërkohë, tregu i punës vlerësohet i zhvilluar në shkallë të lartë (large), kurse niveli arsimor vlerësohet në mënyrë minimale (small). Këto vlerësime e rendisin Shqipërinë më mirë se Bosnja, Kosova dhe Mali i Zi. Në një tabelë më të detajuar për këta tregues, Shqipëria merr vlerësim mesatar për strukturën e tregut të punës, ka nivel të lartë për mundësitë që u ofrohen të rinjve, nivel të ulët për vitet e arsimit që ka kryer mesatarisht një i punësuar.


Barazia gjinore


Kur vjen fjala për barazinë gjinore, në një tabelë tjetër, Shqipëria vlerësohet në nivelin e fundit “i papërfillshëm”, për zbatimin e legjislacionit. Për aksesin në shërbimet shëndetësore, Shqipëria vlerësohet në nivelin mesatar, ndërsa për shkallën e punësimit të numrit të femrave pronare biznesesh, për aksesin në financa, vendi ynë vlerësohet maksimalisht. Sipas komenteve të BERZH-it në lidhje me mangësitë e aktivizimit të të rinjve, shumica e vendeve të rajonit kanë përmirësime, ndërsa ka ulje kryesisht në fushat e arsimit, përfshirjen financiare dhe strukturën e tregut të punës. Ka pasur disa përmirësime në cilësinë e arsimit, sidomos në Shqipëri dhe Mali i Zi.


Papunësia


Sipas raportit, papunësia mbetet vazhdimisht e lartë në një numër vendesh të Europës Lindore dhe në Ballkan. Shqetësim i veçantë janë nivelet e larta të papunësisë afatgjatë (përqindja e njerëzve në forcë pune, të cilët kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj). Papunësia afatgjatë është aktualisht rreth 6 për qind në vendet e Europës Lindore dhe 16 për qind në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria.