Kandidatët
Në Kamzë, PS-ja synon të kandidojë prefektin e Kukësit. Safet Gjici nuk e mohon
ARTEMISA HOXHA
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, duket më e favorizuar nga PS-ja për të qenë kandidate për Bashkinë e Tiranës. Sipas burimeve pranë PS-së, përflitet se Kryeministri Edi Rama po e vlerëson emrin e ministres së Arsimit për ta paraqitur si kandidate të së majtës në zgjedhjet e ardhshme lokale të 21 qershorit. Kur duhen dhe tre muaj që kandidatët të zyrtarizohen, në selinë e PS-së, e gjithë vëmendja është fokusuar tek emri që do të përzgjedhë e majta për bashkinë më të madhe në Shqipëri. Për metropolin shqiptar në radhët e PS-së përfliten Pandeli Majko, Lindita Nikolla dhe së fundmi Artan Lame, kreu i ALUIZNI-t, i cili nuk ngurroi të deklaronte hapur se do t’i pëlqente të konkurronte për Bashkinë e Tiranës. Në këto tre emra është fokusuar e gjithë vëmendja, edhe pse nuk është se gjithçka është përfundimtare. Pas vetëlargimeve të ministrave të tjerë si Erjon Veliaj (i përjashtuar publikisht nga Rama), Mimi Kodhelit dhe Saimir Tahirit, vëmendja duket se është fokusuar te ministrja e Arsimit. Kjo për faktin se Nikolla, më përpara mban mbi supe një eksperiencë të gjatë në drejtimin e njësive të qeverisjes vendore. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003 – 2006 është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, zgjidhet deputete e Qarkut të Tiranës. Ndërsa që nga shtatori i vitit 2007, Nikolla është anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste. Nga PD-ja zëra të fuqishëm brenda saj po kërkojnë që kryedemokrati Lulzim Basha të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës, e majta pritet të përcaktojë se cilët nga tre emrat e mbetur ndërmjet Nikollës, Majkos dhe Lames do të përballet në garën e 21 qershorit. Kjo pa përjashtuar dhe ndonjë emër surprizë që kryesocialisti Edi Rama mund të paraqesë në mbledhjen e kryesisë së PS-së, strukturë partiake që duhet të vendosë për kandidatët e 61 bashkive në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ish-kryeministri Pandeli Majko prej kohësh shihet si një kandidat potencial i PS-së. Në rrjetet sociale po qarkullojnë faqe që bëjnë thirrje për të mbështetur Majkon për Bashkinë e Tiranës. Ndërsa Lame, tri ditë më parë, shprehu dëshirën për të kandiduar për bashkinë e metropolit. “Me ndarjen e re zgjedhjet janë më të paparashikueshme, pasi nuk bëhet më fjalë për një elektorat dhe komunitet homogjen dhe balancat kanë ndryshuar. Jam gati të kandidoj. Mua më hanë duart për këtë qytet. Po ma dhanë do merrem, po s’ma dhanë nuk do merrem”, tha Lame në emisionin ‘Top Story’.
Gjici në Kamzë
Partia Socialiste po mendon të kandidojë prefektin e Kukësit, Safet Gjici, për Bashkinë e Kamzës. Emri i presidentit të klubit të futbollit të Kukësit po përflitet prej ditësh në selinë e PS-së, por edhe në zonën e Kamzës, e cila ka një popullsi të banuar nga zonat verilindore të Shqipërisë. Vetë Gjici i pyetur gjatë emisionit sportiv “Gol pas goli” nuk e hodhi poshtë idenë e kandidimit për Bashkinë e Kamzës, e cila prej shumë vitesh është bastioni i së djathtës. “Unë jam prefekti i Qarkut të Kukësit dhe jam në detyrë. Të tjerat pastaj nuk e di se si do të shkojë rrjedha e ngjarjeve, por unë jam sot aktualisht në detyrë si prefekti i Qarkut të Kukësit dhe natyrisht nëse do e mendojnë të tjerët për të kandiduar, pastaj ajo është gjë tjetër”, deklaroi Gjici. PS-ja e Kamzës mësohet se po kryen testime në zona të ndryshme për emrin e Gjicit. Gjithsesi, për këtë bashki PS-ja duhet të bjerë dakord me aleatin e saj kryesor, LSI-në. Ndërsa nga kampi i djathtë për Bashkinë e Kamzës, veç Xhelal Mziut, kandidatë të tjerë përmenden ish-deputetët Asllan Dogjani, Jemin Gjana, si dhe ish-kreu i AKKP-së, Avenir Peka.
Nikolla
Minibeteja për Tiranën që po zhvillohet në PS, përfshin emrat e Lindita Nikollës, Pandeli Majkos dhe kreut të ALUIZNI-t, Artan Lame
Gjici
Prefekti i Qarkut të Kukësit është një tjetër emër i PS-së për Bashkinë e Kamzës. Ai mund të garojë me emrat e PD si Mziu, Gjana apo Dogjani
Kryemadhi
Deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte një nga emrat e mundshëm për bashkinë e Tiranës. Por vetë Kryemadhi në mënyrë publike u shpreh se nuk e ka një synim të tillë
Ministrat
Kodheli
Ministrja Mimi Kodheli ishte ndër emrat e parë që u përfol si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Por ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës e mohoi mundësinë e kandidimit
Tahiri
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shihej si një kandidat potencial për bashkinë më të madhe të metropolit. Ashtu si dhe Kodheli, Tahiri deklaroi se është jashtë garës
Veliaj
Edhe pse kohët e fundit po sulmohet nga PD-ja, ministri i Mirëqenies dhe Punës Sociale, Erjon Veliaj, nuk do të jetë kandidat për bashkinë. Vetë Rama e bëri publike këtë fakt
Lame
Jam gati të kandidoj. Mua më hanë duart për këtë qytet. Po ma dhanë do merrem, po s’ma dhanë nuk do merrem”, tha kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame në emisionin ‘Top Story’.