Shkaktarë: Inflacioni, papunësia, normat e larta të interesit për kreditë
Zamir Alushi
Çdo vend synon të ulë inflacionin, papunësinë dhe normat e interesit të kreditimit, duke rritur Produktine Brendshëm Bruto (PBB) për frymë. Përmes një shume të thjeshtë të tri normave të mësipërme, minus ndryshimin e rritjes së PBB-së për frymë, nga instituti amerikan “Cato” është ndërtuar një indeks për mjerimin që rendit 108 vende në bazë të nivelit të skamjes dhe varfërisë. Në tabelë janë rezultatet e indeksit për vitin 2014, ku Shqipëria renditet në vendin e 41-të, me më pak mjerim se sa shumë shtete të Ballkanit, si Greqia, Serbia e Maqedonia. Sipas të dhënave të studimit, Shqipëria ka problemin më të madh papunësinë, si një faktor kryesor që shton varfërinë. Ndërsa Serbia renditet e 7 duke pasur tregues të lartë të mjerimit. Duke ndjekur renditjen nga më i keqi tek më i miri, Venezuela është në krye me 106 pikë për varfërinë, Serbia vlerësohet me 40.3 pikë, Maqedonia me 36,3 pikë, Greqia me 32,2, Qipro me 31.5 pikë, Bosnja me 31,2 pikë, Turqia me 29.7 pikë dhe shkaku më i madh i varfërimit për këtë vend cilësohen interesat e larta të kredive, po për të njëjtën arsye edhe Mongolia vlerësohet me 29.2 pikë, Kroacia ka 26,7 pikë, ku faktori më rëndues është papunësia, Kazakistani me 26.3 pikë për shkak të çmimeve të larta që ka në këtë vend, India me 23.1 pikë, faktori më i rëndësishëm i varfërisë vlerësohet norma e lartë e interesit për kreditë, Portugalia me 22.5 pikë e vlerësuar keq për papunësinë dhe një pozicion më poshtë është Shqipëria me 21.6 pikë. Më pak situatë të mjerueshme se sa Shqipëria, sipas Indeksit “Cato”, kanë shtete të krahasueshme me vendin tonë si Moldavia, Bullgaria, Rumania e Sllovenia. Sipas drejtorit të institutit “Cato”, Steve Hanke, vendet që nuk janë përfshirë në tabelë nuk raportojnë të dhëna të plota për vitin 2014. Edhe Kosova nuk është përfshirë në këtë indeks. Sipas tabelës, pesë vendet me mjerimin më të madh në botë në fund të 2014, ishin Venezuela, Argjentina, Siria, Ukraina dhe Irani. Në 2014, Argjentina dhe Ukraina u ngjitën në pesëshen më të varfër, pas përmirësimit të situatës ekonomike në Sudan, Sao Tome dhe Principe. Pesë vendet me më pak mjerim në botë, sipas këtij indeksi janë Brunei, Zvicra, Kina, Tajvani dhe Japonia. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditen në vendin e 95, ose ndryshe i 14-i në listë me më pak mjerim ndër vendet e trajtuara nga ky indeks.
Porti i Durrësit, më shumë mallra nga Rusia
Vëllimin më të madh të mallrave, Porti i Durrësit e ka shkëmbyer me Rusinë. Gjatë vitit 2014, Porti i Durrësit ka pasur kontakte me rreth 60 porte në të gjithë globin, por rreth 1/6 e tonazhit të transportuar u përket porteve ruse. Sipas statistikave vjetore të Autoritetit Portual, anijet tregtare kanë transportuar afro 1.7 milionë tonë mallra gjithsej, pa përfshirë transportin e mallrave me kontejnerë apo me tragete. Shkëmbimet tregtare nga Durrësi kryhen me më shumë se 15 porte të Italisë, që zë vendin e parë për nga numri i porteve, megjithëse vëllimi më i madh i mallrave me anije realizohet me Rusinë, më shumë se 340 mijë tonë.